Disa arsye të tjera se pse Rama duhet të largohet

Rama nuk ka qënë kryeministër i keq. Sidomos po ta krahasosh me Berishën. Ai nuk ka vrarë, nuk e ka shkatërruar vendin me themel, nuk ka lejuar “republika të pavarura të hashashit”, piramida të fajdeve, Vefa e kompani! etj etj. Madje nën qeverisjen e tij Shqipëria është zbukuruar, GDP-ja është rritur, bashkë me të edhe niveli i jetesës, leku është forcuar. Edhe siguria në vend është forcuar. Sot nuk i rrëmben dot më njeri vajzat nga gjimnazi për t’i nisur si prostituta në Itali!

Megjithatë edhe ai duhet të largohet. Se ka bërë disa gabime të rënda. Disa! Nga të cilët vetëm njeri prej tyre do të mjaftonte që ai të jepte vullnetarisht dorëheqjen.

Dhe këtu nuk po flasim vetëm për Sazanin dhe Zvërnecin, as për Rrjollin, as për ligjet e aprovuara me nxitim për të ashtuquajturit « investitorë strategjikë » ! Të gjitha fshehurazi dhe prapa kurrizit të njerëzve.

Ramën e vrau lavdia e vet. Iu duke vetja se ishte kthyer në lider botëror, njëlloj me « shokët e tij » siç i ka cilësuar vetë Macron-in, Merz-in  etj etj. Ndryshe siç thuhet në shqip : « I hypi vetja shumë në qef » ! Saqë nuk pyeste dhe nuk dëgjonte më njeri. Vetja e vet i dukej më i zgjuari dhe më i dituri!

Por koha tregoi se nuk ishte i tillë. Ishte tepër i lehtë, sipërfaqësor, një lloj shoumen-i dhe publicisti,  që shkëlqente shumë, por pa brendi. Njëlloj si flluska e sapunit. Prandaj tani ai është tronditur që njerëzit në bulevard kanë guxuar të kërkojnë largimin e tij ! Madje e kërkojnë atë në burg, së bashku me Berishën ! As në ëndrrat e tij më të këqija ai nuk do ta kishte menduar një fund të tillë.

Koha tregoi se një e metë e madhe e tij ishte paftësia në zgjedhjen e njerëzve.  Ahmetaj, Balluku, Zegjinea, Neomalësorja etj etj që ai i nxirrte nga kapelja e tij, sikur të ishte ndonjë prestigjator cirku !

Për çfarë arsyesh, për çfarë shkaqesh zgjidhte këta njerëz në krye të vendit ?! Çfarë kishin provuar ata në jetë ? Ku kishin shkëlqyer ? Të gjitha këto nuk kishin asnjë rëndësi për Ramën. Ishte ai që i dinte të gjitha dhe vendoste për çdo gjë. Të tjerët veçse duhet të ngrinin kartonin. Askush nuk lejohej ta kundërshtonte. Të gjithë duhej t’i bënin temena, se prandaj i kishte zgjedhur me dorën e vet. Dhe shumë herë duke hequr ata me eksperiencë, sidomos ata që vinin që nga kongresi themelues i PS-së më 1991! Ku ai nuk ishte. Se gjendej  në një barrikade tjetër atëhere !

Tani i ka plasur në dorë një skandal tjetër, i fundit fare : ai i aeroportit të Vlorës. Kontrata që ishte nënshkruar me të dy ortakët u anullua. Se dukej se të dy firmat nuk merreshin vesh me njëra tjetrën dhe punimet kishin ngelur në mes të rrugës !

Po pse u zgjodhën dy ortakë me kushte të barabarta ligjore dhe me investime personale krejt të ndryshme?! Njëra 98 për qind dhe tjetra vetëm 2 për qind?!  A nuk e di qeveria se dy mami materniteti e nxjerrin fëmijën të vdekur ?! Kush e hartoi këtë kontratë dhe si ?!

Rasti i mafiozit italian, Bechettit, që pritet t’i xhvasë Shqipërisë nja 110 milionë euro të mira, duhej t’i kishte hapur sytë Edi Ramës. Ta kishte bërë të kuptonte se me këto gjëra nuk luhet dhe duhet të jesh serioz.

Tani Shqipëria rrezikon prapë të paguajë disa qindra milionë euro të tjera në arbitrazhet ndërkombëtare. Sepse nuk ka ditur t’i hartojë kontratat si duhet ! Edhe në aeroportin e Kukësit thuhet se ka filluar të mbijë bari ! E gjitha dhe të gjitha këto përmblidhen në një shprehje : Paaftësi dhe papërgjegjësi.

Prandaj Shqipëria nuk ka pasur kurrë shtet të fortë dhe autoritar. Ku ligji të jetë i barabartë për gjithsecilin dhe të respektohet nga të gjithë. Si pasojë ka pasur korrupsion masiv në çdo qelizë të administratës. Se kur gjenerali këput një mollë, ushtria e shkul pemën me gjithë rrënjë. Dhe kur Balluku dhe Ahmetaj vjedhin me thasë, pse ai nëpunësi i thjeshtë nuk duhet të mendojë për familjen e vet ?! Kur këta pasunarët e sotëm i çojnë fëmijët për studime jashtë vendit, pse fëmijët e nëpunësit « të shkretë » të mos kenë një Benz ?!

Dhe nuk po flasim këtu për SPAK-un, një organizëm ky që vret e pret dhe nuk i jep askujt llogari ! Kë kanë zgjedhur njerëzit për të marrë mbi supe përgjegjësitë e vendit ?! Për kë kanë votuar ?! Për SPAK-un ?! Pra edhe këtu vërehet një mungesë autoriteti.

Pa dyshim që drejtësia duhet të jetë e pavarur nga pushteti administrativ, por edhe ajo duhet të japë llogari diku ! Si psh përpara Parlamentit të zgjedhur nga Sovrani. Por ky parlament nuk ka reputacion e cilësi për vete! Anëtarët e tij “burrat dhe burrneshat e kombit” janë për të vënë duart në kokë. Asnjeri prej tyre nuk ka vepra, asnjë prej tyre nuk është intelektual i vlerësuar nga shoqëria. Sikur i kanë kapur nga veshi dhe iu kanë thënë se do bëhesh deputet tani!

Të gjitha këto që përmendëm më sipër, qoftë dhe vetëm njëra prej tyre, do të mjaftonin që Rama të largohej vullnetarisht. Pa hyrë në konflikte dhe debate të panevojshme. Pa i quajtur të tjerët korba dhe sorra ! Mund të largohej madje pa caktuar as edhe një trashëgimtar. Atë duhej t’ia linte anëtarësisë së Partisë Socialiste ta zgjidhte.

Çfarë të shkruash më parë për paaftësitë dhe papërgjegjshmërinë e  kryeministrit të sotëm. Nuk mund të vazhdohet gjithmonë me : « Është më i mirë se Sala » ! Kjo e ka humbur kuptimin sot.

Protestuesit në bulevard po kërkojnë sot një Shqipëri tjetër. Që të administrohet ndryshe. Që të ketë një shtet të fortë, të drejtë, atdhetar dhe të aftë. A e kanë kaq gabim thua?! A nuk ka ardhur koha që ky tranzicion drejt anarshisë të marrë fund?! Por ai duket se nuk mund të përfundojë pa largimin përfundimtar nga skena të dy dinozaurëve politikë të vitit 1990. Kohë të ndryshme, sfida të tjera dhe njerëz të rinj!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment