Toka e fshatit apo e shtetit?!

        Ka një rrëmujë të madhe në Shqipëri përsa i takon të drejtës së pronës. Një rrëmujë që fillon që nga individi dhe vazhdon deri te kolektivi. Dhe duket se asgjë nuk është bërë si duhet në këtë drejtim gjatë gjithë këtyre 36 vjetëve.

        Për çdo parcelë toke ka të paktën tri pretendentë. Një i zbritur nga malet, (tokë e xanun) një që e ka marrë tapinë nga regjimi komunist para krijimit të kooperativave dhe i treti që mëton se këtë tokë apo çifligun e ka dhuratë nga xhaxhi Sulltani. Si shpërblim për shërbimet ndaj Portës së Lartë kur ishte spahi, asqer, dizdar, vali, aga, pasha, etj etj.

       Gabimi u bë që në fillim. Atëhere kur filloi dalldia e privatizimeve dhe shkatërrimeve të gjithçkaje publike apo shtetërore. Pikërisht atëhere u vendos edhe privatizimi i tokës, i një toke që ka miliona vjet që ekziston dhe që ka njohur mijëra pronarë.

        Që të mos kishim këto problem sot do të ishte mirë që toka e punueshme, si dhe uji i lumit, pylli, lëndina, plazhi me rërë, kullotat për bagëtinë etj etj të mbeteshin pronë publike.

         Në librat e shenjtë është theksuar se vetëm ajo që është prodhuar nga dora e njeriut mund të shitet dhe blihet. Dmth jo ajo që është krjuar nga Zoti apo Natyra !

        Dhe tani po dalin fshatarë apo edhe një fshat I tërë që pretendon se ajo kullota atje, ai plazhi më tutje, ai pylli më larg etj është pronë e tyre. Dhe askush nuk ka të drejtë të vëjë këmbën aty. Vetëkuptohet pa i shpërblyer si duhet « pronarët » e tij !

        E mira do të ishte që toka t’i jepej pa shpërblim atij që e punonte. I cili do të kishte të drejtë t’ua linte atë tokë si trashëgimi edhe fëmijëve të tij. Ndryshe secili duhej të paguante një taksë për tokën që zotëronte, pavarësisht nëse mbillte grurë apo jonxhë në të, apo e kishte kthyer në pemëtore apo ullishtore.

      Pra si kudo në botë toka është e jotja nëse ke paguar taksën. Kështu ka ngjarë edhe në kohën e mbretërve, faraonëve, pashallarëve etj etj. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Madje ka pasur edhe raste kur pylli i takonte princit apo pashait të asaj zone. Kur të tjerëve u ndalohej edhe gjuetia atje ! A ju kujtohet Robin Hud ?

      Ky problem : pra pronësia mbi tokën u ndërlikua edhe më shumë këto kohët e fundit, pas rasteve të Rrjollit, Sazanit, Zvërnecit etj. Pronësi e kujt është Sazani ? Pa dyshim e shtetit shqiptar. Po plazhi i « xanun » nga oligarkët?! Edhe ai është po ashtu pronë e shtetit. Po lumi, mali, pylli, bjeshkët etj etj, që kanë ekzistuar atje prej mijëra vitesh e vitesh ?! Edhe ato i takojnë popullit shqiptar që përfaqësohet nga shteti i tij. Dakord deri këtu apo jo ?!

     Problemi ndërlikohet kur bëhet fjalë për atë kullotën atje tutje. A i takon ajo një njeriu të vetëm, fshatit pranë saj apo shtetit?! Po rruga që lidh psh dy fshatra kujt i takon?! Pra ka shumë probleme të pazgjidhura nga shteti këto 36 vjet.

     Çfarë është personale, çfarë është e përbashkët, pra pronë e fshatit, komunës apo bashkisë dhe çfarë është shtetërore. Asgjë nuk është zgjidhur dhe sqaruar si duhet. Nuk dihet se cilat janë të drejtat e fshatit, të fshatarit apo shtetit! Çdokush pretendon pronësinë dhe atje ku nuk i takon fare. Dikush bile ka shpallur se edhe një parcelë e ujit të detit i takoka familjes së tij! “Kam qënë familje e persekutuar, pra më takon”! Dikur të gjithë ishin familje dëshmorësh! Si është kjo botë!

      Pra ka ardhur dhe ka kaluar koha të spjegohet dhe të vendoset një herë e mirë se kush mund të jetë pronë private dhe kush  publike. Kjo është edhe baza e sistemit kapitalist. Se në komunizëm ishte ndryshe: gjithçka i takonte shtetit! Deri edhe jeta e njerëzve!

      Kthehemi tani te ligji i « privatizimeve strategjike ». Sipas tij shteti ka të drejtë t’i japi një pjesë toke, bregdeti apo malësie një investitori strategjik. Por në këtë moment dalin edhe banorët e asaj zone që pretendojnë se ajo tokë, ajo kullotë, ai plazh u takon atyre se ashtu ka qënë den baba den!

     A  kanë të drejtë?! A mund të ketë pronësi fshati?! Dhe kush e vendos këtë pronësi?! Kush vendos se ato pjesë i takojnë fshatit dhe jo shtetit?! Këto probleme duhet të ishin zgjidhur si duhet që në vitin 1992. Ose më 2002! Ose më 2012! Dhe kishte kohë edhe deri më 2022-shin! Kjo është vërtet një rrëmujë e madhe. Se ata që kanë qënë në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve ose kanë qënë të paaftë, ose të papërgjegjshëm. 

     Por askujt nga ata që kanë drejtuar vendin nuk i është bërë vonë për të bërë ligj dhe drejtësi. Ata kanë dashur vetëm të sundonin pa hyrë në përplasje me kërkënd. Se zgjedhjet mbahen çdo 4 vjet! Dhe ja tani pasojat. Njerëzit në boulevard. Se nuk kuptohet se si një qeveri që është thjesht administratore e pronës publike mund të falë, shesë apo të japë me qera për 99 vjet atë pronë që u takon të gjithë shqiptarëve ?!

    Dhe po t’i shtosh këtyre edhe veprimet e qeverisë që u dhuron oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj trojet e vendit, si dikur mbreti Zog që i fali Serbisë manastirin e Shën Naumit, tablloja bëhet fare e lemerishme?! Sot i falet nafta e vendit një kompanie të huaj që nuk paguan asnjë cent në arkën e shtetit, se ashtu janë lidhur kontratat!     

       Flitet se ka pasur edhe një projekt që uji i lumit Shushicë t’i jepej Italisë që ajo të vadiste tokat e saj të thara nga vapa. Ku shkojmë kështu?!

      Berisha ka vepruar edhe më keq. Ai vajti deri në Athinë për të ligjëruar shitjen e detit shqiptar Greqisë! Apo lejoi kalimin e ujësjellësit paneuropian “TAP’ (Azerbaxhian – Itali) të përshkojë pa paguar asnjë taksë mes për mes Shqipërinë! Se e konsideronte vendin tashmë si anëtare të Bashkimit Europian! A ka çmënduri dhe poshtërsi më të madhe se kjo ?!

       Prandaj ata në bulevard duket se kanë shumë të drejtë që protestojnë. Që kërkojnë një revolucion apo një Shqipëri të Re. Që duan t’i shohin në burg si Ramën, si Berishën. Vetëm kasta e privilegjuar është sot kundër. Ata që janë majmur gjatë këtyre 36 viteve rrëmuje dhe rrëmeti. Me një fjalë ujqërit.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment