Lajmi se një shtetase kanadeze me origjinë kineze, stazhiere në SHAPE (Selia Strategjike e Fuqive Aleate të NATO-s për Evropën, e vendosur në Mons të Belgjikës), u arrestua të premten, mori dhenë. Dhe me këtë rast shtypi i huaj i hapi edhe “petët lakrorit”. U mësua se ky nuk ishte rasti i vetëm, madje as ana e fshehur e ajsbergut, por një thërrime në konselationin e spiunëve kinezë në Perëndim.
Një spiune kanadeze me origjinë kineze që kontrollon dosjet sekrete në bazën e NATO-s në Mons. Një Airbnb francez ku një antenë satelitore dy metra shfaqet papritur në kopsht. Dhe një kolonel i ushtrisë greke që i kalon informacione sekrete ushtarake Pekinit – këto janë vetëm disa nga rastet më të fundit të spiunëve kinezë në Europë.
Dhe raportet rreth spiunëve kinezë në Evropë po shumohen dita ditës. Prandaj edhe shërbimet perëndimore të kundërzbulimit janë vënë në alarm. Sipas tyre Pekini po zhvillon një luftë në hije me Europën Perëndimore.
Siç thamë të premten, policia belge arrestoi një grua kanadeze me origjinë kineze dhe kontrolloi të gjithë shtëpinë e saj. Ajo u kap duke hyrë në skedarë kompjuterikë për të cilët nuk ishte e autorizuar. Vendimi i prokurorit federal belg ishte i qartë: arrestim për spiunazh në emër të një “fuqie të huaj” dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Në dy vitet e fundit, të paktën 30 persona janë arrestuar në Belgjikë, Itali, Greqi, Poloni dhe Gjermani, të gjithë të dyshuar për spiunazh për Kinën. Këta shpesh janë shtetas kinezë apo me origjinë kineze por edhe evropianë që po tradhtojnë vendet e tyre.
Për t’i bindur këta individë të veprojnë në këtë mënyrë, Kina shpesh e ndërmerr kontaktin e parë fillestar nëpërmjet rrjetit social LinkedIn. Ja dhe rasti i kolonelit grek Kristos Flessas, komandanti i një batalioni trajnimi për luftë elektronike brenda forcave ajrore greke. Ai u kontaktua nëpërmjet një kërkese bashkëpunimi në dukje të padëmshme në LinkedIn. Kjo çoi në biseda të gjata me një oficer të inteligjencës kineze që hiqej si konsulent.
Dhe pas një “udhëtimi pune” falas, i organizuar me shumë kujdes në Kinë, Flessas ndërroi anë. Kinezët i siguruan atij një pajisje të posaçme të pajisur me softuer të aftë për të fotografuar dokumente të klasifikuara mbi armët me teknologji të lartë.
Për çdo dhënie informacioni konfidencial, koloneli paguhej në kriptomonedha. Pagesat arrinin deri në 15,000 eurove. Vetëm kur autoritetet greke, falë informacionit të vlefshëm të ofruar nga CIA, arritën të hakonin telefonin sekret të Flessas në fillim të këtij viti, ai u rrëfye. Kjo ishte hera e parë që një oficer i lartë ushtarak evropian ka pranuar se është rekrutuar nga Kina. Por ky nuk është i vetmi shembull i hapur i spiunazhit kinez të zbuluar këtë vit..
Në Francën jugperëndimore, pranë Bordosë psh, dy spiunë kinezë vepruan madje me shumë guxim. Banorët e një lagjeje të qetë në një qytet të vogël u habitën shumë kur panë qiramarrësit kinezë të një shtëpie Airbnb duke instaluar një antenë satelitore gjigante në çatinë e një ndërtese ndihmëse. Diametri i saj nuk ishte më pak se dy metra.
Pothuajse menjëherë pasi u instalua antena, rrjeti i internetit ndaloi së punuari në të gjithë lagjen. Gjatë një bastisjeje, policia zbuloi një stacion spiunazhi i pajisur më së miri dhe me një teknologji të lartë. Synimi i kinezëve ishte kapja e komunikimeve nga një bazë ushtarake franceze aty pranë që t’i dërgonte ato në Pekin. Katër persona u arrestuan me dyshimin për spiunazh.
Vitin e kaluar, po ashtu, një shtetase kineze u arrestua pranë Tuluzës. Edhe ajo kishte instaluar një antenë, në rastin e saj shtatë metra të lartë, në qytetin Boulogne-sur-Gesse. Dyshohet se ajo u përpoq të përgjonte komunikimet nga satelitët e prodhuar nga Airbus Group dhe Thales Alenia Space. Të dyja këto kompani franceze kanë selinë qendrore në Tuluzë.
Në Gjermani në fillim të këtij viti, një çift u arrestua ndërsa përpiqeshin të rekrutonin spiunë në dobi të Pekinit. Ata u paraqitën si përfaqësues të prodhuesve kinezë të makinave dhe i joshën profesorët me pagesa bujare për të marrë pjesë në konferenca të organizuara në Kinë.
Pasi mbërritën atje, doli që këto konferenca nuk ishin të destinuara për studentë apo qytetarë të zakonshëm, siç u tha në fillim, por për ekspertë nga fabrikat e armëve ushtarake të kontrolluara nga shteti.
Të gjitha këto shembuj po i shtyjnë shërbimet e inteligjencës perëndimore të paralajmërojnë hapur gjithnjë e më fort ndaj rrezikut të spiunazhit kinez. Prandaj kohët e fundit, shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re (“Pesë Sytë”) lëshuan së bashku një njoftim për shtyp ku shpjegonin se si vepron Kina në raste të tilla.
Sipas grupit të inteligjencës “Five Eyes”, spiunët kinezë më shpesh paraqiten si rekrutues të profesorëve të njohur, profesionistë të burimeve njerëzore, anëtarë të grupeve të ekspertëve ose konsulentë në faqe si LinkedIn dhe Indeed. Ata postojnë oferta të rreme pune dhe i joshin viktimat e tyre nën maskën e intervistave të punës.
Shpesh, kjo çon në ftesa për udhëtime falas për të marrë pjesë në konferenca apo simpoziume të paguara mirë në borde këshillimore. Objektivat e tyre kryesore janë analistët ushtarakë dhe diplomatët me qasje në informacionin e politikës së jashtme, por edhe akademikët dhe studiuesit në fushat e inteligjencës artificiale, hapësirës ajrore dhe shkencës kompjuterike, janë gjithashtu shumë të kërkuar.
Kina po përpiqet njëkohësisht të fitojë edhe mbështetjen e individëve me peshë brenda qarqeve politike evropiane. Në Bruksel psh policia ka kryer 21 bastisje vitin e kaluar në shtëpitë e punonjësve të gjigantit të teknologjisë Huawei, si pjesë e një rasti korrupsioni ku përfshiheshin politikanë evropianë dhe stafi i tyre nën maskën e lobimit komercial. Ata, punonjësit e firmës kinez Huawei, dyshohet se ofruan darka luksoze, bileta VIP për ndeshje futbolli dhe telefona inteligjentë falas në këmbim të qëndrimeve pro Kinës të këtyre individëve.
“Ne e nënvlerësojmë shumë energjinë dhe agresivitetin me të cilin Kina kryen operacionet e saj zbulimore”, deklaroi para do kohësh politikani gjerman Konstantin von Notz në mediat britanike. Si anëtar i organit përgjegjës për mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës gjermane, ai beson se Evropa duhet të dyfishojë përpjekjet e saj. Ai ka marrë në këtë drejtim edhe një mbështetje të dukshme nga eurodeputeti Engin Eroglu.
“Vlerësohet se Kina punëson midis 100,000 dhe 800,000 spiunë”, i tha eurodeputeti shtypit spanjoll. “Kjo është shumë më tepër sesa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara së bashku.”
Ndryshe Kina i mohon sistematikisht të gjitha akuzat për spiunazh dhe i quan ato “shpifje” nga shërbimet e inteligjencës perëndimore. Por me më shumë se 30 arrestime në Evropë dhe Belgjikë në vetëm dy vjet, lufta në hije me Pekinin duket se është tani në kulmin e saj.
Por edhe shërbimet britanike të kundërzbulimit duket se i kanë hapur sytë dhe veshët këto kohët e fundit. Sipas tyre shërbimet kineze të spiunazhit po përpiqen të rekrutojnë nëpunës civilë britanikë dhe personel ushtarak përmes njoftimeve të rreme për punë në LinkedIn dhe platforma të tjera profesionale. Ky pohim zyrtar vjen disa muaj pasi Belgjika raportoi aktivitete të mundshme spiunazhi kinez në territorin e saj në mars.
Sipas një raporti të shërbimeve britanike të inteligjencës, spiunët kinezë po përdorin një “strategji agresive rekrutimi online” për t’u afruar me individëqë kanë qasje në informacione të ndjeshme. Punonjësit në sektorët e mbrojtjes, punëve të jashtme, shërbimeve të inteligjencës dhe ushtrisë thuhet se janë vënë në shënjestrën e tyre si dhe gazetarët dhe stafi i organizatave “think tank” që janë gjithashtu midis atyre që konsiderohen si me vlerë.
Sipas shërbimeve perëndimore të sigurisë, agjentët kinezë paraqiten rregullisht në internet si rekrutues që punojnë për kompani në dukje legjitime, firma konsulence ose grupe ekspertësh. Ata postojnë njoftime të rreme pune për pozicione analistësh të mbrojtjes ose të çështjeve të jashtme në faqe si LinkedIn, Indeed ose Upwork.
Pas një shkëmbimi fillestar, agjentët analizojnë CV-të e kandidatëve për të identifikuar individë me qasje në informacione ose kontakte të dobishme sidomos atyre brenda diplomatëve ose ushtrisë. Intervistat për punë zakonisht zhvillohen në internet, ndërsa identitetet e vërteta të rekrutuesve mbeten sekrete.
Fillimisht, kandidatëve u besohen detyra të padëmshme. Por më pas thuhet se atyre u kërkohet të transmetojnë informacion konfidencial. Sipas raportit, ata që rekrutohen marrin disa qindra, apo edhe disa mijëra dollarë për dosje. Sa më i ndjeshëm të jetë informacioni, aq më e lartë është pagesa.
Shërbimet e sigurisë me këtë rast po i kujtojnë publikut vendas se kushdo që ndan në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale do të ndiqet penalisht për spiunazh.
Nga ana e tij, Pekini, siç pritej i ka hedhur poshtë këto akuza. Të enjten, një zëdhënës i ambasadës kineze në Londër i quajti akuzat “plotësisht të sajuara” dhe i denoncoi ato si keqdashëse”.
Dihet tashmë se spiunët kinezë janë të interesuar të sigurojnë informacione konfidenciale, veçanërisht në lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, përmes profileve të tyre të rreme në LinkedIn.
Ministrja belge e Drejtësisë Annelies Verlinden (CD&V) konfirmoi pak kohë më parë se “falë një sistemi të zgjuar të pëpunuar gjatë disa viteve, zyrtarë të ndryshëm, akademikë dhe figura të tjera me ndikim në mbarë botën janë kontaktuar nga ajo që rezulton të jetë një agjenci e zbulimit kinez”.
Shërbimet kineze të spiunazhit po përpiqen të mbledhin sasi të mëdha informacionesh konfidenciale sidomos në Belgjikë, kryesisht informacione nga NATO dhe BE, përmes profileve të rreme në LinkedIn, raportuan këtë të martë edhe të përditshmet belge De Tijd dhe L’Echo.
Gazetarët e tyre zbuluan se një i ashtuquajtur Kevin Zhang, menaxher i një projekti në Oriental Consulting në Hong Kong, një profil i fshirë së fundmi, shërbente si mbulesë për Ministrinë Kineze të Sigurisë Shtetërore (MSS), shërbimi më i madh i zbulimit në vend.
Përmes këtij personi, agjentët kinezë u përpoqën të kontaktonin zyrtarë, akademikë dhe figura të tjera me ndikim në çështje strategjike në Belgjikë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Itali etj.
Ata që e hëngrën karremin u ftuan, kundrejt një pagese, të shkruanin dhe transmetonin raporte, për shembull mbi kufizimet e planifikuara të BE-së mbi investimet kineze në lëndët e para kritike ose mbi strategjinë e NATO-s në lidhje me Tajvanin. Këta individë u detyruan më pas të jepnin edhe informacione nga takimet me dyer të mbyllura ose nga brenda administratës së BE-së.
« Belgjika mbetet, pas Uashingtonit, qendra më e rëndësishme diplomatike në botë. Aktivitetet e spiunazhit janë të shumta këtu. Prandaj, mesazhi është i qartë: ne duhet të mbetemi vigjilentë”, deklaroi me këtë rast edhe ministri i mbrojtjes së Belgjikës, Theo Francken.
Megjithatë duhet pohuar se shërbimet e kundërzbulimit perëndimor janë zgjuar disi me vonesë. Kina që prej 50 e më shumë vitesh ka ngritur një sistem spiunazhi industrial, me qëllim vjedhjen e teknologjive perëndimore. Që në kohën e Mao Ce Dunit kinezët kopjonin gjithçka mundnin.
Ne shqiptarët që e kemi jetuar kohën e « miqësisë së pathyeshme shqiptaro kineze » na kujtohen mirë kamionat e tyre « Zis » që ngjanin si dy pika uji me kamionat sovjetikë.
Që në atë kohë pohohej se kinezët dërgonin në universitetet perëndimore « studentë » të cilët e kishin mbaruar prej kohësh fakultetin e inxhinjerisë në Pekin, me të vetmin synim që të vidhnin teknologjitë perëndimore.
Deri sa erdhi koha e globalizmit kur fabrikat dhe uzinat perëndimore u shpërngulën pothuajse të tëra, me gjithë teknologjinë e tyre, nga Perëndimi në Kinë. Prandaj tani vendin e spiunazhit industrial e ka zëvëndësuar ai me karakter ushtarak dhe teknologjik. Jo më kot veçse disa javë pas daljes në skenë të Chat GPT-së, kinezët zbuluan algoritmin e tyre të I.A.-së i quajtur « Deep Seek » !
Kina sot përbën një rrezik të madh për Perëndimin. Aq sa ajo tani pretendon që së shpejti të kthehet në fuqinë e parë ushtarake, ekonomike, shkencore dhe teknologjike në botë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment