Shqipëria në kategorinë e vendeve jo 100 për qind të sigurta, sipas Uashingtonit

       Shqiptarët mburren se janë më proamerikanët, jo vetëm në Ballkan dhe Europë, por ndofta edhe në botë. Si dikur xhanëm kur ishim më prokinezët dhe më parë edhe më pro sovjetikët. Saqë e kishim zët edhe Bullgarinë se edhe ajo mëtonte cilësimin e vendit më mik të Bashkimit Sovjetik !

         Po Amerika vetë si i sheh shqiptarët ?! Çfarë thonë institucionet e saj për vendin tonë ?! Ka një mjet për ta mësuar këtë : Të njihesh me rregullat dhe rreziqet e udhëtimit që administrata amerikane u këshillon qytetarëve të saj.

         Në rekomandimet e tyre për qytetarët amerikanë, Shtetet e Bashkuara i ndajnë vendet e mbarë botës në katër kategori. Niveli i parë thjesht u kujton udhëtarëve të “ndjekin masat standarde paraprake”. Kjo pasohet nga kategoritë e mëposhtme: 2) “Ushtroni kujdes të shtuar”, 3) “Rishikoni planet tuaja të udhëtimit” dhe së fundmi 4) “Mos udhëtoni atje”.

          Irlanda, Portugalia, Zvicra, Austria dhe Norvegjia bëjnë pjesë në grupimin e parë ndër vendet europianoperëndimore. Njëlloj si Australia, Japonia, Kanadaja, Argjentina etj. Dmth jo ndonjë kujdes i veçantë për amerikanët që udhëtojnë në këto vende.

        Franca, Hollanda, Gjermania, Britania e Madhe, Spanja, Italia, Danimarka dhe Suedia – bëjnë pjesë në vendet e Europës Perëndimore që përfshihen në kategorinë e dytë. Dmth aty ku thuhet : « Hapini pak sytë ! ».

       Edhe shumica e ish-vendeve të Lindjes bëjnë pjesë në grupimin e parë.  Me përjashtim të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës, Marokut, Eritresë dhe Afrikës së Jugut që gjenden të gjitha në katrorin e dytë.

       Meksika, Venezuela, Arabia Saudite etj bëjnë pjesë në grupimin e kategorisë së tretë. Dmth aty ku u bëhet thirrje amerikanëve të bëjnë shumë kujdes.

       Ndryshe Irani, Kina, Rusia si dhe shumica e vendeve afrikane gjenden në kutinë e 4-t, dmth aty ku qytetarëve amerikanë u rekomandohet të mos shkelin fare.

        Renditja jonë në kategorinë e dytë, krahas shumë vendeve edhe të Europës Perëndimore, nuk është edhe aq keq. Por shumë larg asaj që pretendojmë ne : si vendi më proamerikan në botë ! Duket se përshtypjet nuk janë reciprokisht të njëjta !

v.gj.

Lini një koment