Një vizitë që kishte në qëndër Kosovën dhe Krimenë

       Presidenti i Ukrainës, Zelenski, ishte dje për një vizitë zyrtare në Beograd, ku u takua me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç. Zyrtarisht u shpall se kjo vizitë kishte si synim ta largonte Beogradin nga Moska dhe ta afronte më shumë me Perëndimin. Por e vërteta është pak më ndryshe.

       Të dy presidentët i bashkoi « halli” i përbashkët. Pra Kosova për Serbinë dhe Krimea për Ukrainën. Vuçiçi e përdori këtë vizitë për tu thënë perëndimorëve:”Sa bukur që ju jeni për ruajtjen e sovranitetit të Ukrainës mbi Krimenë! Madje edhe për kthimin e saj në gjirin e Ukrainës! Pse nuk mbani një qëndrim të njëjtë edhe për Kosovën? Që edhe ajo të kthehet në gjirin e Serbisë?”.

       Që të dy, si Zelenski, si Vuçiçi, u shprehën dje të zhgënjer nga Perëndimi. Sepse Ukrainës tani po  mungojnë armët mbrojtëse, ndërsa “Starlink” i Elon Musk ka njoftuar se ai nuk do ta ndihmojë më Ukrainën të godasë shënjestrat në thellësi të territorit të Rusisë.

      Ndërkohë Serbia vazhdon të blejë armë të sofistikuara dhe material ushtarake anë e mbanë botës. Përse i duhen këto armë?! Vetëm për tu mbrojtur?! Pak e mundshme. Mundësia më e madhe është që këto armë ajo t’i përdorë nesër kundër Kosovës. Sapo situata politike ndërkombëtare të ndryshojë në favor të saj.

       Dhe Serbia po e pret me durim këtë ditë. Dhe nuk lë rast pa  përsëritur se Kosova është pjesë e saj e pandarë. Siç veproi Vuçiçi pak ditë më parë gjatë një takimi me kadetët e një shkolle ushtarake. Pavarësisht se aty jetojnë 2 milionë shqiptarë.

        Dhe në këtë rast serbët kanë qef të heqin një paralele edhe me luftën izraelito/palestineze. Më përpara toka, ose një pjesë e saj, thonë ata, ishte e izraelitëve. Por ata i dëbuan nga trojet e tyre. Dhe aty u vendosën pak nga pak arabët. Sot Izraeli po përpiqet të rimarrë atë që i morën para 1 000 vjetëve e kusur ! Kështu ka ngjarë edhe me Kosovën. Myslimanët shqiptarë e pushtuan atë me barkun e grave të tyre!

         Kështu e spjegojnë serbët praninë e shqiptarëve në Kosovë. Si një dyndje e vonshme. Se sipas tyre, emrat dhe manastiret e shumta ortodokse atje, dëshmojnë për një prani të hershme të sllavizmit në ato troje!

        Por pyetja shtrohet : Po para dyndjes së sllavëve në atë zonë, kush ishin banorët e saj ?! Këtu histografia serbe hesht. Ajo nuk mund ta pranojë se ato toka ishin të banuara nga fiset ilire dardane dhe kosovarët e sotëm janë pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë.

        Problemi tani është se kush narrativë, rrëfenjë, zë rrënjë në opinionin botëror : ai serb apo ai shqiptar ? Mirë do të ishte që Kosova të forcohej edhe ajo çdo ditë dhe më shumë. Që të kishte një shtet stabël me lidhje të forta me Perëndimin në përgjithësi dhe me Uashingtonin në veçanti.

       Por Kurti duket se po vepron ndryshe. Dhe gabim. Në vend që ta riemëronte Vjosa Osmanin në postin e presidentes, ai i bishtënoi këtij detyrimi. Dhe dihet se Osmani kishte marrëdhënie të privilegjuara me Uashingtonin. Dhe mos vallë kjo ishte edhe arsyeja që marksisti nacionalisto/islamik Kurti e largoi Osmanin nga ai post ?!

      Dhe tani ka 2 vjet që Kosova mbetet pa institucione. Pa president. Vetëm për shkak të trilleve dhe dëshirës së pafund të Kurtit për t’i pasur të gjitha pushtetet në dorën e tij.

      Por një ditë, një incident i vogël, i shkaktuar andej nga veriu i Kosovës, mund të bëjë që trupat serbe të hyjnë në atë zonë për të mbrojtur bashkatdhetarët e tyre dhe ndofta të shtrihen edhe më tutje. Siç veproi Rusia në Donbas.

       Nuk duhet harruar po ashtu edhe incidenti i lemerishëm i djegies së kishave dhe manastireve serbe në Kosovë para mbi 20 vjetësh, pas një lajmi të rremë se serbët kishin mbytur 2 fëmijë shqiptarë në lum. Perëndimi atëhere u tmerrua dhe pyeti veten për herë të parë nëse paskan vepruar gabim me çlirimin e Kosovës?!

         Dhe një incident I tillë me karakter fetar apo etnik mund të përsëritet me lehtësi.  Dhe në kohën e sotme, kur po flitet deri edhe për dëbimin e emigrantëve myslimanë nga Europa, kur Trump po shfaqet si një i krishter i devotshëm dhe deri fanatic, gjithçka mund të ngjasë!

         Serbia sot duket se nuk kërkon më gjithë Kosovën me 2 milionë banorët e saj shqiptarë. Ajo do të jetë tejet e kënaqur edhe vetëm me veriun e saj si dhe zonat ku gjenden manastiret serbe. Pra do të përsëritet prapë operacioni “patkoi”. Shqiptarët e Kosovës do të dëbohen në gjysmën e territorit të mbetur të saj dhe ndofta edhe në Shqipëri. Serbia veçse po pret kohën e përshtashme për ta vënë këtë plan në jetë. Ndërsa shqiptarët, siç e kanë zakon, grinden me njëri tjetrin veçse për pushtet.

         A nuk veproi edhe Izraeli kështu? Izraelitët pritën 2 000 vjet për tu kthyer në tokat nga i kishin dëbuar. Po Serbia pse mos të presë 50 vjet?!

       Prandaj shkruajta në fillim se takimi Zhelenski – Vuçiç nuk ishte një takim i zakonshëm. Dhe se ai kishte në zëmrën e tij problemet e Krimesë dhe Kosovës.  Udhëheqësit kosovarë duhet t’i vënë gishtin kokës dhe të mos flejnë mbi dafina. Historia veçse mund të përsëritet. Dhe ta duhet të jenë gati edhe për më të keqen. Një ish ambasador amerikan në Prishtinë u shpreh para pak ditësh se kujdei i Uashingtonit ndaj Kosovës nuk do të jetë as i përjetshëm dhe as falas!

        Amerika po i mban sytë tani drejt Kinës dhe nuk po i bëhet shumë vonë as për Europën. Ku thuhet se pak nga pak do të tërheqë edhe trupat e saj që atje. Dhe në rast të përfundimit të konfliktit Rusi/Ukrainë dhe ndofta edhe më parë, Uashingtoni mund të afrohet me Moskën.  Dhe Serbia është ajo që mund të përfitojë më shumë nga ky afrim !

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment