një shqiptar në krye ?!
Për muaj të tërë, Evropa ka qëndruar duke vështruar pa lëvizur Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, teksa këto ndërtonin modelet e tyre të Inteligjencës Artficiale, që do të zhvillojnë dhe përparojnë si kurrë më parë ekonomitë dixhitale të këtij shekulli. Por këtë 19 qershor, pra pikërisht 10 ditë më parë, Komisioni Evropian vendosi të ndalonte së vëzhguari dhe së prituri.
Atë ditë, Brukseli shpalli edhe fituesin e konkursit të tij, « Sfida e Madhe ». Është konsorciumi » EUROPA », i udhëhequr nga « Domyn », një startup i krijuar në Itali, që pothuajse të gjithë vëzhguesit dhe specialistët e fushës së informatikës e njihnin ende me emrin e tij të mëparshëm, « iGenius », që është ngarkuar tani me një mision që është njëkohësisht sa i saktë aq edhe ambicioz: të ndërtojë një model I.A. me burim të hapur, i aftë të tejkalojë…400 miliardë parametra dhe të përdorë 24 gjuhët zyrtare të BE-së duke përdorur superkompjuterët evropianë.
Zgjedhja e « Domyn” ishte e papritur dhe e pa parashikuar nga specialistët europianë të I.A.-së (Inteligjencës Artificiale). Dhe ata pyetën : pse « Domyn” dhe jo “Mistral”?
Për ata që nuk e dinë, “Mistral”, mbahet si kampioni francez i inteligjencës artificiale sovrane, I cili e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij mbi këtë strategji : sovranitetin !
Ai ka pasë nënshkruar deri më sot kontrata të rëndësishme me ministrinë franceze të mbrojtjes, me Bankën e Kursimeve, me Zyrën Europiane të Patentave si dhe me pothuajse çdo institucion të ndjeshëm dhe me rëndësi në kontinentin europian. Megjithatë, ishte “Domyn” që fitoi konkursin e shpallur në shkurt të këtij viti!
Megjithatë ka disa rrethana që të ndihmojnë për ta kuptuar zgjedhjen e tij nga Komisioni Europian në Bruksel. Se “Domyn” nuk është fare i pa-njohur në sektorin financiar dhe administratat evropiane. Kjo kompani është themeluar 10 vjet më parë në Milano të Italisë, nga… dhe këtu hapini mirë sytë… nga shqiptari Uljan Sharka, bëjnë me dije mediat e huaja.
Kjo kompani është specializuar që nga fillimi në modele dhe module që nuk mbështeten në cloud-in e të tjerëve. Pra çdo klient i “Domyn” me fjalë të tjera ka “cloudin” e tij personal. Megjithëse e kanë pagëzuar me emrin “re”, si retë e shiut, çdo kloud në fakt është një qëndër përpunimi dhe publikimi të dhënash, (the dates) i vendosur diku në ndonjë depo!
Dhe ky ishte pikërisht mesazhi që Brukseli donte të dëgjonte: pavarësi nga varësia ndaj Git-hubeve ndërkombëtare.
“Domyn” ka punuar për këtë qëllim edhe me një konsorcium që përfshin Fraunhofer-Gesellschaft-in gjerman (rrjeti më i madh i kërkimit të aplikuar në Evropë) dhe mund të shfrytëzojë klasterin e vet Blackwell me rreth 5.760 çipa, përveç burimeve të EuroHPC të huazuara nga Komisioni Europian. Klaster është një rrjet kompjuterash që punon në intranet, pra të lidhur me njëri tjetrin, por jo me internetin, dhe që trajton të dhëna të veçanta. Ndryshe klasterin e cilësojnë edhe si një lloj lidhjeje në formë nyeje.
Dhe kështu Uljan Sharkaj, bëhet emri I dytë më i dëgjuar shqiptar në botën e informatikës dhe Inteligjencës Artificiale. Pas Mira Muratit, një peshë e rëndë kjo në këtë fushë që punon pranë grupeve më të njohura të Inteligjencës Artificiale në Amerikë!
Për një kontinent, si Europa, pengesa kryesore e të cilit në garën e IA-ve ka qenë gjithmonë infrastruktura kompjuterike dhe jo studiuesit, ky ishte çmimi i vërtetë që duhej fituar. Henna Virkkunen, zëvendëspresidente ekzekutive e Komisionit Europian, përgjegjëse për sovranitetin teknologjik, e deklaroi ambicionin e BE-së pa mëdyshje: “Evropa mund dhe duhet të jetë lidere në IA-në e përparuar sipas kushteve të veta” – I tha ajo mediave të huaja pas shpalljes së laureatit fitues.
Siç thamë, konkursi nisi në shkurt të vitit 2026, në javët pas shenjave të para të shtrëngimit të kontrolleve të eksportit të modeleve të inteligjencës artificiale nga SHBA-ja. Italia dhe Republika Çeke kufizuan me këtë rast aksesin në distancë për modelin kinez të DeepSeek, në një kohë kur modelet amerikane Mythos 5 dhe Fable 5 të Anthropic u ndaluan përkohësisht nga lidhja me shtetasit e huaj!
Në këtë kontekst, retorika e sovranitetit merr një formë shumë konkrete: nëse gjykatat, spitalet dhe ministritë europiane i drejtojnë shërbimet e tyre në Hub-e të vendosura diku tjetër dhe të arritshme vetëm sipas kushteve të përcaktuara nga një qeveri e huaj, hapësira e tyre për manovrim është tejet e kufizuar. Sepse ju jeni në dorën e aktorëve të huaj.
“EUROPA”, ky është edhe titulli I këtij projekti, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kësaj dobësie strukturore dhe përdorimi i 24 gjuhëve zyrtare të BE-së është thelbësor që modeli të jetë i përdorshëm nga të gjitha administratat e vendeve të 27 –shes, duke nisur nga maltishtja në lituanisht, që do të thotë që këndej e tutje gjuha e punës të mos përcaktojë më cilësinë e inteligjencës artificiale në dispozicion, Dhe ajo, gjuha e punës në I.A. të jetë në të njëjtin nivel për çdo shtet anëtar.
Duke folur për këtë projekt, drejtori ekzekutiv i « Domyn », Uljan Sharka, i tha Reuters se “modeli do të publikohej si burim i hapur (open source) brenda një viti. Trajnimi i një programi prej më shumë se 400 miliardë parametrash, duke mbuluar 24 gjuhë në një infrastrukturë të përbashkët, përmes një konsorciumi që duhet të koordinojë institucionet nga disa vende: ky është lloji I një sipërmarrjeje gjiganteske që kërkon përkushtim, aftësi të veçanta dhe syhapje”,- pohoi drejtuesi shqiptar.
Nga ana tjetër, ajo që ka bërë Komisioni kësaj rradhe është simbolikisht e rëndësishme dhe praktikisht e dobishme. Se për herë të parë Komisioni Europian po financon drejtpërsëdrejti një program dhe nuk po harton një rregullore!
Dhe ja pra: pak nga pak shqiptarët kanë filluar të gjejnë vendin e tyre edhe në fusha të tilla të avangardës shkencore, siç është ajo e Inteligjencës Artificiale.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment