Që t’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit! Që para 2 vjetësh dhe deri para 2 ditësh, shumë kohë para fillimit të protestave, jam shprehur në këtë blog për largimin e Ramës. Shkrimet e atëhershme kundër mënyrës se si po qeveriste Rama i gjeni më poshtë po në këtë blog. Mjafton t’i kërkoni.
Megjithatë për hir të së vërtetës duhet pohuar se nuk është Rama ai që po e zbraz vendin. Shumë nga protestuesit që marrin fjalën në bulevardin e madh ankohen se i dëboi Rama nga vendi! Po si kështu ?! Si i dëboi Rama ?! Se unë e di se deri 50 000 veta, kryesisht indianë dhe filipinas, kanë ardhur në Shqipëri dhe po punojnë !
Pra jemi kthyer te e anasjellta e vitit 1991, kur ambaasdori italian deklaronte te Radio Televizioni i vetëm i asaj kohe (RTSH) se italianët ka disa punë që nuk dinë t’i bëjnë apo nuk duan t’i bëjnë ! Dhe sipas tij ishin shqiptarët që mund t’i bënin ato punë !
Ndërsa sot mund të thuhet se ka disa punë që vërtet shqiptarët nuk duan t’i bëjnë. Ose për shkak të rrogës ose se « u bie hunda » ! Dhe po vinë të huajt nga Azia për t’i bërë.
Atëhere si i dëboi Rama këta nga vendi ?! Se nuk i bëri drejtorë dhe drejtoresha?! Jo do të thotë ndonjëri. Nuk është fjala për drejtorë dhe drejtoresha, por për punë të zakonshme si dikur.
Në fakt ishte një kohë që shqiptarët, megjithëse e kishin kaluar 3 milionin e banorëve, (jo si sot kur kaposhi është katandisur në një thelë), punonin të gjithë në vend. Me rroga të vogla, por gjithsesi me ato mbanin familjen!
Pastaj erdhi demokracia dhe mbi 400 fabrika, uzina, kombinate, ndërmarrje etj etj u rrafshuan. Se do vinin të huajt t’i bënin si duhet për ne ! Teoria e çekut të bardhë !
Si pasojë u ngritën firmat piramidale. Njerëzve u ishte mbushur mendja top se pas tyre qëndronte qeveria e Partisë Demokratike. Kjo bindje u bë gur atëhere kur Berisha deklaroi se « paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë » !
« Meqë u mbyllën uzinat dhe fabrikat qeveria ka gjetur këtë mënyrë ta mbajë popullin me bukë », – thonin atëhere serbes – serbes shumë « analistë » ! Dhe dihet se si përfundoi ajo punë. Me vitin e mbrapshtë 1997 !
Më pas, shqiptarët u dhanë pas kultivimit të drogës, aq sa në një fshat andej poshtë Gjirokastrës na u krijua edhe « Republika e pavarur e Lazaratit » !
Si pasojë shqiptarët ikën nga sytë këmbët. Jo vetëm që qëndrat e punës u mbyllën të gjitha, por në vend lindi edhe mafia, që filloi të merrej edhe me « eksportin « e vajzave, bordelleve dhe trotuareve të Europës !
Jeta u bë e pasigurt në çdo drejtim. Dhe që nga ajo kohë dhe deri më sot ikja vazhdon pa ndërprerje. Ndryshe Rama e vetmja gjë e hajrit që bëri ishte hapja dhe forcimi i turizmit. Shqipëria hyri kështu këto vitet e fundit në hartat dhe agjendat e shoqërive turistike më me emër në Europë.
Ai mund të akuzohet me të drejtë se nuk ka ngritur asnjë fabrikë në vend. Gjithçka për zhvillimin e vendit ia ka lënë në dorë sektorit privat!
Por në këto kushte të thuash që na ka dëbuar Rama është poshtërsi dhe mashtrim. Rama nuk ka dëbuar njeri. Njerëzit janë vetëlarguar për një jetë më të mirë në Perëndimin e begatë. Se Shqipëria u dashka shekuj që të bëhet. Kaq e thjeshtë është.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment