Që kur ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, zhvilloi një pod-kast me shkrimtaren dhe fillozofen shqiptare Lea Ypi, për të komentuar zhvillimet e fundit të protestave në Tiranë,shtypi ndërkombëtar ka marë flakë. Në kuptimin që nuk ka mbetur media perëndimore që nuk i ka kushtuar vëmendje këtij podkasti, shoqëruar me analiza dhe komente të shumta politike.
Por sot nuk do të flasim më për yllin e shkruar, Dua Lipën, që i bën të gjithë shqiptarët krenarë (për të kemi shkruar më parë, artikuj të cilët mund t’i gjeni në këtë blog), por për shkrimtaren në lulëzim, Lea Ypi dhe shtegtimin e saj personal në botën letrare/artistike dhe fillozofike të Perëndimit si dhe raportin dhe rrugëtimin e saj të veçantë krahasuar me një tjetër ikonë të kulturës shqiptare, Ismail Kadarenë.
Sidoqoftë mund të themi se Lea Ypi po ecën në gjurmët e Kadaresë, vetëm përsa i takon famës dhe jehonës që librat dhe qëndrimet e tyre kanë gjetur dhe po gjejnë në Perëndim. Se rrugëtimet e tyre personale janë tejet të ndryshme, madje deri kontradiktore.
Lea Ypi rrjedh nga një familje intelektualo/borgjeze, nëqoftëse do flasim me termat e regjimit komunist. Familja e saj u përndoq nga diktatura pikërisht edhe për shkak të origjinës, por po ashtu edhe sepse stërgjyshi i saj, Xhaferr Ypi, ka mbajtur postin e kryeministrit në qeverinë kolaboracioniste të vendit gjatë pushtimit nazi-fashist.
Pra Lea Ypi kishte të drejtën e gjithë botës të kërkonte revansh dhe hakmarrje. Madje të mos linte as edhe një fjalë të keqe pa thënë për atë regjim shtypës dhe gjakatar.
Por jo! Çudia më e madhe ishte se ajo mbajti dhe mban edhe sot e kësaj dite një qëndrim të moderuar për atë epokë. Madje, kulmi i kulmeve, ajo e konsideron edhe veten si neomarksiste!
Këto qëndrime ajo i ka shprehur me zë të lartë edhe gjatë intervistave të saj të dhëna mediave franceze, britanike, italiane etj etj. Ndryshe ajo nuk i ka kaluar në heshtje, madje i ka denoncuar me gjithë forcën e saj, tmerret dhe krimet e diktaturës komuniste. Por siç duket, dhe ky është mendimi im personal, ajo ka hequr tashmë një vijë ndarëse ndërmjet enverizmit stalinist dhe Marksit!
Dhe para se të kalojmë te rrugëtimi personal krejt ndryshe i Ismail Kadaresë, le të lexojmë se çfarë shkruajnë sot mediat e huaja për Lea Ypin. Cili është vlerësimi dhe mendimi i tyre për të:
Sipas tyre Lea Ypi është një figurë intelektuale magjepsëse. Njëkohësisht ajo është po ashtu edhe autore librash të sukseshëm si dhe profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics (LSE).
Si fillim ajo u bë e njohur për publikun mbarëbotëror falë rrëfimit të saj të veçantë autobiografik. Vepra e Ypit trajton konceptet e lirisë dhe drejtësisë si dhe dështimet e ideologjive të mëdha bashkëkohore.
Siç shkruajtëm edhe më sipër, mendimi i Lea Ypit është i shënjuar thellësisht nga historia e saj personale. Dihet se ajo u rrit në Shqipërinë komuniste staliniste të pasluftës, përpara se të përjetonte tranzicionin brutal drejt kapitalizmit të tregut pas viteve 1990.
Qëndrimet e saj ndaj këtyre 2 periudhave përqëndrohen rreth disa çështjeve kryesore: Së pari nga një kritikë e dyfishtë ndaj socializmit monist dhe kapitalizmit. Ypi kritikon në mënyrë të barabartë si iluzionet e komunizmit shtetëror (mungesën e lirive reale, shtypjen policore), ashtu edhe premtimet e pambajtura të kapitalizmit të egër (varfërinë, rënien sociale, anarkinë financiare) etj etj.
Ajo e cilëson veten si një marksiste demokrate, pohon shtypi i huaj, prandaj edhe përdor mjetet analitike të Karl Marksit për të kritikuar pabarazitë strukturore të kapitalizmit modern, duke hedhur poshtë kategorikisht edhe totalitarizmin e regjimeve të ish Bllokut të Lindjes.
Beteja më e madhe e saj ka të bëjë me ripërcaktimin e termit të lirisë. Liri për të gjithë apo liri për ujkun që të hajë delen?! Për të, liria është mundësia reale për të zgjedhur fatin tënd pa u shtypur nga varfëria apo shfrytëzimi ekonomik. (Do të shtonja se ti apo kushdo tjetër nuk mund të jesh kurrë i lirë nëse buka jote e gojës, e familjes dhe e fëmijëve të tu varet nga drejtori, padroni apo shteti)!
Dhe ndonëse ajo ka shkruar disa vepra akademike të specializuara (si Global Justice and Avant-Garde Political Agency), Lea Ypi pushtoi botën letrare me librat e saj për publikun e gjerë si psh: “Të lirë” (Titulli origjinal: Free, 2021). Kjo është edhe kryevepra e saj, e përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë dhe e vlerësuar me çmime të shumta.
Në këtë libër Ypi rrëfen njëmbëdhjetë vitet e saj të para nën regjimin hiper-izolues të Enver Hoxhës dhe më pas shockun e tranzicionit demokratik në vitet 1990-1997. Një tjetër libër i saj në anglisht i kushtohet fillozofit gjerman Emanuel Kant: “The Architectonics of Reason” i botuar po në vitin 2021.
Në intervistat e saj të shumta mediatike si psh në BBC, në televizionin francez, apo në gazeta si “The Guardian” etj etj, Lea Ypi dallon për një ton që është sa i ngrohtë dhe i afërt, aq edhe i qartë e i pakompromis. Siç thamë, ajo ndalet gjatë veçanërisht në përvojën e tranzicionit kaotik shqiptar.
Ajo kujton shpesh psh “vitin e mbrapshtë 1997”, ku liberalizimi i ekonomisë çoi në një mashtrim gjigant piramidal, duke e zhytur vendin pothuajse në një luftë civile. Ajo e përdor këtë shembull edhe për të tërhequr vëmendjen mbi rreziqet e një kapitalizmi të parregulluar dhe të imponuar nga jashtë dhe me nxitim.
Po ashtu ajo pohon dhe nënvizon se kur ishte fëmijë, Perëndimi përfaqësonte për të (dhe shumicën e shqiptarëve me tru, do të shtonja unë) parajsën, dmth begatinë dhe lirinë absolute. Por duke jetuar atje, në Perëndim, (një herë në Itali dhe më pas në Angli dhe sot ajo studion në Kolegjin e Parisit), ajo vuri re se liria shpesh kushtëzohet edhe nga paratë dhe statusi shoqëror.
Si studiuese e Kantit (i cili ka shkruar për paqen universale), Ypi mbron idenë e kozmopolitizmit (një bote pa kufij ku njerëzit janë të barabartë). Ajo denoncon sistemin ndërkombëtar aktual që mbron interesat e shteteve të pasura dhe korporatave të mëdha, duke mbajtur vendet në zhvillim në një gjendje varësie ekonomike.
Duke njohur mirë historinë e Ballkanit dhe po ashtu të Lindjes së Mesme, Ypi është shumë skeptike edhe ndaj ndërhyrjeve ushtarake apo politike të Perëndimit në emër të “humanizmit” apo “eksportimit të demokracisë”. Ajo argumenton se liria dhe demokracia e vërtetë nuk mund të imponohen nga jashtë me forcë, pasi kjo shpesh sjell kaos dhe shkatërrim institucional, siç ka ngjarë psh në Libi, Irak, Siri etj.
Le të kthehemi tani te shkrimtari ynë tejet i njohur, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë pak vite më parë. Ismail Kadareja lindi në një familje të varfër gjirokastrite. Por ai ra në sy menjëherë për aftësitë e tij letrare dhe regjimi i atëhershëm e shpërbleu me një bursë për të ndjekur studimet letrare në universitetin “Gorki” në Leningrad.
Njëlloj siç veproi edhe me Sali Berishën që e ka dërguar disa herë për specializime në Paris. Edhe ky i fundit rridhte nga një familje barinjsh andej nga fshati i panjohur I Viçidolit!
Të dy këta, ndryshe nga Lea, që siç thamë rridhte nga një familje aristokrate me rrënjë të lashta që nga Turqia, i detyroheshin shumë sistemit të kaluar për suksesin që arritën në jetë. Pa mohuar këtu edhe talentin dhe vullnetin e tyre për të ecur përpara.
Por përsëri ndryshe nga Lea Ypi, me rënien e regjimit, këta të dy, nuk ngurruan asnjë cast t’i tregonin dhëmbët atij. Sigurisht që ai regjim e meritonte urrejtjen e shumicës së popullit! Por jo nga këta të dy, të cilët deri sa regjimi dha shenjat e para të “krisjes” i shërbyen atij me mish e me shpirt. Dhe po ashtu gjithçka në jetë e arritën pikërisht falë atij sistemi dhe jo ndonjë tjetri!
Kadareja veçanërisht ka shkruajtur në ato kohë romane të mrekullueshëm, të cilat për bukurinë dhe cilësinë e tyre, janë përkthyer anë e mbanë botës. Ndryshe Kadareja si njeri i ngritur me siguri që thellë brenda vetes së vet nuk e ka dashur edhe aq shumë atë regjim, megjithëse i ka shërbyer atij sistemi, deri kur ai filloi të tronditet!
Këto janë dy rrugëtime të ndryshme të dy apostujve të kulturës sonë. Dy trajektore që puqen bashkë te dashuria e tyre për vendin dhe talenti në të shkruar. Të dy me fate të përbashkëta dhe qëndrime të ndryshme. I pari është historia dhe legjenda e Shqipërisë, e dyta ndofta e ardhmja e saj.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment