Pak ditë më parë Sali Berisha duke dashur ta përvetësojë protestën, (Rama n’burg, Berisha n’burg) apo ta devijojë atë, u shpreh se janë me mijëra demokratët që po protestojnë këto ditë në bulevard! Kjo përbën një çudi të madhe se manifestuesit po kërkojnë sot pikërisht një Shqipëri të Re, pa Berishë dhe Ramë, dhe ndofta edhe pa socialistë dhe demokratë !
Por kjo shprehje, mbi pjesëmarrjen e demokratëve në protestë, përveç anës së saj tinëzare, duket se shpreh edhe diçka tjetër. Se Berisha jeton ende me ëndrrat e fillim viteve ’90 të shekullit të kaluar. Nuk e ka kuptuer ende se ajo kohë ka marrë fund. Komunizmi enverian ka dhënë shpirt një herë e mirë dhe sot shqiptarët nuk identifikohen më me termat : demokratë apo socialistë !
Megjithatë poshtërsia e tij ka molepsur edhe ata « mamurrasit » që kanë hyrë si diversantë në këtë protestë. Disa madje ende ulurijnë edhe tani « Poshtë komunizmi », 36 vjet pas mortjes së tij.
Në këtë kuptim sot mund të pohojmë pa frikë se në Shqipëri nuk ka më jo vetëm komunista, por as edhe demokratë dhe socialistë. Mund të kenë ngelur vetëm disa grupe prej tyre, siç ngelin leshterikët në bregdet. Sepse socialistët dhe demokratët tani janë bërë bashkë dhe asgjë nuk i ndan dot. Pushtetin dhe politikën të dy palët po e përdorin veçse për tu pasuruar.
Por një ndarje e re ka filluar të duket në horizont. Pasi si te PD-ja, ashtu edhe te PS-ja, nuk gjen sot një grimë patriotizmi apo përkushtimi për Atdheun. Si rrjedhojë këto dy organizata politike kanë privatizuar, falur, dhënë me koncesion apo shitur të gjitha pasuritë kombëtare të vendit. Duke filluar nga nafta, kromi, bakri, linjiti dhe deri te uji !
Sepse 2 vite më parë « shpirtmadhi » Edi Rama u premtoi italianëve të jugut tu jepte ujin e lumit Shushicë pranë Vlorës që ata të kishin me çfarë të vadisnin arat e tyre !
Në këtë rrugë Rama nuk bëri gjë tjetër veçse eci edhe ai me vendosmëri në hapat e Sali Berishës. Ky i fundit vajti para disa vitesh deri në Athinë, bashkë me Bashën, për t’i falur detin Greqisë ! Ndërsa Rama duket se të njëjtën dëshirë e kishte dhe e ka edhe për Sazanin, Zvërnecin, përveç se Shushicës !
Shqipëria u katandis si kokoshi një thelë pas vendimeve të Fuqive të Mëdha të mara sa në Londër, aq edhe në Versajë e tjetërkund. Por sikur të mos mjaftonte me kaq, disa mytyberë, soj mbretërish, presidentësh apo kryeministrash, janë përpjekur gjatë këtyre 114 vjet pavarësi tu falnin edhe copa të tjera të vendit të huajve.
Ahmet Zogu psh i fali Shën Naumin, Serbisë, Berisha detin Greqisë, ndërsa Rama po përgatitej të bënte po të njëjtën gjë me Sazanin !
Kjo është edhe arsyeja që shqiptarët sot nuk duhet t’i ndash më në socialistë dhe demokratë, për më shumë se janë e njëjta gjë, por në patriotë apo atdheshitës. Kjo është ndarja e fundit dhe më e drejta !
Pjesa dërrmuese e shqiptarëve sot e adhurojnë demokracinë perëndimore si dhe ekonominë e tregut. Megjithatë shumica e atyre që kanë dalë në protestë dhe që mbështesin demokracinë dhe Perëndimin, duket se janë kundër shitjes së vendit copa copa apo pasurive të tij oligarkëve vendas ose miliarderëve të huaj.
Sepse disa duket se e kanë kuptuar shumë keq kapitalizmin. Si një xhungël ku fiton gjithmonë më i forti. Në rastin konkret më i pasuri ! Por kapitalizmi ka edhe rregulla dhe ligje. Dhe ka disa lloje ekonomish të tregut të lirë ! Si psh ai në vendet skandinave, në Gjermani, Francë, Belgjikë, Hollandë, ai i vendeve afrikane deri edhe te kapitalizmi kinez !
Shqipëria që vuajti nga sistemi më i pashpirt komunist, nuk kishte pse të zgjidhte edhe kapitalizmin më të egër, pa din e iman alla afrikan. Ku pasuritë e vendit u shiten shumëkombësheve të huaja për një copë bukë nga udhëheqësit e korruptuar të atyre vendeve.
Përfundimisht Rama dhe Berisha tashmë i takojnë së shkuarës. Pikërisht asaj të shkuare që i ndante shqiptarët në baza ideologjike. Sot po bie në sy një ndarje e re: ajo midis atdhetarëve dhe atdheshitësve apo midis nacionalistëve kombëtarë dhe globalistëve kozmopolitë.
Edhe sepse sot askush nuk ka dhe nuk duhet të ketë më të drejtë të shesë dhe as të privatizojë atë që u takon të gjithëve: pasuritë natyrore dhe publike të vendit. Ndryshe thuhet se në librat e shenjtë, që prej kohëve që nuk mbahen dot mend, është shkruar: “Vetëm ajo që prodhohet nga dora e Njeriut mund të shitet dhe të blihet”!
A ka gjë më të qartë se kaq?! Këtë duket se nuk e kanë kuptuar sot vetëm Rama me Berishën! Prandaj edhe habiten dhe zëmërohen me protestuesit! Sepse ata gjënden në anën tjetër të barrikadës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment