Sa gjatë mund të jetojmë?

          Një studim i sapo përfunduar ka identifikuar kufirin biologjik të jetëgjatësisë sonë dhe kjo është mosha që nuk mund të tejkalohet kurrë nga Njeriu. Kanë qënë studiuesit rusë që ata kanë përdorur simulime për të përcaktuar jetëgjatësinë maksimale që një qenie njerëzore mund të arrijë nëse do të kursehej nga sëmundjet dhe nga kanceri gjatë gjithë jetës së tij.

         Zgjatja e jetës sa më shumë që të jetë e mundur, meqë pavdekësia nuk është një perspektivë realiste, është një ide shumë e vjetër dhe po aq njerëzore. Kurat mrekullibërëse për ta arritur këtë janë të panumërta, nga guri filozofik deri te të gjitha dietat moderne të detoksifikimit (kundërhelmimit të natyrshëm të organizmit). Ndërkohë, disa qënie njerëzore kanë thyer vërtet rekorde në këtë drejtim. Kështu psh anglezja Ethel Caterham, e lindur më 21 gusht 1909, ka qenë personi më i vjetër në botë deri më 30 prilli 2025,  që është edhe data e vdekjes së brazilianes Inah Canabarro Lucas, e lindur më 8 qershor 1908.

         Rekordin për jetëgjatësi të provuar, si për burrat ashtu edhe për gratë, aktualisht e mban francezja Jeanne Calment, e cila jetoi deri në moshën 122 vjeç e 164 ditë. Për burrat, rekordin e mban japonezi Jirōemon Kimura, i cili jetoi deri në moshën 116 vjeç e 54 ditë.

         Por cili është kufiri i vërtetë i moshës që mund të presim realisht të arrijmë? Sipas një studimi të ri, ekziston me të vërtetë një kufi i matshëm. Pavarësisht se sa të shëndetshme dhe pa stres janë jetët tona, trupi i njeriut përfundimisht dekompozohet dhe prishet. Mutacionet e rastësishme të ADN-së vazhdojnë të shtohen me kalimin e moshës, derisa qelizat tona bëhen të pariparueshme për shkak të tejpërdorimit të tyre .

            Simulimet e kryera nga një ekip në Institutin e Shkencës dhe Teknologjisë Skolkovo në Rusi sugjerojnë se ky proces, (plakja e qelizave) mund të vendosë një kufi themelor të pakalueshëm në jetëgjatësinë e njeriut. Dhe pikërisht këta studiues kanë gjetur edhe se ku duhet të vendoset vija ndarëse: andej midis 150 dhe 190 viteve (sipas tyre). Kjo nuk duket edhe aq keq, duke pasur parasysh se jetëgjatësia mesatare në botë është sot rreth 71 vjet për burrat dhe 73 vjet për gratë, krahasuar me 80.5 dhe 84.4 vjet përkatësisht në vendet e zhvilluara perëndimore. Matur kjo në vitin 2025.

          Duhet të kuptohet se jetëgjatësia e mundshme nuk është një parashikim, por një model teorik, thekson drejtori i studimit, biologu kompjuterik Dmitrii Kriukov.

         Ideja që qëndron pas këtij studimi është të përcaktohet se sa kohë do t’u duhej mutacioneve somatike të ADN-së për të eleminuar një qenie njerëzore sikur të gjitha sëmundjet dhe kanceret, të shkaktuara edhe nga këto mutacione, do të zhdukeshin ose do të shëroheshin lehtësisht.

          Sa për dijeni mutacionet somatike janë shkaktari kryesor i shumicës së llojeve të kancerit. Kur një mutacion somatik dëmton gjenet që kontrollojnë rritjen dhe ndarjen e qelizave, qeliza fillon të shtohet në mënyrë të pakontrolluar, duke çuar në formimin e tumorit.

          Ndryshe jo të gjitha organet janë të barabarta përballë këtij mekanizmi. Ndërsa lëkura dhe mëlçia i ripërtërijnë vazhdimisht qelizat e tyre dhe, në teori, ato mund të vazhdojnë pafundësisht, ky nuk është rasti edhe për qelizat e zemrës dhe të trurit, të cilat janë në thelb të pazëvendësueshme dhe grumbullojnë shumë  mutacione të ADN-së.

         Megjithatë këto mutacione janë vetëm një faktor midis shumë faktorëve të tjerë që ndikojnë në plakjen e organizmit, theksohet në këtë studim. “Puna jonë përbën një hap të parë vendimtar drejt ndarjes së procesit të plakjes në komponentë mekanikë të matshëm”, – theksohet në botimin e mësipërm.  

          “Në fund të fundit, integrimi në këtë studim edhe i faktorëve të tjerë kryesorë të plakjes mund të hapë rrugën për një teori gjithëpërfshirëse mekanike të plakjes. Arritja e kësaj do të kërkonte përpjekje të koordinuara midis grupeve të shumta kërkimore. kjo do të jetë një sfidë e rëndësishme, dhe një perspektivë gjithnjë e më e arritshme edhe në afat të shkurtër.” – pohon shkencëtari rus.

          Duke imagjinuar një kufi të jetëgjatësisë prej rreth 150 vjetësh, pothuajse dyfishi i asaj që mund të shpresojmë të arrijmë ne sot, studimi nxjerr në pah se sa shumë ndikojnë edhe faktorë të tjerë në jetëgjatësinë tonë njerëzore.

        Pra nuk janë vetëm mutacionet apo sëmundjet që na shkurtojnë neve jetën, por edhe shumë faktorë të tjerë si mjedisi, higjena personale, trashëgimia etj etj.

         Por në fund të fundit duhet të shtrohet edhe pyetja: A duhet njeriu të jetojë kaq gjatë?! Të dy gjyshet e mia psh kanë jetuar deri në 86 vjeç dhe pastaj janë « shuar » qetësisht. Gjyshja nga ana e babait shpesh herë më thoshte duke u ankuar : « Njeriu nuk duhet të jetojë kaq shumë ». Dukej se jeta i ishte bërë barrë.

       Të vjetërit gjithmonë kanë thënë se duan të jetojnë sa të jenë « me këmbë dhe me dorë ». Dmth sa të jenë në gjendje t’i shërbejnë vetes pa u bërë barrë për të tjerët.

                  Ekziston edhe një legjendë e lashtë helene mbi pavdekësinë apo jetëgjatësinë e tepëruar. Se që në ato kohë, dhe jo vetëm sot, njerëzit i trajtonin këto çështje fillozofike. Një nga rrëfenjat më të famshme dhe melankolike të mitologjisë së grekëve të vjetër ka të bëjë pikërisht me legjendën e Eos-it (perëndesha e agimit, zbardhjes së ditës) dhe të dashurit të saj vdekëtar, Tithonit.

              Eos-i u dashurua aq marrëzisht pas Tithonit, i cili ishte një princ i ri dhe jashtëzakonisht i bukur nga Troja, saqë duke mos dashur që ta humbte më kurrë, ajo vrapoi te Zeusi dhe iu lut që t’i blatonte Tithonit një jetë të përjetshme. Dhe Zeusi ia plotësoi dëshirën. Por, në nxitim e sipër, Eos-i bëri një gabim fatal: harroi t’i kërkonte Zeusit edhe rininë e përjetshme për Tithonin !

            Në fillim, si dhe me çdo çift të ri, çdo gjë shkoi mrekullueshëm, por me kalimin e kohës, natyra bëri punën e saj. Tithoni filloi të plakej. Flokët iu zbardhën, lëkura iu rrudh dhe trupi iu dobësua, ndërsa perëndesha Eos mbetej gjithmonë e re, rrezatuese dhe e paprekur nga koha.

           Me vitet që kalonin, plakja e Tithonit u bë aq e rëndë sa ai nuk mund të lëvizte më as gjymtyrët. E keqja më e madhe për të ishte se ai as nuk vdiste dot, ndërkohë që trupi i tij vazhdonte të konsumohej e të mpakej dita ditës, duke u kthyer pothuajse në një qenie të tharë që ishte i zoti vetëm të nxirrte një zë të hollë e të pakuptueshëm — një lloj pëshpëritjeje e pafundme që kërkonte thjesht mëshirën e vdekjes!

           E dëshpëruar dhe e pafuqishme për ta parë në atë gjendje, Eos-i e mbylli Tithonin në një dhomë që të mos e shihte askush. Sipas variantit më të njohur të legjendës, nga mëshira ose nga pamundësia për t’i parë vuajtjet e tij, ajo me lejen e Zeusit, e shndërroi Tithonin në një karkalec, që ai të mund të vdiste më në fund (dhe sipas mitit, kjo është arsyeja pse karkalecat lëshojnë atë zërin e tyre të hollë e monoton nëpër fusha, si një kujtim i pëshpëritjes së vuajtjeve së Tithonit).

          Kjo legjendë ka mbetur në histori si një metaforë e fuqishme për faktin se jetëgjatësia pa shëndet dhe pa rini nuk është një dhuratë, por një dënim.

         Atëhere, a jeni të gëzuar nga zbulimi i shkencëtarëve rusë apo jo?! Dhe sa vjet do të doni që të rroni ?! Me siguri sa të jeni me këmbë dhe me dorë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment