Këtë protesta që po zhvillohen tash e një muaj në bulevardin e madh të Tiranës ishin oksigjen për shoqërinë shqiptare. U thye mefshtësia, apatia, moskokëçaria, shprehja « secili për vete, Zoti për të gjithë » etj etj, që i bënte pushtetarët ta ndienin veten të plotëfuqishëm dhe të pathyeshëm.
Dhe ato duhet të vazhdojnë pa ndërprerje, masivisht dhe mbi të gjitha qytetarisht. Dhe Rama duhet të largohet se e ka mbushur dhe derdhur kupën. Dhe ai që do i zërë vendin, nga Partia Socialiste, duhet të shfuqizojë menjëherë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me investimet strategjike, Sazanin, Zvërnecin, Rrjollin etj etj. Pra ligjet që janë aprovuar për këtë çështje këto 2 vitet e fundit.
Për zgjedhje të reja, siç kërkojnë militantët e Berishës nuk ka nevojë dhe nuk duhet të mbahen. As edhe qeveri teknike. Partia Socialiste i fitoi me plebishit zgjedhjet veçse një vit më parë. Pra kryeministri i ri duhet të dalë nga radhët e saj, dhe të qeverisë me drejtësi dhe rreptësi deri në vitin 2029.
Thënë këto, dua të ndalem pak te fjalimet e protestuesve anonimë që mbahen çdo natë në bulevard. Janë disa fjalime qaramane të njerëzve pa tru, të dështuar në jetë dhe të frustruar në shoqëri.
Ajo që bie në sy është hipokrizia e tyre e pafund ! « Ne nuk deshëm të largoheshim, por na detyroi Rama” ! – shprehen disa diasporistë. Që të këpusin shpirtin !
Po si të paska dëbuar Rama ty ? – vjen pyetja llogjike. Çfarë ka bërë ai që ti je larguar nga vendi ?! Fabrikat, uzinat, kombinatet, kantieret, ku punonte e gjithë Shqipëria, nuk i mbylli dhe as i rrafshoi Rama. Nën sundimin e tij Shqipëria veçse përparoi dhe u zbukurua. Rama bëri aq sa mundi. Dhe sa diti.
Rrogat dhe pensionet janë rritur vazhdimisht në kushtet relative të Shqipërisë gjatë këtyre 13 vjetëve. Por edhe çmimet që janë rritur, nuk janë në dorë të Ramës, por të oligarkëve.
Ndryshe është e vërtetë se Rama ka një mal me gabime. Por bilanci i tij i përgjithshëm është tejet pozitiv. Dhe as që mund të krahasohet me qeverisjen e Berishës, koha më e zezë që ka kaluar Shqipëria, që pas 1990-tës!
Por Rama e derdhi kovën me qumësht, po si lopa. Sidomos me çmëndurinë e fundit: – Ajo për Sazanin dhe Zvërnecin. Apo me shitjen ose dhënien me qera të trojeve turistike oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj! Këtu u kuptua se atij i kishte marrë koka erë dhe i kishte hypur edhe vetja shumë në qejf.
Autori i këtyre radhëve ka kërkuar disa herë largimin e Ramës, jo sot që po e kërkojnë të gjithë, por që para një viti dhe më shumë. Për tu bindur për këtë mund të lexoni edhe artikujt që janë botuar në këtë blog që shumë muaj më parë.
Por le të kthehemi te protesta dhe protestuesit si dhe te diasporistët që priten të mblidhen këtë 4 korrik përsëri në bulevardin « Dëshmorët e Kombit”. Të gjithë që kanë ikur, ose 99 për qind e atyre, kanë ikur për një jetë më të mirë në Perëndimin e begatë dhe demokratik.
Se Shqipëria vazhdon të mbetet ende një vend i botës së tretë. Ku njerëzit ankohen se plazhet dhe trotuaret janë zaptuar nga “të fortët », se ende nuk ka ujë dhe drita rregullisht. Se ka një korrupsion të paparë, i ngulfatur thellë kjo sëmundje në zemrën e çdo shqiptari! Se shëndetësia dhe arsimi janë përtokë etj etj.
Pa anjë dyshim që Rama këtu ka fajet dhe dobësitë e veta që nuk janë pak. Se nuk ka dashur asnjëherë të qeverisë me dorë të fortë. Të kërkojë dhe të vendosë rregull në vend. Se sytë dhe veshët i ka mbajtur se si dhe ku mund të shkonte në ndonjë mbledhje apo takim ndërkombëtar. Prandaj edhe nuk ka arritur t’i përmirësojë gjërat si duhet, edhe në ato jetësore. I dobët si kryetar qeverie, pa asnjë grime “stofi” të burrit të shtetit.
Prandaj ai duhet me doemos të largohet. Protestat janë shumë shpresëdhënëse për një të ardhme më të mirë. Shqiptarët e duan sot Europën në Shqipëri dhe nuk ëndërrojnë më veç largimin drejt saj ! Se e kanë kuptuar se guri i rëndë peshon në vend të vet.
Ndërkohë mediat i hedhin benzinë zjarrit. Ato ose janë 100 për qind në mbështetje të kryeministrit, ose janë 1 000 për qind kundër tij. Zor se gjen qëndrime të ekuilibruara. Ndërkohë protestuesit vazhdojnë me thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”. “Edi Rama ka maru, ka maru, ka maru. Edhe Sala ka maru, ka maru, ka maru ».
Po si do vazhdohet këtej e tutje. Duket se disa protestues po kërkojnë tani përmbysje me dhunë. Ata po sulmojnë deri edhe policët me gurë. Dhe kjo nuk duhet lejuar Po si duhet të vijë zgjidhja ?!
Këtë askush nuk e di. Rama duket se nuk do ta japë dorëheqjen. Egoja e tij e një kryeministri që s’e kishte parë bota është dogëndisur dhe dërrmuar keq. Ai nuk pranon kurrsesi të largohet nën presion. Protestuesit nga ana e tyre edhe ata nuk pranojnë të tërhiqen.
Pra dikush duhet të ndërhyjë për të gjendur një zgjidhje. Para se të jetë vonë dhe të ngjasë një tragjedi tjetër si ajo në 97-tën.
Ky “dikush” duhet të jetë një ose disa personalitete me peshë në vend. Ata duhet të kërkojnë largimin e Ramës si dhe anullimin e të gjitha vendimeve të marra këto 2 vjetët e fundit mbi investitorët strategjikë si dhe vazhdimin e qeverisjes së PS-së deri në vitin 2029. Pra një taktikë ku edhe mishi të piqet (Rama) edhe helli (Shqipëria) të mos digjet.
Gjithçka tjetër do çonte në destabilizim dhe shkatërrim
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment