Kanye West dhe Odisea

    

Ja pra kryministri ynë kokoroç dhe kokëbosh na e bëri edhe një « dhuratë » tjetër. Na solli në Tiranë një repist të njohur për bëmat e tij. E kuptoni se e kam fjalën për ish burrin e Kim Kardashianit dhe burrin e tashëm të Bianka Censorit ! Dhe kur këta të fundit dalin në rrugë, gjithë bota kthejnë kokën për t’i parë. Jo se e njohin reperin e zi, (si ai ka me mijëra), por për shkak të Biankës, e cila del rrugëve pothuajse e zhveshur fare !

      Dhe ky reper erdhi edhe në Shqipëri që ta bënte Tiranën « brand » ! Sipas mëndjes së atyre që qeverisin vendin. Dhe shteti shqiptar nxorri nga xhepi, për tu « nderuar » edhe 4.2 milionë euro ! Sikur Shqipëria dhe njerëzit atje nuk kanë halle të tjera. Por duan të argëtohen si në Perëndimin e pasur.

     Dhe nuk është hera e parë që truri i kryeministrit shqiptar pjell habere të tilla ! Edhe kur ishte kryebashkiak ai solli në Tiranë grupin e famshëm gjerman « Scorpions » !  Por nuk u shpenzuan kaq shumë para si tani !

    Jo se në Shqipëri nuk duhet të vinë grupe të tilla rocku apo pop-i. Por ato, nëse vinë, duhet të paguhen nga xhepi i atyre që shkojnë t’i shohin. Qeveria nuk ka pse të paguajë miliona euro, kur ka kaq shumë vrima për të mbyllur.

     Aq më shumë kur thuhet se në shumë qytete të Shqipërisë, 36 vjet pas rënies së komunizmit,  mungon si uji i pijshëm ashtu edhe rryma elektrike ! Por kryeministri kozmopolit shqiptar e ka mëndjen në botën e jashtme! Madje java shtatë dhe ai tetë do ta gjesh patjetër në ndonjë kryeqytet të botës. Sigurisht për të ndrequr punët e Shqipërisë dhe hallet e planetit !

     Dhe ndërsa qeveria shqiptare shpenzon për repistin e huaj, të huajt vetë vinë në Shqipëri jo vetëm për natyrën e bukur, por edhe për traditat tona mijëravjeçare që sot nuk i gjen në asnjë vend tjetër të Europës.

     Një nga këta ishte edhe kompozitori suedez i filmit të saposhfaqur në kinematë e botës « Odisea ». Dhe për fat të mirë ky nuk erdhi si shumë të tjerë për tu « njohur » me Kanunin vëllavrasës dhe as për gratë/burrnesha të malcisë, por për të dëgjuar polifonitë e vjetra sa bota të këngëve labe.

    Ka qënë një kohë kur veglat muzikore, përjashto këtu fyellin e çobanit apo daullet e luftës, nuk njiheshin. Të paktën në trojet e Ilirisë. Prandaj edhe lebërit, pasardhësit e kaonëve të lashtë, kanë kënduar shpesh herë pa vegla muzikore, por vetëm me iso.

      Dhe siç pritej edhe vizita e kompozitorit suedez në Shqipëri dhe përdorimi i melodive labe në filmin « Odisea », nuk ka kaluar pa u vënë re edhe në mediat e huaja.

       Kështu psh rrjeti mediatik francez « BFM » ka botuar dje një artikull me titullin : « Odisea : – Ja sesi traditat origjinale muzikore shqiptare kanë hyrë në filmin e Nolan » ! Ja se çfarë shkruhet atje :

          Në kolonën zanore të veprës “Odisea” të Christopher Nolan, kompozitori suedez Ludwig Göransson përfshiu në mënyrë të dukshme një këngë stërgjyshore shqipe të listuar si trashëgimi botërore  si dhe një flaut nga barinjtë e këtij vendi ballkanik.

Ky film, një nga më të priturit e vitit, u përurua të shtunën, më 18 korrik, ku mori pjesë edhe artisti shqiptar i ftuar për të kontribuar në të » – vëren BFM.

       “Është një nder i madh dhe një emocion i madh të shohësh që këto tradita muzikore shqiptare më në fund janë integruar në kolonën zanore të Odisesë, e cila bashkon yjet më të mëdhenj të Hollivudit”, tha për AFP çobani interpretues i melodisë, Vendim Kapaj, i cili e pa filmin këtë të hënë, më 20 korrik, në premierën shqiptare në Tiranë.

         Vetë ky specialist i flautit shqiptar, si dhe i një flauti tradicional të dyfishtë (culë dyshare), rrëfeu takimin e tij me kompozitorin suedez të kolonës zanore Ludwig Göransson, i cili i ofroi atij një bashkëpunim pasi zbuloi interpretimet e tij në rrjetet sociale.

        “Është realizimi i një ëndrre të mund të marr pjesë, përmes muzikës, në promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare në një vepër kaq të madhe kinematografike”, pohoi bariu Vendim Kapaj.

 

         Projekti i ri faraonik i regjisorit britanik Kristofer Nolan, film me një buxhet të vlerësuar prej 250 milionë dollarësh, sapo është publikuar në kinematë e shumicës së vendeve të globit. Dhe thuhet se që tani ai i ka nxjerrë paratë e veta. Të tjerat do të shpërndahen midis prodhuesit, regjizorit, kompozitorit, aktorëve etj etj.

        Ky adaptim i poemës 3.000-vjeçare të Homerit rikthehet me epikën mitologjike të Odisesë me bindjen e një suksesi të madh, duke paraqitur me këtë rast edhe një kast mahnitës aktorësh  si Matt Damon, Anne Hathaway, Tom Holland, Zendaya etj.

        Në një intervistë të dhënë këtë javë për faqen amerikane të internetit « Vulture » Ludwig Göransson rrëfeu udhëtimin e tij në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt e flautit dhe isopolifonisë shqipe. Këto janë këngë që përbëhen nga dy pjesë, thotë ai : solo (kënga dhe kundërkënga) dhe një iso të mbajtur nga kori, një traditë e përfshirë që në vitin 2008 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, pohon media franceze.

        « Për të regjistruar barinjtë, na u desh t’i përfundonim regjistrimet para orës 6 të mbrëmjes, sepse të gjithë duhej të zgjoheshin të nesërmen në orën 4 të mëngjesit për t’u kujdesur për kopetë e tyre”, tregon  kompozitori suedez.

          Kolona zanore përfshin zërat e anëtarëve të korit lokal »Labëria », e regjistruar që në korrik 2025 në Vlorë, rrëfen Vendim Kapaj, duke përshëndetur “shikueshmërinë e jashtëzakonshme për një publik ndërkombëtar” rreth kësaj trashëgimie kombëtare.

       Deri më tani askush nuk e di nëse kompozitori suedez ka dëgjuar vallë edhe për shpellën e Ciklopit që gjendet po në Vlorë ?! Nuk është e sigurt se kjo shpellë ka qënë vendbanimi i ciklopit Polifem, të treguar aq mjeshtërisht nga Homeri, po kush e di ?!

        Sidoqoftë personalisht unë ruaj një kujtim shumë të bukur nga filmi italian « Odisea » (1968) me aktorët e famshës Bekim Fehmiu dhe Irena Papas. I shfaqur ky edhe në kinematë e Tiranës para viteve 1980. Bekhim Fehmiu ishte bir i Kosovës, por edhe aktorja e famshme greke Irena Papas, në vitet e fundit të jetës së saj pohoi se i ati i saj ishte arvanitas dhe mbiemri i tij ishte Leleku ose Lejleku!

        Ja pra si kaluam nga Kanye West te polifonia labe, te shpella e Ciklopit dhe te Bekim Fehmiu dhe Irena Papas. Sidoqoftë shihet qartë se si te Odisea në film, si në historinë e vërtetë, duket se ka gjithmonë diçka iliro/shqiptare.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment