A e kishte Trump edhe me Shqipërinë, kur tha që komunizmi po ringjallet?!

    

Në fjalimin e tij, mbajtur me rastin e 250 vjetorit të krijimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera, ra në sy edhe shprehja e presidentit amerikan se” komunizmi po ringjallet, por ne në Amerikë as nuk kemi nevojë për të, as nuk e duam”, etj etj!

      Por çfarë lidhje mund të ketë kjo shprehje e udhëheqësit të vendit më të fuqishëm të botës, me Shqipërinë e ngratë dhe të drobitur?!

      Mund të ketë se Trump,  ose nga dhëndëri i tij, ose nga mediat, është vënë pa dyshim në dijeni se çfarë po ngjan në këtë vend të vogël buzë Adriatikut!

      Dhe ajo që po ngjan është se dhëndërit të tij po i prishen tani planet e transformimit të Sazanit dhe Zvërnecit në zona të papara dhe të mbyllura turistike për elitën mbarëbotërore!  Ai si dhe gjithë globi janë tashmë në dijeni se që prej 36 ditësh në Tiranë po vazhdojnë me forcë protestat kundër këtij projekti, ku është përfshirë rëndshëm edhe kryeministri Rama.

     Manifestuesit po protestojnë, jo vetëm për dhënien e zonave më të bukura turistike oligarkëve vendas dhe të huaj, por (dhe kjo është me shumë rëndësi) edhe kundër mënyrës së si është qeverisur vendi gjatë këtyre 36 viteve! Prandaj ata po kërkojnë një “Shqipëri të Re” dhe “Revolucion”!

      Por çfarë do të thotë kjo?! Si qënka qeverisur vendi gjatë këtyre 36 viteve, që disa i quajnë demokratike, dhe kush mund të jetë e kundërta e këtij shembulli?!

       Dihet se Shqipëria gjatë gjithë këtyre 36 vjetëve është qeverisur dhe ka ecur në gjurmët më të ndritshme të ekonomisë së tregut kapitalist! Gjithçka është privatizuar. Ose rrafshuar!  Kromi, bakri, uji, nafta, toka bujqësore etj etj janë sot në duart e privatëve. Atëhere çfarë kërkojnë ata që protestojnë?!

      Edhe ne sot, si gjithë bota, kemi oligarkët tanë, që dikush i ka cilësuar edhe si njerëz me “gjak blu”(!) pavarësisht se shumica e tyre mbajnë ende erën e bajgave të fshatit nga vijnë!

      Të kërkosh një “Shqipëri të Re” sot apo të kërkosh një “Revolucion” duket si pa kuptim. Sepse “ky është dhëndrri, kjo është nusja”, ose ndryshe “ky stan këtë bulmet ka”! Çfarë do atëhere?!

      Sigurisht që ka korrupsion. Dhe masiv bile. Por sot numërohen me gishtat e duarve ato vende ku nuk ka korrupsion. Edhe ankesat për sistemin shëndetësor që është përtokë, apo ato ndaj mjekëve që kërkojnë para nën dorë, njëlloj si gjykatësit dhe prokurorët e çdrejtësisë, – janë pjesë normale e sistemit të instaluar në Shqipëri!

       Nuk të pëlqen shërbimi te shtetërori, shko te privati ?! Dyert i ke të hapura! Çfarë kërkojnë ata protestuesit?! Se duket sikur aty janë përfshirë që nga ballistët deri te komunistët. Disa, madje edhe ulurijnë ende « Poshtë komunizmi », sikur të jemi përsëri në vitin 1990 ! Kur komunizmi ka vdekur me kohë.

       Kështu psh Ramën mund ta akuzosh për çdo gjë që të duash, por vetëm për komunist jo. Ai është aq liberal dhe kozmopolit, saqë mund të thuash pa frikë se ai nuk ka një grimcë komunizmi brenda vetes !

        Komunistët ishin të gjithë kriminelë, por Atdheun nuk e shitën dhe për vete nuk u pasuruan ! Siç kanë bërë më parë Zogu me Shën Naumin, Berisha me detin falur Greqisë dhe ky Rama me Zvërnecin, Sazanin, portin e Durrësit etj etj. Me një fjalë gjysmën e Shqipërisë !

       Ndërkohë që askush nuk e di se deri ku kanë vajtur bisedimet për shitjen, faljen apo dhënien me qera me zero taksë për zonat e Zvërnecit dhe Sazanit. As për Rrjollin, (një investim tjetër strategjik ky, sipas fjalëve të Ramës) si dhe portit të Durrësit Al Alabarit !

        Edhe nga Uashingtoni nuk ka asnjë reagim. As nga dhëndëri, as nga vajza e presidentit amerikan. Trump me siguri e pati me “të vetët” kur foli për ringjalljen e komunizmit, sidomos pas disa fitoreve në zgjedhje të ekstremit të majtë atje. Dhe ka pak gjasa që ai të ketë pasur parasysh këtu edhe ata të marrosurit e protestave në Tiranë.

       Të cilët e ngritën marrëzinë e tyre para 2 ditësh edhe në një majë tjetër të paparë, kur dolën për herë të dytë me një tabut në boulevard. Herën e parë dolën në vitin 1998 me arkmortin me Azem Hajdarin brenda që e përdorën si kokë dashi për të sulmuar kryeministrinë!

       Dhe kështu protestat po “lartësohen » çdo ditë ! Pak ditë më parë ata sulmuan me gurë edhe policinë dhe me mallotov edhe komisariatin nr 3 të policisë në Tiranë.

       Këto gjëra të duken normale kur vëren se ajo protestë është shndërruar në një lloj shporte karavidhesh. Mjafton të jesh kundër Ramës dhe atje të presin me krahë dhe mikrofon hapur ! Prandaj aty ndesh që nga bishtat dhe zagarët e Berishës, deri te neokomunistat,  ballistat dhe çdo lloj llumi tjetër.

        Për t’iu kthyer shprehjes së Trumpit për ringjalljen e komunizmit ( !) a po vërehet diçka e tillë edhe në Shqipëri ?! A po rikthehet nostalgjia për kohën e Enver Hoxhës ?! Nuk dua ta besoj ! Sepse regjimi i Enverit ishte nga më mizorët dhe më shtypësit që ka njohur historia.

        Por ndofta ka një kthim në gjërat e mira që kishte ai sistem. Siç ishte një barazi relative ( e varfërisë sidoqoftë), një trajtim shëndetësor i barabartë dhe falas për të gjithë, një arsim cilësor, një bazë prodhuese e fuqishme e përbërë nga më shumë se 400 ndërmarrje, uzina, fabrika dhe kombinate si dhe rregull, qetësi e pastërti bashkë me një lloj morali ku të njiheshe si hajdut ishte turp i madh !

         Asgjë nuk dihet dhe asgjë nuk është e sigurt. Por ajo që shihet mbetet megjithatë impresionuese. Njerëzit duket se nuk janë të kënaqur. Nga çfarë : nga liria e tepruar apo nga mungesa e lirisë ?! Nga oligarkët vendas dhe miliarderët e huaj që kanë zaptuar gjitha pasuritë tokësore dhe nëntokësore të vendit apo nga çfarë ?!

         Gjithçka është rrëmujë, sepse edhe drejtuesit e protestës nuk po e nxjerrin ende kokën. Kanë hartuar veçse disa kërkesa dhe disa lista që askush nuk e di se si mund të vihen në jetë.

         Por ajo që është e sigurt duket se është zhgënjimi i njerëzve dhe dëshira e tyre për ndryshim. Kjo për shumicën e manifestuesve. Pasi ka edhe të tjerë që duan të përfitojnë nga rrëmuja për të risjellë për herë të tretë Berishën në pushtet, apo që duan të na kthejnë në një vend islamik ! Se po shihen në turmë dhe mes atyre që e marrin fjalën në podium edhe shumë meshkuj dhe femra të reja që duket se i përkasin rrymës së islamizmit radikal.

         Prandaj askush nuk e di se si do përfundojë kjo gjurulldi në bulevard. Sidoqoftë Rama duhet të largohet me doemos. Vetëm për zgjedhjen e Ahmetaj dhe Ballukut si dora e djathtë e tij, ai duhej të kishte dhënë deri më sot 100 herë dorëheqjen.  

         Dhe vendin e tij duhet ta zërë një socialist tjetër, i cili duhet të anullojë edhe të gjitha ligjet e aprovuara këto 2 vjetët e fundit lidhur me të ashtuquajturit « investitorë strategjikë » !

         Për zgjedhje të reja askush nuk ka nevojë. Me përjashtim të Berishës. Ato veçse do ta përkeqësonin gjendjen.  Edhe neokomunisti Arlind Qori duhet të mësohet të presë.  Zgjedhjet e reja janë parashikuar për tu mbajtur vetëm pas më pak se tre vjetëve, më 2029!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment