Para pak ditësh në këtë blog pata shkruar se si mund të ulen çmimet në Shqipëri. Se si mund tu bëhet konkurrencë çmimeve monopol të tregtarëve me shumicë. Edhe se si çiftet e reja mund të bëhen me shtëpi.
Në këtë artikull që mund ta gjeni në “X, “Wordpress” dhe “Blogger”, duke kërkuar me emrin tim, e kisha vënë theksin te roli i pamohueshëm i shtetit në ekonomi, që bie katërcipërisht kundër me praktikat ultraliberale të Edi Ramës. Si dhe me mungesën e tij skandaloze të dëshirës dhe vullnetit për t’i vënë gjërat në vend dhe për të nxitur dhe forcuar rolin e shtetit në ekonomi.
Nuk po i përsëris gjërat që shkruajta para 3 – 4 ditësh, sepse kushdo mund t’i gjejë lehtësisht në internet, por po ndalem këtu te qëndrimi i ish-zv/kryeministrit dhe tashmë deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndaj rritjes së çmimit të shalqirit që po bën të pasur tregtarët dhe jo bujqit prodhues.
Ia vlen ta lexosh :
Deputeti i PS-së Erion Braçe përmes një video në rrjetet sociale, ka denoncuar abuzimet që po bëhen me çmimet e perimeve dhe zarzavateve nga ana e tregtarëve, të cilët sipas tij po dëmtojnë bujqit.
Braçe ka marrë si shembull çmimin e shalqirit, të cilit bujqërit ua shesin me 6 lekë për kilogram grumbulluesve me shumicë, ndërsa në vijën bregdetare çmimi arrin në 30 lekë për kilogram, duke e rritur me 5 herë (500 për qind) çmimin e tij !
Deputeti socialist thotë se ky është një abuzim i cili po dëmton bujqit, të cilët sipas tij po dalin pa fitim, ndërsa tregtarët po përfitojnë deri në 10 lekë për kilogram.
Braçe ka bërë thirrje për reflektim, pasi po dëmtohen prodhuesit, turizmi por edhe vetë tregtarët.
“Çmimi sot ka levizur, po shkon 12 leke e mund te arrije edhe 15 leke per kilogram; Tani eshte vec Çerma, Sulzotaj dhe Imashta qe ka shalqi; me sa do e shisni ju per turizmin, me 45?”, pyet ai tregtarët, para se të nënvizojë se kjo nuk eshte tregti, por zhvatje, e bërë nga tregtaret qe po zhvasin bujqit si dhe turistët nga Shqipëria dhe Kosova!
« Çmimet e perimeve dhe të frutave të stines me te cilat po furnizohet populli dhe turizmi, jane cmendur, – konstaton ai.
Dhe shton: “Për 40 ditë me rradhe deri më sot, shalqini eshte shitur ne Divjak% me 6 leke, vetem 6 leke! Nderkohë që e gjithe vija bregdetare eshte furnizuar me shalqi me cmim 30 leke per kilogram! Tregtaret nga shalqini pa fitim e me humbje i bujkut kane fituar 10 leke per kilogram!
Kjo eshte tmerresisht e padrejte! – nervozohet deputeti që nuk duket i kënaqur nga këto praktika tregtare si dhe nga mosveprimi i qeverisë së tij!
“Çmimi edhe sot ka levizur. Po shkon 12 leke e mund te arrije ndofta edhe 15 leke per kilogram; ndërsa për turizmin ai mund të arrijë edhe 45 lekë kilogrami? Po demtoni bujqit dhe veten tuaj” – i paralajmëron ai tregtarët.
E keqja është se Braçe nuk shkon më larg. Nuk e vë gishtin te indiferenca e qeverisë që ka lejuar që çmimet në Shqipëri, duke filluar nga ai i benzinës, mishit, miellit, djathit etj të jenë më të larta edhe se në disa vende të Bashkimit Europian!
Po si mund të ndërhyjë shteti?! – mund të pyesë ndokush. Fare thjesht. Duke ngritur qëndra grumbullimi anë e kënd vendit. Si ato që kanë pasë ekzistuar dikur.
Qeveria vendos çmimet tavan për blerjen e mallrave nga bujqit, duke e ndarë mallin sipas kategorive dhe cilësisë. Dhe këtë mall ua shet pastaj tregtarëve me pakicë, jo 500 përqind më shtrenjtë, por 10 për qind më shtrenjtë, pasi janë zbritur më parë shpenzimet për grumbullim, transport dhe rroga të punonjësve të këtyre qëndrave të grumbullim/shitjes së produkteve bujqësore vendase. Dhe kështu çmimi i shalqirit në tregun me pakicë nuk shkon në 45 lekë kilogrami, por mund të arrijë maksimumi te 12 lekët!
Qeveria ka shumë në dorë, po të dojë. Po qe se mendon për të mirën e gjithë njerëzve dhe jo vetëm të oligarkëve. Prandaj Braçe duhet të hedhë edhe një hap më shumë : të mos mjaftohet duke kritikuar tregtarët e shumicës, por duke kërkuar edhe një rol më të madh të qeverisë në ekonomi.
Nuk mund të vazhdohet më kështu, duke e lënë çdo gjë në dorë të privatëve dhe oligarkëve. Dhe drejtësinë në dorë të SPAK-ut. Por qeveria për çfarë është zgjedhur ?! Vetëm që kryeministri i saj të bëjë udhëtime anë e mbanë botës ?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment