Trump po ringjall frikën nga komunizmi!

      

Dje në këtë blog shkruajtëm dhe komentuam shqetësimin e Trump ndaj ringjalljes së komunizmit dhe shtruam pyetjen se për veç se me Amerikën, presidenti amerikan mos e kishte edhe me Shqipërinë?! Dhe ndryshe, ato protestat në boulevard, me ato thirrjet “Shqipëri e Re” apo “Revolucion” mos janë vallë shenja të një nostalgjie për të shkuarën?!

      Sot kemi përkthyer për këtë blog një analizë të një medieje belge pikërisht ndaj luftës që Trump i ka shpallur komunizmit në vendin e tij!

         Sipas analistëve belgë tani që fushata e zgjedhjeve të mesit të mandatit (nëntor 2026) po merr vrull në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump ka vendosur të rikthejë një strategji të sprovuar tashmë që në vitin 2024: valëvitjen e frikës nga gogoli i kuq komunist, një mënyrë kjo për t’i portretizuar kundërshtarët e tij si ekstremistë të majtë që duhen mposhtur me çdo kusht.

       “Tani ka një ringjallje të kërcënimit komunist në tokën tonë”, deklaroi presidenti republikan në një fjalim të premten përpara malit Rushmore. Në përputhje me retorikën e tij anti-imigracion, miliarderi pohoi se rreziku vinte në veçanti “nga të sapoardhurit në vendin tonë që përqafojnë ide krejtësisht në kundërshtim me mënyrën tonë të jetesës dhe suksesin tonë të madh”.

        Disa ditë më parë, ai kishte paralajmëruar sërish kundër ringjalljes së supozuar të komunizmit në Shtetet e Bashkuara, të cilën e përshkroi si një “kancer” dhe “kërcënimin më serioz” për vendin që nga themelimi i tij 250 vjet më parë.

         Presidenti tetëdhjetëvjeçar po i referohej në veçanti rezultateve të zgjedhjeve të fundit në Amerikë, ku disa kandidatë nga krahu i majtë i Partisë Demokratike fituan nominimin për zgjedhjet legjislative të nëntorit.

        Shumë prej tyre janë mbështetur nga Zohran Mamdani, kryetari i ri i bashkisë së Nju Jorkut dhe anëtar i Partisë Demokratike Socialiste.

           Edhe pse pretendojnë të jenë në të majtë të spektrit politik amerikan, këta kandidatë dhe zyrtarë të zgjedhur në asnjë mënyrë nuk e shpallin veten marksistë apo komunistë.

        Por për Donald Trump, damkosja e këtyre kundërshtarëve me hekur të nxehtë është një taktikë e vjetër politike në Shtetet e Bashkuara, e njohur si “gogoli i kuq”.

        Kjo strategji konsiston në nxjerrjen në pah të “lidhjeve të supozuara midis progresistëve dhe grupeve të krahut të majtë me komunizmin”, duke ruajtur konfuzionin midis të dyjave dhe duke akuzuar të majtën për pjesëmarrje në një komplot global komunist, – thotë historiani Julian Zelizer për AFP-në.

        «Një traditë e vjetër që daton që nga Lufta e Parë Botërore dhe nga frika e parë nga e Kuqja», shpjegon ky profesor nga Universiteti i Princetonit, kur në periudhën pas Luftës së Parë Botërore, qeveria amerikane i përndoqi simpatizantët komunistë dhe anarkistë në sfondin e revolucionit bolshevik në Rusi.

         Një “Tmerr i Kuq” i dytë ndodhi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Lufta e Ftohtë mori hov dhe arriti kulmin me McCarthyizmin, të emëruar sipas Joseph McCarthy. Ky senator konservator, një antikomunist i flaktë, paralajmëroi për infiltrimin e supozuar të komunistëve në të gjitha nivelet e shoqërisë amerikane, duke krijuar kështu një klimë paranoje të përhapur.

         Është pak a shumë si taktika e Ramës që i sheh protestat në vend si të nxitura nga Irani! (Shënimi im v.gj.)

         Donald Trump, i cili u rrit në kohën e Luftës së Ftohtë, që atëherë e ka përvetësuar këtë retorikë si të vetën. Që në vitin 2024, ai i vuri nofkën Kamala Harris, kundërshtares së tij presidenciale, “Shoqja Kamala” dhe pretendoi pa bazë se: “të gjithë e dinë se ajo është marksiste”.

       “Është e qartë se ajo që Trump po përpiqet të bëjë është të shfrytëzojë faktin se ka përçarje të brendshme brenda Partisë Demokratike”, thotë Thomas Zeitzoff, një shkencëtar politik në Universitetin Amerikan.

          Përçarjet — të cilat republikanët duan t’i shfrytëzojnë – gjallojnë midis, nga njëra anë, establishmentit të partisë me prirje të moderuara dhe, nga ana tjetër, një krahu më radikal.

        Kjo përçarje po shkakton shqetësim edhe midis demokratëve kryesorë, të cilët kanë frikë se “karakterizimi si ekstremistë nuk do t’i ndihmojë” në këtë fushatë, pohon Thomas Zeitzoff.

       Sepse, sipas Julian Zelizer, me këtë retorikë, Donald Trump po synon “publikun amerikan”, i cili në përgjithësi e urren komunizmin,  sesa bazën e tij “MAGA”.

         Ndikimi elektoral i strategjisë së republikanit mbetet megjithatë “i pasigurt”, sipas historianit. Për Thomas Zeitzoff, përpjekja për të përdorur komunizmin si një taktikë frikësimi është problematike kur dihet se “Lufta e Ftohtë ka përfunduar që para 33 vjetëve”.

        Dhe pa Bashkimin Sovjetik si kundërshtar, është e vështirë të mobilizohen votuesit amerikanë kundër këtij “kërcënimi” imagjinar, argumenton ky specialist i dhunës në politikë.

        Edhe sipas kolumnistit të krahut të majtë, Thom Hartmann, “Trump shkoi në malin Rushmore për të gjetur Karl Marksin, sepse nuk ka asgjë tjetër psh për t’i ofruar një 28-vjeçari që nuk mund ta paguajë dot qiranë e tij” – shkruhet në mediat belge.

          Ndërkohë në protestat në Tiranë ka nga të gjitha. Që nga ata që thërresin “Poshtë komunizmi” deri te ata që bëjnë thirrje për revolucion! Të presim të shohim atëhere se si do venë punët.

                                                                                                 v.gj.

Lini një koment