Pse Rama u erdhi njerëzve në majë të hundës ?!

    

Askush deri para një muaji nuk do ta kishte parashikuar kurrë që njerëzit, 1 000, 2 000 apo 10 000 veta, do të mblidheshin mbrëmje pas mbrëmjesh në bulevard për të kërkuar dorëheqjen e tij !

    Po si erdhi puna deri këtu ?! Si spjegohet që askush, as edhe vetë Rama, nuk e parashikuan dhe as e ndjenë një mëri të tillë ndaj tyre ?! Kur dihej dhe shihej se veçse pak muaj më parë diaspora e priste Ramën si një rock star sa në Athinë, Itali, Britani e kudo gjetkë. Atëhere si ngjau ky kthim i menjëhershëm i opinionit publik ?!

     Në fakt shenjat ishin dhënë me kohë. Sidomos po të lexonje me kujdes komentet e njerëzve të zakonshëm në faqet e mediave shqiptare.

     Por përgjigja që vinte pas shprehjes së këtyre pakënaqësive zakonisht ishte nënvleftësuese: janë njerëzit e Berishëes! Kur në fakt të pakënaqur kishin ngelur edhe shumë socialistë të vërtetë.

       Të pakënaqur nga politika ekonomike liberale e kryeministrit. Të pakënaqur se ndërsa një zëvëndësministre procedohej për një arkë me peshk, dhe mire bëhej, ai që e kishte shkatërruar tërësisht këtë vend, që kishte vrarë në mes të ditës 4 veta në boulevard, nuk po I hynte gjemb në këmbë! Ai vazhdonte në planet e tij satanike që t’i vinte edhe një herë tjetër zjarrin vendit!

      Njerëzit ishin lodhur edhe nga protagonizmi i tij i vazhdueshëm. Aq sa dukej se kishim të bënim me ndonjë njeri të skenës, dhe jo me një burrë shteti.

      Arroganca, mospërfillja, përbuzja, vizionet e gabuara ekonomike – i kishin larguar njerëzit nga ai. Vajtje e panevojshme në Izrael, Rënie në gjunjë pa dobi para kryeministres italiane, takimet dhe udhëtime të përjavshme jashtë shtetit, – sikur nuk i kishte mbetur punë për të kryer në vend. Paaftësia e tij për të marrë vendime të forta dhe për tu përplasur, bënte mû. Mungesa e drejtimit të vendit me dorë të hekurt, – këto dhe të tjera ishin disa nga arsyet që njerëzit ishin zvjerdhur ndaj tij.

     Deri sa erdhi gabimi fatal I tij. Ai që e mbushi kupën dhe e derdhi. Siç kemi shkruajtur edhe para shumë muajve, turizmi ishte e vetmja fitore ekonomike e Ramës gjatë këtyre 13 vjetëve. Dhe Rama u kap pas turizmit, siç kapet i mbyturi pas fijes së kashtës. Filloi të mendonte dhe të punonte vetëm për të.

      Nxorri edhe ligje të posaçme në këtë drejtim. Duke u dhënë përparësi të madhe oligarkëve vendas dhe investuesve të huaj. Dhe këtu shkeli në dërrasë të kalbur. Se veproi sikur të ishte një faraon. I bindur se ky popull nuk kishte tru të kuptonte dhe zemër të vepronte. Dhe mbi të gjitha se ai dora vetë ishte më i dijshmi nga të gjithë, që nuk mund të gabonte kurrë !

        Filluan gardhet, dhëniet e tokave më të mira bregdetare oligarkëve vendas pa din e iman. Njerëzit shikonin dhe heshtnin. Deri atë ditë kur u bë deti kos. Kur doli lajmi se edhe Zvërneci, edhe Sazani kishin tërhequr vëmendjen e çiftit « presidencial » amerikan, vajzës së Trumpit dhe dhëndërit të tij, Jared Kushner.

        Larg çdo konsultimi, larg çdo lloj transparence me njerëzit, ai priste Ivanka Trump-in në kryeministri dhe hartonte me të dhe burrin e saj plane për investimet e tyre në Sazan dhe Zvërnec !

       Asnjë komunikim. Asnjë konferencë shtypi se çfarë po ngjante dhe çfarë po planifikohej. Shqiptarët i merrnin vesh të gjitha veçse nga shtypi i huaj. Zotëria e tij nuk pranonte të spjegohej.

       Dhe boll ishte boll. Enough is enough – siç thonë anglezët. Dhe vullkani shpërtheu! Sot shumica e njerëzve kërkojnë largimin e Ramës nga posti i kryeministrit. Me të drejtë. Dhe secili për arsyet e veta.

        Pëdë-istët e Berishës janë shumë të gëzuar. Se më në fund, pas 13 vite vuajtjesh, mungesash dhe izolimi, ata po shijojnë sot shkatërrimin e imazhit të kryeministrit rival.

       Edhe socialistët e thjeshtë janë të ndërkryer ndaj tij dhe pozave të tij kozmopolite, sidomos që kur ai e mbushi edhe parlamentin dhe qeverinë me tipa zeqinesh, neomalësoresh dhe Lenka Çukosh, pa asnjë lidhje dhe kontribut me PS-në! Ndërkohë që ka larguar prej saj më të mirët.

       Aq i madh është  zhgënjimi dhe zëmërimi saqë duket se sot Ramën nuk ka kush ta mbrojë. Veçse ata që mund të mbyten bashkë me të!

     Ka shumë për të shkruar dhe për të folur për zhgënjimin e pamatë të njerëzve me Edi Ramën. Me narcisizmin e tij karakteristik. Me paaftësinë e tij për ti vënë pikat mbi “i”.

     Një “SPAK” i pazgjedhur nga askush merr papritur më shumë kompetenca se një qeveri e zgjedhur nga populli. Dhe Rama rri dhe vështron. Ndërkohë që njerëzit kërkojnë drejtësi edhe për Gërdecin. Me një fjalë krejtësisht i pazoti për të nxjerrë qimen nga qulli. Por i paarritshëm në mëndjemadhësinë e tij!

     Trembëdhjetë vjet janë shumë për ta ngritur një vend në këmbë. Por këto vite u shpërdoruan me show-ra pa vlerë. Me takime jashtë shtetit. Me lënien e punëve zvarrë, hiq e mos e këput. Pra një mungesë totale e fibrës së një burri shteti.

     Hyrja në BE dhe turizmi ishin piketat e tij të pandryshueshme. Por një turizëm i mbyllur në një ishull apo një zone si Zvërneci, nuk i sjell asnjë të ardhur arkës së shtetit apo xhepit të njerëzve. Se turistët do të hanë, do pinë, prenotojnë dhe paguajnë gjithçka te pronari i hotelit ! Për më shumë edhe kur ti ke pranuar të bësh « xhymertin » me pronat e shqiptarëve duke i dhënë ato për një cope bukë. Si Berisha me “TAP”in dhe “Banker”-sin!

    Dhe nuk dihej nëse Sazani do jepej për 100 vjet me qera dhe pa asnjë taksë apo do i falej zotit Kushner! Asgjë nuk dihej. Deri sa kapaku i tenxheres u hodh në erë dhe lakrat dolën sheshit. Dhe vetëm atëhere dhe për her% të par%, Rama filloi të shpjegohej dhe të mohonte gjithçka. Kur lajmi mori dhenë dhe bulevardi u mbush plot!

    Pyetja pa përgjigje tani për tani mbetet: Cila është zgjidhja?! Se Rama nuk do të largohet. Krenaria e tij nuk ia lejon të mbetet në histori si i larguar me dru nga protestuesit. Por ai nuk largohet dhe protestat vazhdojnë ! Si i bëhet hallit atëhere ?! Një gjë është e sigurt : Ylli i tij është zvenitur. Nuk është më Rama hokatar, mik me më të mëdhenjtë e globit.

      Ardhja në Tiranë edhe e 5 eurodeputetëve që i kërkuan Ramës të mendojë më shumë për popullin dhe më pak për oligarkët ishte një tjetër dackë për të. Sot për Sazanin po diskutohet deri në Kongresin amerikan !

      Por edhe largimi i detyrueshëm i Ramës zor se do sjellë qetësi. Se protestuesit dhe sidomos mamurrasit e Berishës do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Dhe në rast se ato i fiton përsëri Partia Socialiste, kush ka thënë që protestat do ndalen?! Se dihet se Berisha nuk humbet kurrë. Atij veçse ia vjedhin votat ! Të shkretit !

        Shqipëria gjendet kështu para rrezikut të një destabiliteti të ri. Të shkatërrimit të autoritetit të shtetit. Mund të rifillojnë molotovët, prerjet e shtyllave të energjisë elektrike, bllokimet e rrugëve etj etj.

      Zgjidhja e vetme mbetet heqja dorë hë për hë nga anëtarësimi në Bashkimin Europian. Të paktën për 10 vitet e ardhshme. Ngritja e një qeverie të re socialiste, e cila do të anullojë të gjitha ligjet dhe marrëveshjet e derisotme të Ramës për investitorët strategjikë.

       Ndryshe heqja e të gjitha kompetencave « SPAK »-ut dhe arrestimi i Berishës, përgjegjës për vrasjet në bulevard ! Vendosja e rendit dhe ligjit në vend duke përdorur të gjithë pushtetin që të jep forca e shtetit.

        Dënimin maksimal të të gjithë atyre që do të duan të përfitojnë nga rrëmuja dhe rrëmeti në vend, duke shkatërruar institucionet shtetërore. Me një fjalë sundimi me dorë të fortë deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2029.

      Tjetra zgjidhje është dorëzimi i pushtetit te Berisha, siç kanë bërë socialistët në vitin 1991 me Ylli Bufin kryeministër, ose më 2005 me Fatos Nanon kryeministër. Edhe një herë më shumë nuk është fundi i botës ! Se socialistët ia kanë marrë dorën kësaj pune.

           Dhe po të rivijë Berisha në pushtet protestat do të ndalen si me magji. Ndryshe e di ai se si i bën zap ato! Kohë të vështira dhe të pasigurta e presin Shqipërinë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment