Fundi po i vjen Shqipërisë!

    U erdhi fundi : është një nga parullat e brohoritura nga manifestuesit, që prej 55 ditësh po protestojnë pa ndërprerje në bulevardin e madh të Tiranës.

     A thua që është e vërtetë se Ramës dhe Salës po u vjen me gjithë mend fundi?! Shumë e vështirë të besohet. Aq më shumë që gjithë presioni është drejtuar sot, dhe me të drejtë, kundër kryetarit të qeverisë.

     Ndërkohë që vihet re se sa më shumë që pakësohen në numër, aq më agresive bëhet edhe protesta. Disa po duan madje ta përshkallëzojnë atë në maksimum. Deri në përleshje me policinë. Dmth me shtetin !

     Sali Berisha, i cili në fillimet e mitingjeve akuzohej njëlloj si Rama, sot po ndihet më i qetë. Batalionet e tij duket se e kanë marrë peng protestën. Sepse ndërsa uluritet « Rama në burg », jo e njëjta forcë vërehet kur kërkohet që edhe Berisha të përfundojë në burg !

      Vërehet qartë se protesta ka devijuar dhe i është shmangur dhe larguar qëllimeve që pati në fillim. Ajo sot duket se po manipulohet dhe po përdoret për qëllime të mbrapshta. Që të ikë Rama dhe të kthehet Berisha, kjo do të jetë një katastrofë e paimagjinueshme për vendin.

      Po si i bëhet atëhere ?! Në protestat e vitit 1990 që sollën edhe fundin e regjimit komunist, në krye dolën intelektualët më të shquar të vendit. Vetë Ramiz Alia lëkundej ndërmjet demokracisë dhe enverizmit. Politika e tij ishte që edhe mishi të piqej dhe helli të mos digjej. Dhe qëllimi kryesor: të kalohej në sistemin demokratik urtë e butë dhe pa vrasje dhe përmbysje.

         Ideja e tij kryesore ishte që Partia e Punës të zëvendësohej nga një parti e majtë social-demokrate. Dhe për këtë çelësat ia besoi Berishës. Gabim fatal. Ndofta hapi i tij i parë i gabuar. Se Berisha u tregua po aq i pabesë sa edhe Bruti me Çezarin. Ai kaloi në ekstremin e kapitalizmit më të egër. Dogji dhe shkatërroi gjithë vendin përgjatë viteve 1992 – 1996. As një uzinë, ndërmarrje apo kombinat nuk funksiononte më. “Çeku i bardhë” bëri namin.Do të vinin të huajt t’ bënin gjërat si duhet për ne!   Dhe më pas i vuri edhe kapakun (e qivurit) Shqipërisë  në vitin 1997 me firmat piramidale!

        Dhe po e përsëris pyetjen: Si i bëhet atëhere ?! Cila mund të jetë rrugëdalja?! As dorëheqja e Ramës nuk bën punë. Për dy arsye. Se protestuesit dhe Berisha nuk do ndalen me kaq. Ata do kërkojnë qeveri teknike apo kujdestare dhe zgjedhje të reja.

        Atë që nuk e ka arritur kurrë me zgjedhje, Berisha përpiqet ta arrijë në tavolinë. Dhe për këtë po i lëviz të gjitha gurët. Arsyeja e dytë është se ndërsa Rama një ditë mund të japë dorëheqjen, kush mund ta zëvëndësojë? Balla, Manja, Çuçi dhe kompani?! Që të vazhdojnë politikën e Ramës me emër tjetër?!  As kjo nuk është zgjidhje.

       Në rast se Rama do të detyrohet të largohet, zëvëndësuesi i tij doemos duhet të jeta një antiRamë, po aq sa edhe një antiBerishë. Po ku është fshehur ky shpëtimtar?! Mos është vallë ai nga Kukësi me qeleshe?!

       Pa dyshim se Rama duhet të largohet. Dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Partia Socialiste. Se ka hyrë brenda saj si diversant dhe e ka degjeneruar atë. Ajo nuk është më një parti e majtë popullore, por parti e oligarkëve. Njëlloj si PD-ja e Berishës.

        Pra siç shihet nuk duket asnjë zgjidhje në horizont. Që Rama duhet të largohet kjo as nuk duhet të vihet në diskutim. Po kush është alternativa ?! Më 1990 kishim 100 figura që mund të merrnin flamurin e alternativës demokratike. Sot nuk kemi asnjë!

         “Ju erdhi fundi, Ju erdhi fundi » – çirren protestuesit në shesh. Por fundi duket se po i vjen për herë të tretë Shqipërisë. Është ajo që po çapalitet dhe po drobitet këto kohë. Dhe ndofta edhe më shumë nesër.

       Sepse nuk mund të vazhdohet më kështu. Autoriteti i shtetit në përgjithësi dhe i qeverisë në veçanti ka pësuar një të çarë të fortë. Që do ndjehet në ekonomi, rend, drejtësi  (për këtë të fundit është më mirë të mos flasim se ajo ka marrë fund me kohë).

      Po e përsëris. Rama duhet të ikë me domosdo, Berisha nuk duhet të rikthehet kurrsesi, por askush nuk duket në horizont! Si mund t’i jepet zgjidhje këtij ekuacioni me tri të panjohura?!

       Jemi futur përsëri në një rrugë qorre. Nga e cila nuk dihet se si do dalim. Faji nuk është i protestuesve. Sidomos jo i atyre që u ngritën në fillim për shpëtimin e Sazanit dhe Zvërnecit. Për ndalimin e privatizimit dhe dhënien e pasurive kombëtare miliarderëve të huaj dhe oligarkëve vendas. Kërkesa këto sa të arsyeshme, aq edhe të nderuara.

       Por sot siç thamë protesta po devijon. Ajo po përdoret për rikthimin e Berishës. Aq sa është laguar dukshëm nga idealet e fillimit. Disa të ashtuquajtur drejtues të saj morën kot. Do të krijonin gjasme edhe një parlament dhe qeveri hije pa zgjedhje, por me short dhe me letra me vrimë!

         Siç kam shkruajtur edhe para  pak ditësh ka ardhur koha që në krye të protestës duhet të dalë dikush që ta udhëheqë. Që t’i vëjë kufirin te thana të gjithë islamistëve, PD-istëve, anarkistëve, burgaxhinjve dhe drogaxhinjve që po e zaptojnë atë. Po a mund ta nxjerrë populli shqiptar një Mesi (shpëtimtar) të tillë?! Shumë e vështirë.

      Një zgjidhje do të ishte që socialistët anë e mbanë vendit të kërkonin largimin e Ramës dhe të zgjidhnin një antiRamë si kryetar qeverie deri në vitin 2029. Por Rama e ka nën thunder Partinë Socialiste. Ndryshe ai do të duhej të ishte dëbuar që para 2 vjetësh. Pas rasteve të Ahmetaj dhe Ballukut.  Pra është një ëndër në beze largimi i tij. Rikthimi i Berishës do të ishte po ashtu tragjedi e përsëritur për vendin! Ndërkohë që Shqipëria po shkërmoqet dhe po thërrmohet çdo ditë që kalon!

      Prandaj, para kësaj katrahureje që po afron, do ishte mirë që protestuesit të mos ulurinin më “U erdhi fundi”, por “Na erdhi fundi”.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment