Një nga manifestuesit e djeshëm në bulevardin e Tiranës kërkoi ndryshim, ndryshim gjithësor të politikës 36 vjeçare që është zbatuar në vend që pas rënies së komunizmit.
Pa asnjë dyshim që Shqipëria ka nevojë sot për një pëmbysje të re. Radikale. Si ajo që ngjau gjatë vitit 1991. Një përmbysje, por kësaj rradhe pa gjak dhe shkatërrime. Por një përmbysje në mënyrën se si drejtohet shteti, se si trajtohen dhe shfrytëzohen pasuritë e tij.
Nuk ekziston as dyshimi më i vogël se Rama duhet të largohet me çdo kusht. Aq shumë e ka bërë baltë. Por pikërisht këtu fillon e ngatërrohet « muhabeti » ! Ja iku ai, po kush do të vijë ?!
Se ky është problemi ! Se nuk shihet asnjë dritë në fund të tunelit?! Edhe sepse Rama me Berishën u kujdesën që në vitin 2008, me ligjet që hartuan, që vetëm ata dhe partitë e tyre të mbesin jetë e mot në pushtet !
Pra mbetet që të ikë Rama dhe të kthehet Berisha! Që do të thotë që jo vetëm të biem nga shiu në breshër, por që të mbytemi fare!
Manifestuesit mbajnë fjalime në shesh ku kërkojnë futjen në burg të këtij dhe atij ! Po kush do t’i fusë ata në burg?! Duket qartë se përveç mllefit dhe zëmërimit të drejtë të protestuesve, nuk shihet asnjë zgjidhje.
Edhe sepse disa parti po rrinë ende fshehur, pa e nxjerrë kokën! Kjo të kujton Frontin Nacional- çlirimtar gjatë luftës. Partia Komuniste qëndroi e fshehur pas këtij fronti deri sa u afrua dita e Çlirimit. Atëhere e nxorri kokën!
Ka disa që thonë se kjo lëvizje udhëhiqet në prapaskenë nga partia e Arlind Qorit, (« Bashkë » dmth commun në gjuhët latine = komunizëm) apo nga grupe islamiste të mbështetura nga Irani! Nëse është e vërtetë !
Një gjë është e sigurt se aty ka për të lënë dhe për të marrë. Se gjen nga të gjithë. Që nga disa gra derdimene që ankohen se i ka lënë burri deri te disa të tjerë që bëjnë thirrje për « Revolucion »! Revolucion për çfarë ?! Si ?! Ku është programi i këtyre revolucionarëve ?!
Siç kam shkruajtur edhe herë të tjera ka ardhur koha që në krye të kësaj lëvizje të dalë një lider, apo autoritet moral me reputacion në popull, që të kërkojë vetëm një gjë : – largimin e Ramës. 13 vjet në pushtet dhe pa lënë ndonjë gjurmë të madhe, janë boll.
Zgjedhje të reja me qeveri teknike – kërkojnë manifestuesit ! Drejt! Megjithatë ka një « por »! Po sikur këtë zgjedhje t’i fitojë përsëri Partia Socialiste, si organizmi politik më i konsoliduar në vend, si i bëhet halli atëhere?!
Do vazhdojnë protestat dhe zgjedhjet dhe rizgjedhjet deri sa Partia Socialiste të humbasë ! Për të ardhur kush pas saj ?!
Ky është edhe problemi. Prandaj ka ardhur dhe ka kaluar koha që ata që fshihen pas këtyre manifestimeve tani të dalin hapur. Të thonë se çfarë duan dhe si e shohin të ardhmen e vendit. Çfarë programi politik, ekonomik, social, nacional etj do të ndjekin.
Protesta le të vazhdojë si bashkim i të gjithë të pakënaqurve, me synimin kryesor dhe të vetëm – largimin e Edi Ramës. Por aty tashmë duhet të shquhen dhe dallohen edhe forcat përbërëse të tij. Le të dalin nga “ilegaliteti” edhe ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën, diversantët e Berishës. Le të dalin edhe neomarksistët e Qorit, edhe islamistët e Muhametit po të duan, edhe ata që kërkojnë tu kthehen tokat që u ka pasë falur dikur xhaxhi Sulltani!
Të dihet se kush janë dhe sa janë. Fronti i protestuesve le të vazhdojë të jetë i bashkuar në kërkesën për largimin e Ramës, por i ndarë në reparte dhe divizione të dallueshme dhe me synime dhe qëllime të ndryshme.
Atëhere edhe votuesit do të dinë se kë mund të zgjedhin, kujt mund t’i besojnë. Mirëpo këtu ka edhe një tjetër problem. Duke përjashtuar ata mijëra veta që kërkojnë largimin e Ramës, pjesa dërrmuese e popullsisë a është gati për një revolucion të ri, për një Shqipëri të Re?! Dhe si e sheh ajo se do realizohen këto objektiva?! Këtu rreh çekani!
Sepse kështu siç është nisur ka më shumë mundësi të shuhen protestat, se të largohet Rama nga pushteti! Dhe ky i fundit këtë po pret: që protestat të degjenerojnë në skena alla lumpen proletariat. Me gurë dhe vezë kundër forcave të rendit.
Prandaj tani ka ardhur koha të ndahet shapi nga sheqeri. Dhe këtë duhet ta kuptojnë ata që po e drejtojnë këtë protestë. Nuk mund të vazhdohet gjithë jetën kështu: me shëtitje në boulevard, duke kërkuar rrëzimin e Ramës!
Faza e mëtejshme, siç thashë, duhet të jetë shpalosja hapur e synimeve dhe programeve të çdo grupimi që merr pjesë në këto manifestime. Ndryshe as zgjedhjet e parakohshme dhe as qeveria teknike nuk zgjidhin punë.
Drejtuesit klandestinë të protestës kanë pasë shpresuar se Rama do të largohej vetë, por me sa duket kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Edhe bllokimi i vendit me anë të rezistencës pasive apo aktive nuk është zgjidhje.
Ja i bllokove rrugët. Ja i hodhe përtokë edhe shtyllat elektrike! Ja e dogje edhe kryeministrinë! Dhe pastaj?! Kush humbet dhe kush fiton nga kjo?!
Pyetja që mbetet pa përgjigje është: a dëshirojnë njerëzit vërtet të luftojnë dhe të sakrifikojnë për një revolucion apo një Shqipëri të Re?! Ndryshe një rrëzim regjimi?! Apo preferojnë më mirë të rrinë në kafene dhe gjithçka ta ndjekin nga televizori.
Për tu zëvëndësuar nga kush?! Nga cilët?! Ku janë ata?! Pse nuk duken?! Mendojnë se nuk ka ardhur akoma koha që të dalin në skenë?! Apo janë të kënaqur me kaq?!
Ka shumë pikëpyetje dhe paqartësi. Ndryshe një pjesë e madhe e shqiptarëve, mendoj, se janë plotësisht të bindur për nevojën e largimit të Ramës. Me kusht që ai që ta zëvëndësojë të jetë më i zoti, më patriot, më i ndershëm! Po ku është ky “Mesi” ky lider shpëtimtar?!
Prandaj protesta vazhdon të bëjë “xhiro” në bulevard si kali në lëmë. Dhe xhiro do të thotë pikërisht rrethrrotullim pa një kokë drejtuese dhe udhëheqëse. Largimi i Ramës nuk mjafton, pa u gjetur më parë dikush që ta çojë vendin më përpara dhe jo më pas!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment