1776-2026: A e njihni ju historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

      Që nga “Deklarata e Pavarësisë” e vitit 1776 dhe deri më sot historia e Shteteve të Bashkuara është shquar dhe dalluar nga liria, emancipimi dhe inovacioni, por njëkohësisht edhe nga dhuna, pabarazia dhe luftërat. Këto ngjarje kanë formësuar kështu një komb që ka qenë prej kohësh një shtet tejet i rëndësishëm në skenën botërore.

       Aventura e shtetit amerikan filloi më 16 dhjetor 1773,  në portin e Bostonit, kur kolonët vendas hipën në anijet e kompanisë së Indisë Lindore dhe hodhën në det disa ngarkesa me çaj. Ata po protestonin kështu kundër taksave dhe kufizimeve të tjera mbi zgjerimin tregtar dhe territorial të vendosura mbi ta nga parlamenti në Londër – ku ata nuk kishin përfaqësim. Kështu lindi edhe miti i një populli të përkushtuar ndaj lirisë dhe sipërmarrjes së lirë dhe kundër një pushteti të largët dhe të centralizuar.

         Kundërshtitë ndaj perandorisë britanike do të bëheshin kështu gjithmonë e më të forta deri më 4 korrik 1776, ( fiks 250 vjet më parë) kur përfaqësuesit e Trembëdhjetë Kolonive publikuan në Filadelfia një Deklaratë të Pavarësisë. Autorët e saj, veçanërisht Thomas Jefferson, morën pjesë në një ngjarje historike: themelimin e një shteti mbështetur mbi bazën e ideve filozofike.

         Parimet e barazisë sociale, të drejtave të patjetërsueshme të individit,  qeverisë së kontrolluar nga zyrtarët e zgjedhur dhe sovraniteti popullor që gjenden në këtë deklaratë, janë me të vërtetë të frymëzuara drejtpërdrejt nga shkrimet e Rusoi, Lokut dhe Montesquieu-së.

            Pas tetë vitesh lufte kundër perandorisë britanike, kryengritësit, të mbështetur ushtarakisht dhe financiarisht edhe nga Franca e Luigjit XVI, (të cilit disa vjet më vonë do t’i pritej koka gjat revolucionit të vitit 1789), fituan pavarësinë e tyre. Më 3 shtator 1783, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u njohën zyrtarisht si një komb i pavarur nga Traktati i Parisit.

           Katër vjet më vonë, në shtator 1787, Republika e re miratoi një Kushtetutë, preambula e së cilës fillon me “Ne Populli”. Ajo pohon parimin e sovranitetit popullor dhe krijon një qeveri federale të bazuar në ndarjen e pushteteve dhe balancën e pushteteve midis institucioneve.

Me 27 amendamentet e saj, ajo ende qeveris Shtetet e Bashkuara edhe sot.

          

           Në vitin 1790, vendi, fati i të cilit drejtohej nga George Washington, kishte vetëm 4 milionë banorë, përfshirë këtu 700,000 skllevër.  Por deri në vitin 1860, sa nëpërmjet rritjes natyrore aq edhe imigracionit europian, popullsia amerikane vajti në 20 milionë ! 

         Atëhere Shtetet e Bashkuara blenë shtetin e Luizianës nga Franca në vitin 1803, pastaj Floridën nga Spanja në vitin 1819. Në vitin 1846, kur Meksika refuzoi ta shiste Teksasin, Uashingtoni i shpalli luftë. Kjo përvojë e parë rezultoi e suksesshme: dhe vitin pasardhës, kombi i mundur, Meksika i dorëzoi Amerkës, ​​Teksasin, New Mexico-n dhe Kaliforninë.

        Ndërkohë në Shtetin e ri amerikan vazhdonte forma e skllavërisë ! Pyetja ishte: A do të ishin këto territore të reja skllavopronare apo “të lira”?  Për këtë çështje u arritën disa kompromise,  deri në nëntor të vitit 1860, kur Abraham Lincoln, një avokat nga Illinois, u bë presidenti i gjashtëmbëdhjetë i Shteteve të Bashkuara. Një abolicionist ky ‘kundërshtar i skllavërisë), ai megjithatë u përpoq të respektonte Kushtetutën, e cila, pa e përmendur kurrë në mënyrë të qartë, njihte dhe mbronte skllavërinë. Por për politikanët e jugut të vendit, ky president i parë jo miqësor me ta, ishte i papranueshëm.

         Prandaj më 20 dhjetor, Karolina e Jugut u nda nga Shtett e Bashkuara. Më pas edhe 11 shtete të tjera ndoqën këtë shembull, duke formuar Shtetet Konfederate të Amerikës. Si pasojë më 12 prill 1861, filloi Lufta Civile: jugorët e nisën të parët. Lufta vazhdoi  deri më 9 prill 1865, me disfatën e Konfederatës; dhe 617.000 të vrarë.

           Më 31 janar 1865, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi rezolutën e 13-të. Amendamenti i Kushtetutës që ndaloi skllavërinë. Ndërsa amendamenti i 14-të garantoi shtetësinë dhe barazinë për të gjithë para ligjit. Por, ndërsa lufta civile çliroi 4 milionë afrikano-amerikanë nga prangat e tyre, ajo i la të paprekura paragjykimet racore.

          Pas largimit të trupave federale, ish-shtetet rebele miratuan një sërë ligjesh që organizonin ndarje të rrepta brenda territorit të tyre dhe e bënin praktikisht të pamundur ushtrimin e të drejtave politike për “njerëzit me ngjyrë”.Do të duhej një shekull e më shumë dhe një luftë e palodhur nga lëvizja për të Drejtat Civile që Kongresi të miratonte Aktin e të Drejtave Civile në vitin 1964, që do t’i jepte fund racizmit të institucionalizuar në Shtetet e Bashkuara. Filmi “Misisipi Burning” e trajton me vërtetësi dhe dramaticitet racizmin në shtetet e jugut.

 

        Në vitin 1913, një intelektual, Woodrow Wilson, (mbrojtësi i shtetit shqiptar nga copëtimi) dhe rektor i Universitetit të Princetonit, hyri në Shtëpinë e Bardhë. Ai besonte në rolin mesianik (hyjnor) të vendit të tij: Shtetet e Bashkuara kishin një “Mision të Proklamuar”, atë të përhapjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë në të gjithë botën.

         Pas epokës së presidentit Wilson, izolacionizmi mori hov nën administratat republikane. Këto administrata inkurajuan gjithashtu spekulimet me kredi dhe bursë, të cilat arritën përmasa të mëdha. Por më 24 tetor 1929, paniku shpërtheu në Wall Street. Depresioni i Madh kishte filluar. Nga viti 1929 deri në vitin 1932, më shumë se 100.000 biznese dhe 4.000 banka falimentuan. Deri në vitin 1933, pati edhe13 milionë të papunë.

         Përtej katastrofës ekonomike, ishte edhe optimizmi që kishte frymëzuar përvojën amerikane deri atëherë, që u shkatërrua.

Amerika ka nevojë për një « New Deal » “marrëveshje të re”. Dhe demokrati Franklin D. Roosevelt, i cili mori frenat e vendit në mars të vitit 1933, do ta zbatonte këtë politikë. Administrata e tij rriti ndërhyrjen shtetërore në atë që deri atëhere kishte qenë ekonomia më liberale në botë. Zgjidhja e tij dha frytet e para. Kriza u ndalua.

        Prandaj në vitin 1936, Roosevelt u rizgjodh triumfalisht. Ai do të rizgjidhej edhe dy herë të tjera dhe vdiq në detyrë, shumë i dobësuar, më 12 prill 1945, një muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Dy vjet më vonë, Kongresi e kufizoi numrin e mandateve presidenciale në dy.

       Por presidenti I sapo zgjedhur më 1936,  kishte edhe shqetësime të tjera. Kishte zëra lufte që vinin nga Gjermania dhe Japonia, të cilat, jo rastësisht, nënshkruan edhe një pakt aleance pikërisht në vitin 1936. Por një Amerikë në rimëkëmbje refuzoi t’i mbante veshët andej.. I lidhur këmbë e duar nga një kongres izolacionist, Roosevelt ishte i pafuqishëm për të ndihmuar demokracitë evropiane të sulmuara nga Hitleri në pranverën e vitit 1940.

          Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin përfundimisht në këtë konflikt nga vullneti i armikut të tyre. Më 7 dhjetor 1941, avionët japonezë sulmuan stacionin ajror detar në Pearl Harbor; dhe të nesërmen, Berlini i shpalli luftë Uashingtonit. Atëhere Amerika u transformua menjëherë në një makinë të paparë lufte. Çdo degë e industrisë dhe financës u mobilizua dhe 7.2 milionë burra u rekrutuan. Në retrospektivë, Pearl Harbor shënoi pa dashur edhe fillimin e ngritjes së Shteteve të Bashkuara në statusin e një superfuqie globale.

 

         Njëkohësisht dhe pavarësisht marrëdhënieve të mira personale ndërmjet Ruzveltit dhe Stalinit, disa vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,  një “perde e hekurt” ndau Europën më dysh. Uashingtoni filloi atëhere “Planin Marshall”, në vitin 1947, një program i gjerë ndihmsh për rindërtimin e vendeve të Evropës Perëndimore. Dy vjet më vonë, dymbëdhjetë prej vendeve të Europës Perëndimore nënshkruan një aleancë politike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara: Traktatin e Atlantikut të Veriut ose ndryshe “NATO”.

           Shtetet e Bashkuara tani sundonin mbi botën e lirë. Por brenda vetë Amerikës, nga viti 1950 deri në vitin 1954, një senator republikan nga Wisconsin, Joseph McCarthy, do të niste një klimë terrori antikomunist. Që duket se vazhdon edhe sot. Jo më larg se dje, presidenti amerikan, Trump, pohoi se Amerika nuk do të jetë kurrë komuniste.  

          Në vitin 1955, kënga  “Rock and roll përqark orësu bë himni i parë i rock and roll-it. Një përzierje e blues (“e zezë”) dhe country (“e bardhë”), kjo muzikë do të ndihmonte në thyerjen e barrierave racore dhe do të shpallte hyrjen e shoqërive perëndimore në “hedonizëm”. (Të bërit qejf si synimi i jetës).

 

        Jeta vazhdonte dhe vitet ecnin: Më 15 korrik 1960, në fjalimin e tij të pranimit për nominimin demokrat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, John F. Kennedi  do të mishëronte këtë Amerikë të re dhe ambicioze. Por zhgënjimi do të vinte shpejt…

        Racistët jugorë nuk I kishin dorëzuar armët dhe vazhdonin një betejë të ashpër për të mbrojtur privilegjet e races së bardhë. Ku Klus Kani – aju kujton diçka?!! Gjaku I afroamerikanëve vazhdonte të derdhej.. Në nivel ndërkombëtar,  Dhe pastaj ishte edhe Vietnami, ku Shtetet e Bashkuara po përfshiheshin gjithnjë e më shumë në luftën kundër kërcënimit komunist.

        Dhe kështu një mijë ditë pasi mori detyrën, presidenti Xhon Kenedi vritet në Dallas. Hetimi zyrtar arriti në përfundimin se ishte akti i një “ujku të vetmuar”, por do të lindnin dhjetëra teori konspiracioni, më shpesh duke implikuar institucionet qeveritare.

        Zëvendësuesi I Kenedit,  Lindon Johnson, do të miratonte një sërë reformash të rëndësishme shoqërore dhe politike, duke përfshirë edhe të drejtat civile për afroamerikanët. Por ai do ta humbiste shpejt ndikimin e tij pozitiv, duke nisur një luftë të plotë kundër Vietnamit të Veriut. Dëgjoni në YouTube me këtë rast këngën e mrekullueshme “Hair” që ngërthen brenda vetes gjithë tragjedinë e luftës në Vietnam.

       Ndërkohë trazirat racore shpërthejnë në qytetet e mëdha të Amerikës.  Më 3 prill 1968, vritet apostulli I lirive për afroamerikanët, Martin Luther King; më 6 qershor, u vra edhe Robert Kennedy, vëllai I Xhohn Kenedit, edhe ky kandidat për president i SHBA-ve.Vitet ’60 nisën me shumë optimizëm, por përfunduan tragjikisht.  E vetmja gjë pozitive dhe e paharruar ngjau më 21 korrik 1969, kur një amerikan, Neil Armstrong, u bë njeriu i parë që shkeli në Hënë!

 

         Richard Nixon u zgjodh president në vitin 1968. Ai premtoi të rivendoste rregullin dhe qetësinë në vend dhe t’i jepte fund Luftës së Vietnamit. Megjithatë një armëpushim me Hanoin u nënshkrua vetëm në janar të vitit 1973. Pavarësisht fuqisë së tyre të zjarrit, Shtetet e Bashkuara e humbën luftën në Vietnam. 

       Nikson i rizgjedhur triumfalisht në nëntor 1972, u detyrua të jepte dorëheqjen më 8 gusht 1974, si i përfshirë në skandalin Watergate, një çështje e errëtkjo  që përfshinte një lloj spiunazhi nga ai brenda Partisë Demokratike. Vendi kishte takuar fundin dhe as presidenti i përkohshëm, Gerald Ford, dhe as pasardhësi i tij, Jimmy Carter, nuk do të ishin në gjendje t’i nxirrnin amerikanët nga dëshpërimi i tyre.

         Në nëntor të vitit 1980, Ronald Reagan gjeti fjalët e duhura. Mesazhi i tij i thjeshtë dhe optimist i preku amerikanët e ndjeshëm: “Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”. Ashtu si Roosevelti para tij, Reagan do të “kthente situatën”. Revolucioni i tij neoliberal (“Reaganomics”) ringjalli ekonominë, por shkurtimet në programet sociale lanë mijëra qytetarë në situata të pasigurta, ndërsa shpenzimet ushtarake rritën borxhin kombëtar. Por s’ka rëndësi: morali i kombit u rrit shumë.

          Në janar të vitit 1989, stafeta i kaloi zëvendëspresidentit George H.W. Bush. Ai ishte dëshmitar i rënies së BRSS-së dhe Bllokut Lindor, pjesërisht viktima të garës së armatimeve të nisur nga Reagan dhe ngecjes së ekonomisë së planifikuar.

        Shumë i zënë me çështjet ndërkombëtare, Bush e neglizhoi popullin amerikan. Ai u mund në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992 nga një demokrat i ri nga Arkansas, Bill Clinton, (një mik tjetër i shqiptarëve ky), i cili e përqendroi të gjithë fushatën e tij në fuqinë blerëse të familjeve.

 

       Në muzgun e shekullit të 20-të Shtetet e Bashkuara u bënë kështu fuqia më e madhe dhe e vetme botërore. Presidenti Clinton sundoi botën,  (dhe çliroi Kosovën), por bëri edhe një gabim të pafalshëm: “Çështja Lewinsky”, e emëruar kështu, sipas emrit të një stazhiereje të re në Shtëpinë e Bardhë, me të cilin presidenti filloi “një marrëdhënie të papërshtatshme”, do të njolloste një mandat dyvjeçar të shënuar nga prosperiteti.

        Në dimrin e vitit 2000, pas rinumërimeve të pafundme të fletëvotimeve në Florida, George W. Bush hyri në Shtëpinë e Bardhë, tetë vjet pas largimit të babait të tij. Ky rikthim republikan ishte mbi të gjitha një fitore për neokonservatorët. Në sytë e tyre, Amerika është kombi i shpëtimit, i udhëhequr nga imperativa morale të padiskutueshme dhe interesat e të cilit janë sinonim me ato të të gjithë njerëzimit.

        Ndërsa vetë Bush pranoi se presidenca e tij pritej të ishte e qetë, e marta, 11 shtator 2001, solli një ngjarje të krahasueshme vetëm me Pearl Harbor në historinë amerikane. Katër avionë të rrëmbyer nga terroristët goditën në befasi Amerikën; dy prej tyre u përplasën në Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, të cilat u shembën shpejt. Këto sulme, të cilat morën gati 3,000 jetë njerëzish, tronditën të gjithë botën.

         I mbështetur nga 90% e amerikanëve, Presidenti Bush nisi një “kryqëzatë kundër terrorizmit”. Me Aktin Patriotik ai kufizoi liritë individuale për të siguruar lirinë kombëtare. Një ekspeditë ushtarake u nis kundër talebanëve në Afganistan. Bush më pas arriti të rrëzonte edhe regjimin irakian të Sadam Huseinit, i akuzuar për mbrojtjen e terroristëve dhe posedimin e armëve të shkatërrimit në masë – të dyja gënjeshtra të mëdha.

        Pas “viteve Bush”, zgjedhja e Barack Obamës në presidencën e Shteteve të Bashkuara më 4 nëntor 2008, përbën një moment historik. Afro-amerikani i parë që u zhvendos në Shtëpinë e Bardhë, në një vend të shënuar nga skllavëria dhe dallimet raciale, ai mishëronte të gjitha shpresat e një Amerike post-raciale.

        Përmes një programi të gjerë shpenzimesh publike dhe lehtësimesh tatimore, administrata Obama kërkoi të ringrinte ekonominë amerikane pas krizës financiare të vitit 2008. Ajo gjithashtu miratoi një program sigurimi shëndetësor (“Obamacare”) dhe negocioi një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe nënshkroi marrëveshjen e Parisit për klimën më 2016.

       Ballanca anoi nga ana tjetër me zgjedhjen e republikanit konservator Donad Trump, fill pas Obamës Tani do t’u takojë historianëve të përcaktojnë ndikimin e vërtetë të Donald Trump në historinë e veçantë të Amerikës :1776 – 2026.

v.gj.

Lini një koment