Protesta ka nevojë për një lider

     E kam kërkuar edhe para dy ditësh. Po gjendja po përkeqësohet me orë. Protesta që nisi aq zhurmshëm, që u përshëndet aq masivisht brenda dhe jashtë vendit, tani është në rënie. Pothuajse në shuarje. Prandaj ajo duhet të ndryshojë.

      Boll me shprehjen idiote : « Në protestë janë ftuar të marrin pjesë të gjithë » ! Boll më me një shportë karavidhesh ku ka ballistë, zogistë, berishianë, islamistë, partizanë, socialistë etj etj. Me të vetmin qëllim që ajo të jetë sa më masive !

     Prandaj tani aty po duken dhe po e marrin fjalën lloj e lloj idiotësh të dobishëm dhe debilash të rrjedhur nga trutë. Një grua ankohet psh se e ka ndarë burri ! Dhe u dashka të merret qeveria me këtë punë !  Një tjetër shpreh mbështetjen për Iranin ! Një tjetër sulmon politikën genocidale izraelite ! Dhe në fund dalin edhe degjenerata dhe të degjenerur  që thonë duam këtë dhe atë. Qeveria t’i plotësojë instiktet dhe epshet tona !

          Tani ka ardhur dhe ka kaluar koha që protesta të ketë një busull, një qëllim dhe një ideologji ; Nuk shkohet më me « Revolucion », « Shqipëri e Re » dhe « Poshtë komunizmi » ! Se « poshtë komunizmi » kishte kuptim në vitet 1990 dhe jo sot, kur nuk ka ngelur asnjë shenjë komunizmi në vend. Veçse në rast se duan të hypin në fron për herë të tretë një komunist të zbritur në Tiranë nga gërxhet e Viçidolit !

          Duhet ditur dhe kuptuar se kjo protestë dhe këta protestues kanë përpara armiq të shumë dhe tejet të fuqishëm. Që nga kryeministria në bulevard, deri në Uashington ! Se ajo ua ka prishur gjumin dhe planet të gjithë atyre që mendonin se duke luajtur luftërash : « Rama – Berisha, PD-PS » do rrinin dhe do pasuroheshin përjetësisht. Apo do ta shisnin Shqipërinë me gjithë pasuritë dhe bukuritë e saj nëntokësore dhe mbitokësore.

       Prandaj tani nevojitet të dalë cilësia para sasisë ! Ideologjia para populizmit pa kokë të turmës. Tani po kthehet pyetja e fillimit: “Çfarë kërkojnë këta »?! – Këta kërkojnë që Shqipëria mos të shitet, as nga Berisha as nga Rama. Të mos shitet as deti dhe  as toka me naftën, kromin dhe bregdetin e saj! Këtu duhet të këmbëngulin manifestuesit.

       Dhe të mos marrin kot me projekte për formim paralamenti dhe qeverie pa zgjedhje, por me short ! Kush i shtiu në këtë rrugë të gabuar?!

      Disave u duhet thënë troç:Vendi juaj nuk është më këtu. Doni të manifestoni për Berishën, shkoni te ai sheshi aty. Doni një Shqipëri të Re shkoni te ai sheshi tjetër ? Doni Berishën dhe Ramën në burg ?! Rrini këtu po ju pëlqeu ose shkoni ku të doni për të protestuar. Po e përsëris duhet ndarë shapi nga sheqeri.

     Ose në rast nuk u ndahet dot shpirti nga bulevardi ta bëjnë me rradhë, si një lloj rotacioni, qarkullimi. Të hënën ata që duan një « Shqipëri të Re ». Të martën ata që duan « Ramën në burg dhe Berishën në burg ». Të mërkurën ata që duan rikthimin e Berishës në pushtet ! Të enjten ata që kërkojnë « Revolucion » ! Dhe me këtë rast spjegojnë se çfarë kuptojnë me këtë term dhe çfarë programi politik/ekonomik kanë ! Të premten ata që janë kundër faljes së pasurive kombëtare miliarderëve të huaj apo oligarkëve vendas!

        Dhe të shtunën dhe të dielën le të dalin po të duan të gjithë bashkë në bulevard, por pa mbajtur më fjalime ku njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.  Por me protesta të heshtura, të qeta, qytetare, me qirinj në dorë dhe pa ulërima skizofrenësh apo militantësh pa tru.

       Boll me protagonizëm të disa qerosëve nga Shishtaveci apo gjasme gazetarë nga Tirana. Dhe boll me qëndrime idiote. Asnjë qeveri në botë nuk mund të plotësojë të gjitha hallet e njerëzve. Të qëndrohet në disa pika themelore dhe krejtbashkuese. Si jo shitjes së Sazanit dhe Zvërnecit, jo dhënies së pasurive kombëtare disa hajdutëve që sot quhen investitorë strategjikë, vendas apo të huaj etj etj.

      Sepse kundër protestës është ngritur me tërbim gjithë aparati shtetëror me të gjitha mediat e tij. Se gazetat dhe televizionet në Shqipëri, dihet se përveçse u shërbejnë interesave të bosëve të tyre gangsterë, janë ndarë edhe në të Ramës dhe të Berishës. Ky i fundit po  përpiqet të krijojë përshtypjen se protestuesit janë të tijët. Ndërsa lakenjtë dhe shërbëtorët e paguar nga qeveria përpiqen ta denigrojnë protestën dhe ta bëjnë atë sa më qesharake. Prandaj fusin edhe mbështetësit e tyre si dhe provokatorë aty.

       Kështu ngjan kur protesta nuk ka kokë, nuk ka ideologji, por zhurmon si një koshere grenxash. Ata që deri tani kanë pasur monopolin e mikrofonit e kanë treguar nivelin e tyre të papërshtatshëm për këtë lëvizje.

        Prandaj shkruajta më sipër që protesta dhe protestuesit duhet të dalin me fytyrën e tyre të vërtetë. Secili në kohën dhe vendin e tij. Ndryshe protesta do përfundojë me turp.

      Tahmaja e madhe të lë pa gjë – thotë populli! Edhe këta që e panë veten një cast si liderë apo udhëheqës të ardhshëm do të bëhen shpejt gazi i botës. Në mos nuk janë bërë që tani! Të ndahet shapi nga sheqeri. Secili nevojitet të dale me fytyrën e tij! Qënka kaq e vështirë për tu kuptuar?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment