Është koha që socialistët ta shporrin Ramën

          Qëllimisht nuk kam shkruajtur «  që Partia Socialiste ta shporrë Ramën », se me parti socialiste njerëzit gjithmonë kuptojnë kryesinë e saj, ministrat dhe deputetët, që duhet thënë, janë për të qarë hallin. Ata janë të gjithë nën thundrën e kryeministrit.

       Dhe ka shumë arsye për ta shporrur Ramën :

      Së pari : se ai nuk është socialist. Këtë e ka pohuar vetë edhe në një takim zyrtar me kryeministren italiane Meloni!

      Së dyti: se ai ka udhëhequr pa përgjegjësi dhe pa përkushtim. Aq sa edhe sot e kësaj dite Berisha nuk është në burg dhe i bën karshillik edhe shqiptarëve!

       Së treti: se ai ka lejuar një organizëm, të pa zgjedhur nga askush, si SPAK, të bëjë çfarë të dojë në vend dhe të mos japë llogari kërkund! Por shqiptarët kanë zgjedhur PS-në dhe jo SPAK-un për të qeverisur vendin, për të vënë rregull dhe drejtësi!

        Së katërti: se ai po ndjek një politikë ekonomike ultraliberale që nuk ka asgjë të përbashkët me socializmin e vërtetë.

        Së pesti: se nuk ka ndërtuar një fabrikë a uzinë të vetme në vend ku të mund të punësoheshin njerëzit, por e ka vënë gjithë theksin vetëm te turizmi!

       Së gjashti: se vë në krye njerëz pa din e iman, siç janë psh Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Beqaj e të tjerë. Tani na ka dalë edhe një Beqir në Francë, një Argys në Tiranë, (thuhet të lidhur me të), që janë bërë milionerë në euro, pa e ditur njeri se si! Pra mungesë e plotë kontrolli.

        Së shtati: Për më shumë, kur nuk gjen hajdutë dhe të korruptuar, zgjedh dhe vë në poste me rëndësi demokratë të shquar antisocialistë! Sikur nuk ka socialiste të aftë dhe të ndershëm!

      Së teti: se i ka nxjerrë në shitje pasuritë mbi dhe nëntokësore të vendit. Të cilat ua ka dhënë ose dëshiron t’ua japi për një euro, për 99 vjet dhe pa taksa ose t’ua  falë oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj, sikur të ishin prona të Kristaqit!

        Ka edhe shumë arsye të tjera por tani për tani jam përqëndruar tek këto më sipër.

         Ndryshe këto dy ditët  e fundit nëpër disa zona të Shqipërisë po ngjan diçka shumë e rëndësishme. Që mund të ketë pasoja të paparashikuara. Socialistët e bazës duket sikur janë zgjuar. Ata kanë filluar të mblidhen bashkë dhe të djegin teserat e tyre të anëtarësisë. Si një shprehje kjo e bindjes se Edi Rama nuk i përfaqëson më.

           Dhe në rast se kjo lëvizje përhapet dhe shtrihet brenda gjithë vendit, Rama i ka ditët e numëruara. Aq e fortë mund të jetë simbolika e këtij xhesti. i cili e tmerron Ramën, ndofta edhe më shmë se protestat në bulevard. Se tani « zjarri » i ka hyrë nga brenda ! Imagjinojmë një çast që të caktohet një ditë, në mes të bulevardit, ku socailistët e zhgënjyer do të djegin publikisht teserat e tyre të anëtarësisë. Imagjinon po ashtu që kjo lëvizje të shtrihet në çdo qytet të vendit! Atëhere çfarë i ngelet Ramës të bëjë ?!

         Kur kërkoj që Rama të shporret, të them të drejtën, e bëj këtë kërkesë me dhimbje. Se Rama ka bërë edhe shumë gjëra të mira për vendin. Se ai është 1 million herë më pozitiv dhe më i mirë se Sali Berisha !

        Por ai ka gabuar rëndë dhe jo vetëm një herë. Tani së fundmi e “derdhi kovën” me allisheverishet që ka bërë në fshehtësi të plotë me Jared Kushner dhe Ivanka Trump për Zvërnecin dhe Sazanin. Po ashtu me ligjin e investitorëve strategjikë që i bën të pasurit edhe më të pasur dhe të varfërit edhe më të varfër.

       Ndryshe ai fare mirë mund të formojë një parti të re, ta zëmë « Rilindja » dhe t’i hiqet qafe Partisë Socialiste. Se e ka deformuar dhe degjeneruar atë në një farë feje saqë ajo sot nuk njihet më.

       Shqipëria e kishte një të ashtuquajtur parti të djathtë, PD-në, e udhëhequr nga një komunist i përbetuar, dhe nuk kishte nevojë edhe për PS-në ! Këtë Rama duket se nuk e ka kuptuar kurrë.

       Shqipëria sot ka nevojë për një parti që të mbrojë pasuritë kombëtare, naftën, linjitin, detin, ujin, kromin, bakrin, bregdetin e vendit etj etj.

        Pa dyshim që ekonomia e tregut duhet, se nuk do të kthehemi mbrapsht në epokën e urryer të komunizmit. Por ka 10 mënyra për ta vënë në jetë ekonominë e tregut. Së pari ti ua jep kromin apo bakrin për shfrytëzim oligarkëve ! Por me një kusht : Ata do marrin 10 për qind të fitimit neto dhe 90 për qind do hyjnë në arkën e shtetit. Dhe jo e kundërta, siç është vepruar deri më sot. Dhe 10 përqind e naftës, kromit, bakrit mund të thotë 1 million euro fitim neto në vit?! Kush nuk i do këto para?!

       Por Rama nuk ka bërë asgjë nga këto! Siç kam shkruajtur edhe te një artikull para pak ditësh, një kryeministër socialist, që do të ulë çmimet e ushqimeve në vend, ngre, po të dojë, një ndërmarrje import/eksporti, që blen me shumicë në tregjet më të lira të Europës gjalp, mish, grurë, miell, patate dhe dhjetra produkte të tjera. Dhe i shet këto me një fitim minimumi mbi koston. Dhe jo si tregtarët e sotëm që kanë monopolizuar tregun dhe i mbajnë çmimet në qiell që të fitojnë sa më shumë.

        Po kështu ai mund të ngrejë edhe një ndërmarrje për ndërtimin e apartamenteve me çmime të lira dhe përqindje të ulët interesi për çiftet në nevojë. Por as këtë Rama nuk e ka bërë.

       Duhet ditur mire dhe mbajtur mend se ngritja e ndërmarrjeve shtetërore në shërbim të njerëzve është konkurrenca më e mirë që mund t’i bëhet tregut privat! Publikja ka si përparësi kryesore shërbimin ndaj njerëzve, ndërsa privatja ka si synim veçse fitimin!

       Pra ka shumë për të bërë po të duash dhe po të dish ! Por Rama si ultra i djathtë që është ia ka lënë gjithçka në dorë privatëve. Prandaj le të formojë tani po të dojë partinë « Rilindja » me programin e tij liberal dhe t’i hiqet qafe Partisë Socialiste. E cila deri më sot socialiste ka vetëm emrin. As Nano, as Meta, as Rama nuk kanë ndjekur fare gjatë këtyre 36 viteve, politika sociale dhe socialiste. Por kanë qënë në garë më PD-në e Sali Berishës se kush është më e djathtë !

       Si pasojë në Shqipëri po plasin skandale pas skandalesh. Njerëz që janë bërë milionerë pa punuar një ditë! Kështu ngjan kur shet asetet e vendit. Kur emëron pranë vetes njerëz të paaftë ose hajdutë.

       Njerëzit i shohin këto gjëra se nuk janë budallenj. Dhe po krijojnë bindjen se çdo ditë që po kalon Shqipëria po bie në një lloj gropë thithëse, nga e cila është shumë e vështirë të dalësh. Sot gjithçka është privatizuar! Pothuaje asgjë nuk ka ngelur për njerëzit e thjeshtë!  Prandaj edhe këta të fundit po largohen çdo ditë e më shumë! 

        Po a nuk do të ishte më mirë që të largohej Rama tani?! Se e ka derdhur kupën ?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment