Si mund të ulen çmimet ?

    Njerëzit në Shqipëri kanë filluar çdo ditë e më shpesh të ankohen, me të drejtë, për një rritje të padurueshme çmimesh në vend. Dhe kjo është krejtësisht e vërtetë. Dje bëra një « psonisje » apo shoping, si ta doni, në një supermarket të njohur të Brukselit. Aty ku blej në shumicën e rasteve.

      Dhe bleva 4 litra qumësht të pa skremuar me 0.89 euro/litri. Bleva po ashtu treçerek litri vaj ulliri grek me 8 euro. 12 vezë pulash të rritura në natyrë me 4 euro. Një litër vaj luledielli me 1.89 euro, 1 kilogram sheqer me 0,69 euro etj etj. Këto janë afërsisht çmimet bazë në Belgjikë. Kur dihet se rrogat mesatare këtu rrotullohen rreth 1 500 eurove në muaj.

      Pyetja e parë që të vjen ndermend është : si spjegohen këto çmime të larta në Shqipëri që ua kalojnë edhe atyre në Spanjë apo Itali, dy vende këto të pasura dhe me nivel jetese.

     Përgjigjet janë të qarta. Dhe ato janë dy ! E para: Pasi në Shqipëri ka një hyrje të fortë të monedhave të huaja. Sidomos të euros. Kjo bën që tregu të ketë kërkesë të lartë. Dhe kërkesa rrit çmimet. Prandaj edhe leku vlerësohet çdo ditë e më shumë ndaj monedhave të huaja. Dhe e dyta është edhe makutëria e disa oligarkëve që kanë vendosur çmime monopol në vend, larg çdo lloj konkurrence. Dhe dihet se kush i konkurron ata e pëson keq. Çmimet duhet të mbesin ato që ata kanë caktuar.

      Kam qënë dëshmitar vetë, që në fillimet e ekonomisë së tregut, gjatë vitit 1992,  në imponimin me dhunë të çmimeve monopol, dmth të çmimeve që vendosen nga më i forti. Ishte një grua që po shiste në tregun përballë Shkollës së Bashkuar mollë cilësore nga kopështi i saj dhe me çmim të arsyeshëm. Papritur asaj iu afrua një burrë rreth të 50-tave. “Do ta rritësh çmimin e mollëve ti apo si e ke hallin ?!” –  iu drejtua ai me kërcënim gruas plakë. “Se çunat këtu janë”, _ shtoi më pas tregtari, që për vete i kishte blerë mollët që po i shiste në treg në Maqedoni!

       Dhe kështu ngjan edhe sot në Shqipëri. Çmimet e larta vendosen nga tregtarët oligarkë të shumicës që nuk lejojnë konkurrencë.

       Por shteti këtu ka një rol të madh. Dhe nëse tregtari i vogël nuk ngre dot kokë ndaj një oligarku të fuqishëm, një shtet si duhet ia thyen kokën oligarkut dhe e detyron atë ose të ulë çmimet ose të falimentojë. Pa përdorur asnjë lloj dhune dhe force.

        Por Edi Rama është krejt i paaftë. Për më shumë atij as që I shkon ndermend  t’ua prishë punët oligarkëve gangsterë. Ai betohet vetëm te privati dhe te privatja. Si një liberal ultra i djathtë ai as nuk do ta dëgjojë fjalën shtet, ose ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Prandaj edhe pasuritë publike, deri edhe trojet e vendit po ua jep me qera ose po ua shet miliarderëve të huaj apo oligarkëve vendas.

       Se siç thashë më lart, vetëm ndërhyrja e shtetit mund të ulë çmimet në Shqipëri. Po si ?! Është shumë e thjeshtë nëse do. Mjafton të krijosh një ndërmarrje shtetërore të import/eksportit me shumicë dhe vetëfinancim, ose si i thonim dikur me llogari më vete.

      Kjo ndërmarrje mund të importojë në sasi të mëdha nga tregu i huaj mish, qumësht pluhur, kafe, miell dhe dhjetëra produkte të tjera. Që i shet në Shqipëri me vetëm 10 për qind fitim mbi koston e përgjithshme. Dhe jo me 50 apo 100 përqind fitim siç veprojnë oligarkët !

      Dhe duhet ditur dhe mbajtur mend që e vetmja konkurrencë e mundshme në tregun e lirë nuk është ajo ndërmjet ndërmarrjeve private, por ajo ndërmjet një ndërmarrjeje shtetërore dhe një ndërmarrjeje private. E para qoftë spital, qoftë ndërmarrje tregtare ka si synim të parë shërbimin ndaj njerëzve, ndërsa privati ka si synim të parë fitim e tij personal !

     Pra raporti mbështetet te qëllimi : shërbim apo fitim ?! Se praktika anë e kënd botës ka treguar se privatët merren vesh me njëri tjetrin për t’i mbajtur çmimet e larta. Se ata nuk janë aq budallenj sa të rrezikojnë falimentimin në rast të një konkurrence ndërvete !

     Po kështu mund të veprojë shteti edhe për lehtësimin e strehimit të çifteve të reja. Përveç krijimit të një ndërmarrjeje shtetërore të ndërtimit, ai mund tu propozojë edhe ndërtuesve të vegjël blerjen e apartamenteve të ndërtuara nga ata me një fitim të garantuar 10 përqind mbi koston. Duke eloogaritur koston me metër katror. E njëjta praktikë edhe me prodhuesit e vegjël të grurit, qumështit etj etj.

     Në këtë mënyrë ai u « pret duart » oligarkëve të mëdhenj që kanë pushtuar tregun ngado. Roli i shtetit është vendimtar në ekonomi. Në rast se do tua lehtësojë jetën njerëzve dhe të ngrejë nivelin e jetesës.

      Ndryshe praktika e komunizmit në ekonomi këtu nuk vlen. Se në regjimin komunist nuk kishte as llogari, as kosto. Njerëzit bënin sikur punonin, ndërsa qeveria bënte sikur paguante. Çmimet ishin aforfe.

     Një ekonomi si duhet mbështetet domosdoshmërisht te rregullat e ekonomisë së tregut. Se ndryshe ngjan si në Shqipëri dikur, ku pothuajse mungonte çdo gjë.

    Që do të thotë që çdo individ apo ndërmarrje duhet të ketë të drejtën të fitojë. Problemi është se sa ? 10 për qind mbi koston apo 100 për qind ?! Dhe këtu ndërhyn shteti që e « normalizon » tregun. Dhe nuk lejon që çmimet në një vend të varfër si Shqipëria t’ua kalojnë ndonjëherë edhe atyre të vendeve të pasura të Bashkimit Europian !

    Por për këtë duhet një qeveri e përkushtuar ndaj halleve të popullit me në krye një kryeministër të aftë. Shqipëria nuk ka as njërën dhe as tjetrën. Prandaj edhe punët shkojnë rrokupujë.

    Rama është krejtësisht i paaftë dhe sikur të mos mjaftonte kjo edhe tërësisht liberal. Ai nuk e duron dot rolin e shtetit në ekonomi. Ndryshe ai duhej të ishte larguar vetë që para 2 vjetësh kur i plasi në dorë skandali Ahmetaj me kompani. Por ai nuk u largua as atëhere dhe as pas skandalit Balluku dhe as sot kur turma në boulevard i kërkon dorëheqjen si një tradhtar që bën pazar me pasuritë kombëtare.

      Për të gjitha këto arsye çmimet në Shqipëri janë kaq të larta.

     Nga Viron Gjymshana

Lini një koment