Supozojmë për një cast se Rama jep dorëheqjen ! Po çfarë do ngjasë më tej?! A e kanë planifikuar ata që drejtojnë protestën një rrugëdalje nga kjo gjendje?!
Sipas tyre duhet të krijohet një qeveri teknike dhe të mbahen zgjedhje të parakohshme?! Mos vallë kjo do të thotë që zgjedhjet e zhvilluara 13 muaj më parë nuk ishin të lira dhe të drejta?!
Supozojmë po ashtu se Partia Socialiste i fiton përsëri këto zgjedhje ! Çfarë do ngjasë atëhere ?! Do ta nxjerrin Partinë Socialiste jashtë ligjit?! Dhe kush?! Turma që ulurin në shesh?!
Po të isha unë drejtuesi i ndonjë “talk- show” politik në televizionet e Tiranës, do i pyesnja drejtuesit e protestës: A jeni ju dakord që Rama të largohet dhe vendin e tij ta zërë Berisha?!
Dhe ata me siguri do të më përgjigjeshin: “Ta zëjë ai që i fiton zgjedhjet”! – Po në rast se zgjedhjet e reja i fiton përsëri Partia Socialiste si do i vejë halli? – do të ishte pyetja vazhduese.
Dhe kësaj pyetjeje askush nuk do të dijë t’i përgjigjet. Me përjashtim të Berishës që me siguri do të ulurinte me “bindjen më absolute” se atij ia kishin vjedhur përsëri votat !
Dhe destabilizimi do të vazhdonte. Një qeveri teknike do të zëvëndësohej nga një qeveri e stabilitetit dhe ajo nga një qeveri e Shpëtimit Kombëtar ! Dhe në fund do të kishim përsëri në pushtet partinë demokratike !
A nuk e ka marrë kështu pushtetin Berisha edhe në vitin 1992?! Ai ia ka marrë dorën kësaj pune. Dhe prandaj është kaq i ngazëllyer këto ditë.
A e kanë marrë parasysh drejtuesit e protestave këtë mundësi: Që ata po bëjnë dashur pa dashur lojën e Berishës. Ky i fundit jo vetëm që e shkatërroi me themel vendin gjatë periudhave 1991 – 1992 dhe 1996 – 1997, por mund t’ia vëjë zjarrin edhe një herë tjetër tani!
Pa asnjë dyshim që Rama duhet të largohet pa humbur më kohë. Se e ka tepruar shumë. Sidomos me atë punën e Sazanit, Zvërnecit apo investimeve strategjike. Por jo për të riardhur Berisha. Se ai përveç atyre që përshkruajta më sipër, ka qënë personalisht në Athinë kur u nënshkrua edhe pakti i shitjes së detit Greqisë!
A mos po kërkojmë vallë të vejmë vetulla dhe po nxjerrim sytë?! Sepse këta të protestës sikur e kanë marrë me shumë yrysh. Kërkojnë largimin e Ramës, qeveri teknike dhe zgjedhje të reja! Dhe pastaj?!
Kush mund ta parashikojë të ardhmen ?! A ka këllqe Shqipëria të njohë një destabilizim të tretë brenda 36 viteve?! As Franca nuk do ta përballonte dot, jo më Shqipëria e vogël, e drobitur dhe e pafuqishme.
Por një zgjidhje duhet të gjendet me patjetër sa pa u shkatërruar ende shteti. Dhe zgjidhja është anullimi i të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë me investimet strategjike në bregdet dhe padyshin edhe ai që ka të bëjë me Sazanin dhe Zvërnecin. Anullim total.
Pastaj njerëzit dhe sidomos protestuesit duhet të presin deri në vitin 2029, kur janë parashikuar zgjedhjet e rradhës. Dhe sidomos jo zgjedhje të parakohshme se ato nuk zgjidhin asgjë. Veçse shtojnë trazirat dhe dallgët.
Edhe me kaq Shqipëria ka humbur shumë. Takimi i parashikuar i NATO-s, i planifikuar për tu mbajtur vitin e ardhshëm në Tiranë, duket se po anullohet. Hyrja në Bashkimin Europian po ashtu.
Por përveç tyre ekziston edhe rreziku edhe i tallazeve të brendshme. Tritol shtyllave të telefonit, bllokim rrugësh, sulme mbi parlament dhe kryeministri. Ashtu siç veproi Berisha në vitin 1998, kur njerëzit e tij vranë Azem Hajdarin!
Këto gjëra a i kanë menduar drejtuesit e protestës: se ata po çojnë ujë kështu, me dashje apo pa dashje nuk e di, në mullirin e Berishës! Të keqes më të madhe që ka parë ky vend?! Prandaj tani ai është shend e verë. Se kurrë nuk e kishte pritur këtë kthesë.
Si mund të dilet nga ky qorrsokak atëhere?! E para Rama duhet të japë dorëheqjen se e ka mbushur dhe derdhur kupën. Sa më shumë të kapet me thonj e me dhëmbë pas kolltukut kryeministror aq më keq do bëhet gjendja.
Sepse protestat nuk mund të shtypen me forcë. Dhe ato do të vazhdojnë sa herë ti vijë për mbarë çdo mamurrasi apo malokari! Autoriteti i shtetit dhe i qeverisë ka marrë tani një të krisur të thellë. që zor se riparohet pa kaluar disa vjet.
Ndryshe Partia Socialiste duhet ta mbledhë mëndjen tani dhe ta kuptojë se me Ramën mund të përfundojë në humnerë. Dhe ta detyrojë atë të dorëhiqet. Kryeministri i ri duhet të anullojë, siç thamë, të gjitha ligjet për bregdetin dhe investuesit strategjikë të aprovuara këto 2 vjetët e fundit.
Dhe duhet tu qëndrojë përballë edhe protestuesve duke mos pranuar as zgjedhje të reja dhe as anarshi. Se këto zgjedhje nuk do të zgjidhin kurrë kurrgjë !
Manifestuesit po kërkojnë gjasme një « Shqipëri të Re », por po kërkojnë të bëjnë edhe një « Revolucion » ! Këta janë thjesht idealistë budallenj. Se ai që po i luan fijet nga mbrapa është shumë më i zgjuar se ata. Dhe po punon për rikthimin e tij të tretë në pushtet!
Siç duket po vjen edhe “lufta finale”! Deri më tani opozita e cfilitur dhe e diskredituar nuk mblidhte dot më shumë se 500 veta në bulevard. Por tani këta 500 veta janë 20fishuar !
Dhe protestat nuk do të shuhen, siç shpreson pushteti. Ato veçse mund të shumëfishohen. Kur drejtuesit e tyre thonë që tani “është vrarë frika”, kjo do të thotë shumë! Do të thotë se nuk ka më shtet dhe frikë as nga ligjet e shtetit. Dhe kjo është tragjedi.
Prandaj duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejt. Dhe zgjidhja e vetme vjen nga ajo turbullirë amorfe që vazhdon të quhet parti socialiste! Por që nuk ka asngjë socialiste brenda saj. Dhe kjo për fajin kryekëput të Ramës.
Prandaj ekzistojnë 1001 arsye që ai të shporret. Të largohet me zgjuarsi dhe dinjitet sa kohë që shteti mbahet ende në këmbë. Se fajtori i vetëm për gjithçka po ngjan këto 31 ditë në bulevard është ai dhe vetëm ai.
Ndryshe, në rast se ai nuk pranon të largohet, do të kemi një 97 të dytë. Dhe Berisha i ka bërë gati përsëri fitilat.
Pra dorëheqja e Ramës është domosdoshmëri. Se koha nuk pret më. Është përsëri stabiliteti i vendit që është në rrezik. Ndryshe përgatituni për më të keqen.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment