Protesta po shuhet, por asgjë nuk do të jetë më si më parë

        Të gjithë shërbëtorët e pushtetit, të gjithë ata që janë pasuruar marramendshëm gjatë këtyre 36 viteve anarshi, vjedhje, grabitje, shitje, privatizime dhe shpërdorime, po  i tregojnë sot dhëmbët protestuesve.

       Ata i kanë pagëzuar tani si armiq të jashtëm dhe të brendshëm, si vegla të Iranit, Athinës, Beogradit, si neomarksistë që nuk e duan sistemin e bekuar kapitalist, si antitrumpistë, madje edhe si shpërndarës droge apo kriminelë!

      Një sulm i paparë ky, i mbushur me urrejtje nga ata që e mendonin tashmë sundimin e tyre si të përjetshëm. Që tani po shohin se karrigeve ku janë ulur po u tunden këmbët.

     Se protestuesit po kërkojnë një Shqipëri të re e ndryshme nga kjo e këtyre 36 viteve. Më të drejtë, më të barabartë, ku pasuritë kombëtare të mos bien në duart e pak individëve, por të shërbejnë për të rritur nivelin e jetesës së mbarë popullit në vend.

      Edi Rama është më i godituri, më i humburi dhe më i çorodituri nga këto protesta. Edhe në ëndrrat e tij më të këqija ai nuk e kishte përfytyruar që njerëzit do të ngriheshin një ditë masivisht kundër tij. Ai që pritej si rock-star në takimet që zhvillonte me diasporën sa në Athinë të Greqisë, aq edhe në Itali, Angli etj!

      Janë tani po këta emigrantë që kërkojnë sot largimin e tij. Se kupa u mbush dhe u derdh. Se Edi Rama e mbështeti sundimin e tij te dukja e jashtme, te flluska e sapunit. Dhe si një publicist dhe shoumen i talentuar ai pati jashtëzakonisht sukses në këtë taktikë të tij. Si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

      Por njëkohësisht ai qeverisi me “dorë të lehtë ». Nuk pati guxim të përplasej, të vinte rregull, ndryshe ti vinte pikat mbi « i ». Si i djathtë i përbetuar që e mbante veten, ai u mbështet veçse tek oligarkët dhe jo te roli përcaktues i shtetit në ekonomi.

      Te ai gjenje të ngërthyer në një artistin, sportistin, liberalin dhe shoumenin. Por asnjë grimcë të burrit të shtetit. Megallomania e bëri të mendonte se pasi i kishte « mrekulluar » shqiptarët me oratorinë e tij, të njëjtën gjë duhet ta arrinte edhe me të huajt ! Prandaj dita shtatë dhe ai tetë, do të ishte në avion, për tu takuar dhe bërë shaka edhe me të mëdhenjtë e kësaj bote dhe edhe për ta « ndrequr » atë !

       I dehur nga këto suksese si dhe nga madhështia e vetes së tij atij filluan t’i dukeshin edhe shqiptarët si miza dheu ! Suksesi i tij i vetëm ekonomik ishte dhe mbeti vetëm turizmi. Dhe ai u dha me mish dhe me shpirt pas këtij projekti. Asnjë investim në krijimin e një baze materiale dhe prodhuese, por gjithçka iu kushtua ndërtimit dhe rindërtimit të rrugëve dhe aeroporteve. Gjithçka në funksion të turizmit.

       Por kur filloi të merrej edhe me pasuritë dhe bukuritë natyrore të vendit, aty ai shkeli në dërrasë të kalbur. Kulmin e arrogancës së tij e arriti kur deshte të forconte lidhjet me familjen Trump dhe lobin izraelit në botë. Kur u ofroi atyre Sazanin, ishullin e vetëm që ka Shqipëria !

     Pyetja është : si spjegohet që Ivanka Trump dhe burri i saj, Jared Kushner ranë kaq në dashuri me Sazanin ?! A nuk ka Greqia mbi 1 000 ishuj, ndofta edhe më të bukur dhe për më shumë me burime ujore, sesa Sazani ?!

       Apo ishin lehtësitë që u kishte premtuar Rama, që e bënë çiftin më të njohur amerikan t’i mbante sytë atje. Ku kishin parashikuar të ngrinin edhe një hotel me  1 0 0 0 0 dhoma! Po ujin e pijshëm nga do ta siguronin?! Apo kishte menduar Rama edhe për këtë. Në fakt burimi legjendar i Ujit të Ftohtë ndodhej në sterrenë përballë ishullit, vetëm disa kilometra larg tij!

      Dhe i dehur nga vetja, prej 2 vjetësh ai hartoi ligje pas ligjesh për t’i kthyer zonat më të bukura bregdetare dhe malore të vendit në resorte turistike për oligarkët vendas dhe miliarderët e huaj. Pa iu bërë vonë fare për banorët e atyre trevave.

     Kudo filluan të ngriheshin zona të rrethuara me tela me gjëmba. Ajo që kishte qënë dikur publike papritur u kthye papritur në private! Kush guxonte të ngrinte kokë ndeshej me gangsterat e milionerëve dhe oligarkëve të rinj vendas. Si në Zvërnec! Njëlloj si plazhet dhe rëra e detit e pushtuar nga « të fuqishmit », ku njerëzit e kanë të ndaluar edhe të ulen, kjo praktikë po përhapej edhe aty ku deri dje deti dhe rëra u takonte të gjithëve.

     Shqiptarët ishin të hutuar. Të injoruar dhe të painformuar. Se çfarë po ngjante në vendin e tyre, me pronat publike, ata e merrnin vesh vetëm nga mediat e huaja. Si psh për çfarë kishte biseduar Rama me Ivanka Trump në kryeministri.  Për ata vetë errësirë totale! Kush i pyeste ata?! Rama ishte vetë zot, vetë shkop! Ndryshe ai i përshëndeste shqiptarët çdo mëngjez me ngandonjë kartolinë virtuale!

     Kjo sjellje, kjo arrogance, kjo mospërfillje, bëri që shqiptarëve tu vinte Rama në majë të hundës. Dhe këtu nuk po flasim për talljet që ai u bënte atyre. Edhe kur e mbushte Kuvendin dhe qeverinë me hiçkërrkusha dhe njerëz pa asnjë lloj vlere.

    Lenka Çuko, që e kemi tallur aq gjatë, gjatë periudhës moniste, dukej si intelektuale e madhe para zeqineve, ballave dhe kompani! Ndërkohë 2 nga zëvendësit e tij, 2 zëvendëskryeministra, dolën hajdutë me çizme të kërkuar edhe nga SPAK-u?! Me këta njerëz do ta bënte Rama Shqipërinë?! Apo “zgjidhmëni mua, nëse nuk doni që të rikthehet Berisha”!

     E pra këtyre “lojërave” u doli boja. Boll është boll, thanë njerëzit. Dhe u derdhën rrugëve për të kërkuar një Shqipëri ndryshe. Njëkohësisht edhe aparati shtetëror dhe ai propagandistik u vu menjëherë në lëvizje për të denigruar këto manifestime. Nuk munguan as provokatorët e futur kush e di nga kush, që filluan të gjuajnë me gurë policinë. Që dolën me arkivol në boulevard! Që luteshin për atë Allah në mes të bulevardit.

     Edhe njerëzit e Berishës ishin po aty. Dhe atij vetë po i shkëlqente surrati. Të paktën edhe rivali i tij po e pësonte. Dhe ai vazhdonte të luante fijet në parapaskenë!

    Si rrjedhojë protestat u dobësuan. Numri i protestuesve u pakësua. Dhe një ditë ato do ndalojnë. Por e keqja për regjimin, ngjau. Prandaj tani asgjë nuk do të jetë më si përpara. Njerëzit u ngritën jo për të rrëzuar njërin dhe për të ngritur tjetrin, por u ngritën për mbarë Shqipërinë. Për një sistem të ri. Për një kapitalizëm me fytyrë Njeriu. Dhe jo një kapitalizëm ku njeriu për njeriun është ujk.

       Shqiptarët guxuan. E hoqën perden që u kishte zënë sytë. 36 vjet përpara u ngritën për të shembur një herë e mirë sistemin diktatorial njëpartiak, që i la të varfër dhe u mohoi edhe të drejtat themelore të Njeriut.

     Sot duket se janë ngritur kundër shkapërderdhjeve të sistemit të ri që zëvendësoi të vjetrin. Kësaj i thonë: nga shiu në breshër. Por tani ata e kanë vrarë frikën. Dhe e  dinë se çfarë duan dhe përse luftojnë!

    Kushdo që të vijë në pushtet këtej e tutje nuk do t’i marrë më njerëzit për budallenj që mund t’i gënjesh me një karamele. Shqiptarët mësuan edhe ata, si në demokracitë nordike,  të kërkojnë llogari. Se çfarë po bëhet me pasuritë e tyre?

       Se pse pjesa më ndershme e tyre, ata që nuk dinë të vjedhin, që nuk merren me drogë, që nuk u përshpirten politikanëve të fuqishëm, ngelën përsëri tejet të varfër?! Si puna e pensionistëve. Dhe ndryshe përse disa janë pasuruar marramendshëm me korrupsion apo duke grabitur pasuritë e mbarë popullit ! Si është e mundur kjo?!

     Prandaj asgjë nuk do jetë më si më parë. Fatmirësisht.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment