Rama duhet të largohet medoemos. Lexuesit e këtij blogu e kanë vënë re që largimin e Ramës, për shumë arsye, e kemi kërkuar që para dy vjetësh. Dmth shumë kohë para se të nisnin protestat në bulevard.
Por problemi është se « si » duhet të largohet Rama dhe « kur » ?!. Dhe më kryesorja : cilat mund të jenë pasojat ?! Le të supozojmë për një moment që Rama shpall largimin ! Atëhere çfarë do ngjasë ?! Do mbarojnë manifestimet në bulevard ?! Kurrsesi jo ! Se protestuesit do të thonë se me kaq nuk mjafton. Se ata kanë kërkuar përveç largimit të Ramës edhe formimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja!
Po çfarë do të thotë: mbajtje e zgjedhjeve të reja?! Duke marrë parasysh se në protestë ka 100 rryma dhe ide, në fund të fundit në zgjedhje do marrin pjesë përsëri PD-ja me PS-në. Si 35 vite me rradhë!
Supozojmë gjithmonë se PS rifiton përsëri! Çfarë do ngjasë atëhere ?! Do të ndalojnë protestat?! Kurrsesi jo. Se pas tyre fshihen edhe simpatizantët e PD-së që do kërkojnë dhe rikërkojnë zgjedhje të reja me qeveri të stabilitetit, të shpëtimit kombëtar etj etj deri sa të rivijë në pushtet PD-ja ! Si më 1991 – 1992 !
Por a është kjo kërkesa e protestuesve?! Ata po kërkojnë “Ramën në burg, Berishën në burg ». Pra dhënien fund të sundimit nga këta dy njerëz me partitë e tyre. Dhe jo zëvendësimin e njërit prej tjetrit ! Të paktën kështu duket nga larg.
Marrim anën tjetër. Rama largohet dhe vendin e tij e zë një socialist tjetër. Edhe kjo nuk është zgjidhje. Se protestat do të vijojnë pa mbarim.
Atëhere si i bëhet hallit ?! Një zgjidhje është që Sali Berisha të rivijë në pushtet. Po a është kjo dëshira e shumicës së popullsisë. Dhe e shumicës së protestuesve?! Pa pasur frikë se po mbaj një qëndrim prej militanti, po pohoj me bindjen më të plotë se kjo nuk është dëshira e shqiptarëve. Dhe as e mbi gjysmës së protestuesve të sotëm.
Jemi gjithnjë pa rrugëzgjidhje. Se ata që protestojnë janë si një hidër me 10 koka. Me pasues të Arlind Qorit, Agron Shehajt, Llapajt, ballistëve, islamistëve etj etj. Dhe askush prej tyre nuk ka këllqe sot për sot tua rrëmbejë fitoren dy gozillave PD dhe PS.
Atëhere përse gjithë kjo zhurmë?! Sigurisht që njerëzit nuk janë të kënaqur nga qeverisja socialiste. Prisnin dhe kërkonin më shumë. Megjithatë Rama ka bërë edhe shumë punë të mira gjatë këtyre 13 vjetëve. Por me Sazanin dhe lidhjet me çiftin Ivanka dhe Jared Kushner sikur ia futi vetes. Dhe i vuri tani edhe vulën prej mëndjelehti me pagesën prej 4 milionë eurosh për rapistin Kaney West!
Por shumica e njerëzve e ka treguar prej vitesh se as PD-në nuk e konsiderojnë asfare si alternativë. Një parti që e ka shkatërruar, shkrumbosur dhe nxirosur këtë vend. Me një udhëheqës « demokrat » që mbetet prej 35 vitesh në krye të PD-së ! Sikur të ishte Enver Hoxha ! Demokraci e madhe kjo !
Ndryshe një Shqipëri e Re kërkon pa dyshim ide dhe njerëz të rinj. Ku janë këta ?! Prandaj po nuk u shfaqën në publik programe të reja politike, ekonomike dhe nacionale, po nuk dolën në skenë figura të reja, karizmatike dhe të papërlyera me regjimin që ka sunduar këto 36 vjet, asgjë nuk mund të ndryshojë.
Shoqëria shqiptare veçse do të vazhdojë të përpëlitet dhe shteti të shkatërrohet dhe dobësohet edhe më tej. Prandaj ndofta ka ardhur koha që të hiqen maskat dhe të dilet me fytyrën e vërtetë.
Ata që protestojnë çfarë duan vallë ?! Qeveri teknike dhe zgjedhje të reja përsëri me PD-në dhe PS-në ?! A janë mirë nga trutë ?! Se ato problemet me sistem proporcional apo mazhoritar në shkallë vendi janë të dorës së dytë.
Ndryshe ata që çirren edhe sot, si para 36 vjetësh: “Poshtë komunizmi” le të dalin dhe ta thonë hapur se mezi presin kthimin e Sali Berishës në pushtet. Edhe ata që kërkojnë “Revolucion” le të shprehen se për çfarë revolucioni e kanë fjalën?! Për atë të vitit 1789 në Francë apo atë të 1917- tës në Rusi?! Apo kanë ndër mend ndonjë lloj revolucioni tjetër? Por atëhere kush do ta organizojë dhe udhëheqë këtë revolucion?! Cili është programi i tij?!
Shihet se ngado ta vërtitësh muhabetin nuk ka zgjidhje. Largimi i Ramës veçse e komplikon edhe më shumë situatën. Po a e kuptojnë këtë drejtuesit e protestës?! Apo aq u bën. Me rëndësi është që ata dolën nga anonimiteti dhe u bënë dikushi!
Atëhere le të priten zgjedhjet e rradhës. Dhe deri atëhere konglomerati i protestave do të jetë shpërbërë dhe njehësuar. Që do të thotë se secili prej tyre do dali para zgjedhësve me programin e tij. Dhe do të jenë zgjedhësit ata që do vendosin.
Ata që janë sot në protestë (dhe kanë 100 për qind të drejtë të protestojnë) megjithatë duket se nuk duan të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Nuk duan të dalin hapur se kanë frikë se mos protestueit që kanë aspirata dhe dëshira të ndryshme do tu kthehen kundër dhe protesta do përçahet dhe do marrë fund.
Gjëndemi kështu para një nyeje gordiane pa zgjidhje. Në këto kushte nevojitet me domosdo të dalë një figurë e re politike që të ngjallë frymëzim dhe besim në popull. Kjo ështëe vetmja mënyrë që të hiqen qafe Rama me Berishën bashkë. Ndryshe do vazhdojmë lojën luftash me Lolin dhe Colin ! Derisa Shqipëria të bëhet fërtele.
Dhe nëqoftëse një njeri i tillë nuk del në skenë, me ata “liderët” nga Kukësi apo nga Shishtaveci, nuk shkon dot më shumë se te pragu i shtëpisë. Aq më shumë që edhe ata nuk thonë se çfarë duan konkretisht?! Të hyjnë në zgjedhje përsëri me PD-në dhe PS-në dhe me ato mikroparti që nuk mbushin dot një autobuz!
Dhe ndofta është për të mirën e Shqipërisë që Rama të mos e japë dorëheqjen. Se një ditë të bukur ai edhe mund të thotë si Luigji i 14: “Pas meje, qameti u bëftë”! Dhe me të vërtetë mund të bëhet qameti.
Ekuacioni në dukje është i thjeshtë: Një Shqipëri pa Ramën dhe Berishën! Shumë dakord! Por me kë?! Se ky është problemi.
Këto janë momente vendimtare sot dhe për të ardhmen e vendit. Që mund të sjellin ose përparim ose një kaos tjetër si ai i vitit 1997 !
Shumë hamëndje dhe hipoteza dhe asnjë zgjidhje në horizont. Largimi i PD-së dhe PS-së nuk mjafton nëse nuk ka një zëvendësues të denjë që të mbledhi popullin pas vetes. Ndryshe përçarje, ndarje veri- jug, lindje perëndim, ortodoksë, katolikë, sunitë dhe bektashinj, të pasur dhe të varfër etj etj. Me një fjalë një antishtet !
Përmbyllja me sukses ose jo e këtyre protestave do të verifikojë edhe një herë tjetër aftësinë e shqiptarëve nëse dinë të bëjnë shtet apo jo! Rasti i Haxhi Qamilit dhe Esat Pashës flasin dhe tregojnë shumë. Edhe fqinjët aty janë me bidonat me benzinë !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment