Rama ia arriti me sukses të plotë të ndezë përçarjen më të madhe kombëtare ndërmjet shqiptarëve! 

         Një histeri të tërë ka ngjallur regjimi i sotëm në Tiranë ndaj të gjithë shqiptarëve që nuk jetojnë brenda 28 mijë kilometrave katrorë të vendit. Madje edhe shqiptarët e diasporës sot po shihen me sy të keq.

         Qeveria e Ramës i konsideron ata si një rrezik sigurie për vendin! Apo për sundimin e saj! Madje disa media duken shumë të lumtura të nxisin këto dasi! Aq keq ka vajtur puna saqë sot mund të pohohet pa frikë fare se kurrë marrëdhëniet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit nuk kanë qënë më të ftohta!

     Dhe për këtë faji është krejtësisht dhe totalisht i Edi Ramës. Që kur mori pushtetin 13 vjet më parë ai nisi menjëherë flirtet me regjimin e Beogradit. Duke anashkaluar krejtësisht qëndrimet dhe interesat e Kosovës.

     Ai u kthye edhe në një nga promovuesit dhe mbështetësit kryesorë të “Ballkanit të hapur” – një teori dhe praktikë kjo që i interesonte shumë Serbisë!

    Zero probleme me fqinjët-  ishte parrulla e tij. Në parim është një qëndrim i drejtë. Të shkuarën nuk duhet ta harrojmë kurrsesi, por ajo nuk duhet të bëhet pengesë për të ardhmen.

    Megjithatë edhe këtu ka një “por”! Se nuk duhen ndryshuar dhe kurrsesi përmbysur raportet ndërmjet njerëzve të familjes dhe “kojshisë”! Aq më shumë që Shqipëria nuk është më vend fqinj me Serbinë. Mes këtyre dy vendeve tani gjenden Kosova dhe Mali i Zi!

     Dmth marrëdhëniet e tendosura nuk lindën tani, por ato kanë vite. Përgjegjësi këtu mban deri diku edhe vetë Albin Kurti, i cili ndërhyri hapur gjatë zgjedhjeve politike të parafundit në Shqipëri.

    Por këto ditë këto marrëdhënie të tensionuara kanë njohur maja të reja. Albin Kurtin madje e kanë akuzuar se ka organizuar çuarjen me kamionë dhe autobusë të militantëve të tij në Tiranë në mbështetje të protestave.

    Tani le t’i studiojnë me qetësi këto ngjarje. Dhe pyetja është: A kanë të drejtë shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë të “ përzihen dhe fusin hundët” në punët e Shqipërisë?!

    Këtu ka dy gjëra. Dy qëndrime të ndryshme. Gjatë zgjedhjeve legjislative në vend, e drejta për të zgjedhur qeverinë që do administrojë vendin. i takon në rradhë të parë dhe të fundit popullit që banon atje. Madje kjo do drejtë nuk u takon më as mërgimtarëve që janë tash stabilizuar një herë e mirë në vendin ku kanë shkuar.

         Ndryshe, madje tejet ndryshe, është çështja nëse kufijtë e Shqipërisë apo të Kosovës vihen në rrezik.Çdo shqiptar i vërtetë duhet të ngrihet atëhere e të hidhet në mbrojtje të kufijve të kombit tonë.

            Në rastin konkret askush nuk po i vë në pikëpyetje kufijtë e Shqipërisë. Por po ngjan diçka tjetër. Një qeveri kozmopolite, e korruptuar dhe globaliste ka vendosur t’ia kalojë dy perla të bregdetit shqiptar investuesve të huaj. Pa e njoftuar fare popullin e saj rreth kushteve dhe kontratës së faljes, shitjes apo dhënies me qera të këtyre trojeve!

       Dikur Zogu i fali Serbisë Manastirin e Shën Naumit, si shpërblim për ndihmën e dhënë nga Beogradi për kthimin e tij në pushtet. Dhe shqiptarët sot nuk duan të përsëritet e njëjta histori. Kësaj rradhe nuk kemi të bëjmë me shpërblim për kthimin në pushtet, por për mbetjen në pushtet!

    Në këto kushte kur territori i vendit nxirret në shitje, falet apo jepet me qera larg syve dhe zemrës së popullit të tij, çdo shqiptar, kudo që të ndodhet, në Perëndim, Kosovë, Maqedoni etj ka të drejtë të shqetësohet.         

            Nuk duhet harruar me këtë rast edhe veprimi i heroit të popullit, Avni Rustemi që ekzekutoi në mes të Parisit, tregtarin më të madh të trojeve shqiptare, Esat Pashë Toptanin!

     Prandaj edhe shqiptarët e Kosovës, bashkë me ata të diasporës kanë të drejtën absolute të shprehen lidhur me këtë çështje. Ose aty ku ndodhen, ose duke vajtur në Tiranë! Sado që kjo nuk i pëlqen Edi Ramës.

    Çudia e çudive është se ky i fundit, që është shprehur që Shqipëria nuk i takon vetëm shqiptarëve, por edhe gjithë botës(!), hidhet përpjetë kur sheh në bulevard shqiptarë të ardhur nga viset të tjera!

     Dhe prandaj ka filluar tani të ngjallë një skizofreni antikosovare në vend! Për këtë duket se i shërbeu edhe rasti i besimtares myslimane kosovare, Ikbale Berisha Haduti, e cila u shpall si non grata në Shqipëri për 15 vitet e ardhshme. Sepse u konsiderua si islamiste e afërt me regjimin iranian dhe antiamerikane!

      Por a mund të futen të gjithë shqiptarët e Kosovës në një thes?! Kjo mund të ngjasë veçse nëse do të mbjellësh një përçarje të madhe në mes të kombit! Gjë që nuk ka për të ngjarë kurrë, sado të përpiqet Edi Rama me shërbëtorët e tij.

                                                                                          Nga Viron Gjymshana

Lini një koment