Si mund t’i hiqen Shqipërisë nga zverku Rama dhe Berisha?! 

       Sot kryeministri i vendit u hodhi përsëri dorashkën e dyluftimit protestuesve. “Korbat dhe sorrat le të vinë poshtë penxheres sime, duke më kërkuar dorëheqjen, po deshën deri më 2029” – kumtoi ai me zëmërim dhe kokëfortësi.

       Interesant është se edhe ish-kryeministri Sali Berisha, kur vrau 4 protestues më 21 janar të 2011 në po atë bulevard, u shpreh se ata  (protestuesit) guxuan dhe iu afruan dritares së zyrës së tij! Veçse në dallim nga kryeministri i tashëm ai përdori fjalën shqipe “dritare” në vend të fjalës turke “penxhere”!

     Njëri vrau për të mbajtur pushtetin, tjetri deklaron se nuk do të largohet deri më 2029, kur i mbaron edhe manadati i 4-t! Dmth pa mbushur 16 vjet në qeverisje?

      Po si spjegohet kjo dëshirë e këtyre të dyve për të ndenjur deri sekondën e fundit në pushtet?! Si spjegohet që ata nuk e njohin fare institucionin e dorëheqjes?!

     Në memorien dhe kujtesën time unë deri tani kam njohur vetëm një person që ka dhënë dorëheqjen totalisht nga posti dhe është larguar përfundimisht nga politika. Ky ka qënë Fatos Nano, i akuzuar për 1 000 të pabëra, gjysma e të cilave ishin megjithatë të vërteta.

      Sidoqoftë ai u largua pa u kthyer kurrë më. Ndërsa këta të dy të sotmit,  Rama dhe Berisha kanë që në vitin 1991 para kamerave, kur edhe dolën në skenë së bashku, dhe nuk dëshirojnë të largohen as sot pas 35 vitesh?!

       Shqiptarë të vërtetë. Të lidhur me pushtetin si mishi me kockën! Edhe Zogu, edhe Enveri nuk e vinin po ashtu në pikëpyetje largimin e tyre. Zogun e larguan italianët, Enverin – Zoti ! Ramiz Alia ishte pak më ndryshe : Ai u vetëlargua kur pa se të gjitha shtigjet ishin të zëna.

        «  Malokun kur hypën në kalë, e zbret vetëm pushka », pat deklaruar në fillimet e demokracisë, kryetari i parë i partisë ekologjike, Namik Hoti. Kjo dihej për Berishën. Por nuk parashikohej edhe për Ramën, i cili kur mori pushtetin më 2013-tën, pohoi se do largohej nga pushteti para se shqiptarët të mërziteshin me të !

      Po realiteti po tregon të kundërtën.  Ai duket se po ia ndjen kaq shumë lezetin pushtetit, saqë edhe mbi 13 vjetët në krye të tij deri më sot, nuk I mjaftojnë madje kanë filluar t’i duken shumë pak!

       Dhe nuk janë vetëm protestuesit në bulevard që kërkojnë dorëheqjen e tij. As edhe militantët e Berishës. Por është edhe një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare. Mjafton të ndjekësh emisionet televizive për tu bindur për këtë. Emrat e intelektualëve dhe artistëve të njohur që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit janë sot të shumtë. Dhe po shtohen dita – ditës.

         Në fund të fundit Rama nuk është ndonjë gjeni i pazëvëndësueshëm. Si ai mund të ketë me mijëra. Madje që mund të jenë edhe shumë më patriotë se ai. Që të kenë mbaruar jo shkolla cirku apo vizatimi, por ato për inxhinjeri; arkitekturë etj etj.

          Largimi i Ramës nuk do të jetë ndonjë tragjedi për vendin. Përkundrazi. Ai e mbushi dhe e derdhi kupën që me rastin Ahmetaj. Kur zëvëndësi që ai e kishte zgjedhur me dorën e tij, dhe nuk dihet se për çfarë arsye, (!) i doli hajdut dhe i korrptuar deri në palcë dhe prandaj edhe iku dhe u largua si azilant jashtë vendit, për t’i shpëtuar dënimit. E vazhdoi pastaj të njëjtin avaz me zëvëndësen tjetër të tij, Belinda Ballukun ! Ku i « psonis » ai këta persona ?!

          Për më shumë ai e ka gati gjysmën e qeverisë nën hetim dhe nuk pranon që nuk pranon të japë dorëheqjen. Të tjerë, kryeministra dhe ministra në Perëndim, e kanë dhënë dorëheqjen për një kafe të paguar me lekët e shtetit ose për një udhëtim familjar me avionin qeveritar ! Ndërsa ky, jo vetëm që nuk i shkon ndermend dorëheqja, por shihet se po hap transhe për të filluar luftën !

        Është e vërtetë se ai i fitoi zgjedhjet me triumf para një viti e gjysëm. Por atëhere nuk kishte plasur ende skandali i Zvërnecit dhe Sazanit. Ku u pa sesi Rama po ia shet pasuritë e vendit miliarderëve të huaj dhe oligarkëve vendas !

       Tani opinioni është kthyer. Njerëzit nuk e shohin më Ramën si shpëtimtar apo si të keqen më të vogël. Berisha që nga ana e tij rri prej 35 vitesh i mbërthyer pas karriges së kryetari të Partisë Demokratike, nuk i tremb më shqiptarët si më parë. Ai ka vajtur tashmë 82 vjeç !  Dhe koha duket se i ka fashitur disi edhe krimet dhe shkatërrimet e tij të papara.

         Njerëzit sot në bulevard po kërkojnë një Shqipëri të re, pa këta 2 dinozaurë të tranzicionit. Dhe një politikë të re ekonomike. Që ti shërbejë gjithë popullit dhe jo vetëm një grushti oligarkësh !

       Prandaj në bulevard vazhdon ende thirrja : « Rama në burg, Berisha në burg”! Se që të dy janë fajtorë si për shkatërrimin e vendit (Berisha) por edhe për shitjen e pasurive të tij të nëntokës dhe mbitokës: (Berisha-Rama)!

        Dhe atëhere le të kthehemi te pyetja e fillimit: Si mund të hiqen qafe këto 2 gozilla? Në çfarë mënyre?! Ka vetëm një rrugë: dhe kjo është vazhdimi i mobilizimit të njerëzve në bulevard.

       Ndryshe edhe drejtuesit e manifestimeve gabuan rëndë kur filluan të nxisin format e dhunshme të protestës. Gabuan po aq rëndë edhe kur propozuan kuvende dhe qeveri imagjinare alla Pilinxhi me të zgjedhur nga letra me vrimë!

        Po e përsëris: Ka vetëm një mënyrë për largimin e Ramës dhe Berishës. Kjo është protesta masive në bulevard. Vetëm me një kërkesë:” Largimin e dyshes diabolike dhe makabre”. Dhe asnjë kërkesë tjetër.

        Duke i shtrirë dhe përhapur pretendimet e tyre në fusha ku ata nuk kanë asnjë kompetencë apo fuqi, protesta veçse humbet vrullin dhe entuziazmin e fillimit. “Rama në burg, Berisha në burg” – kjo duhet të jetë edhe e vetmja parullë që duhet të hidhet nga protestuesit. Asnjë tjetër. Dhe duhen ndaluar fjalimet e kujtdo në tribunë.

         Pra duhet të dalë dikush, një emër me reputacion, që të kërkojë veçse dhe vetëm e vetëm largimin e këtyre të dyve nga politika. Kaq.

         Po ku është ky njeri?! Nuk dihet. Ndofta do ta nxjerrë koha. Dhe kur të mblidhen 1 milionë veta në shesh, atëhere Rama do ikë me vrap. Kjo është zgjidhja! E vetmja.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment