Këto protesta të papritura dhe të paparashikuara nga askush, sidomos nga klasa politike, duken qartë se e kanë shqetësuar tej mase regjimin që sundon në vend prej 36 vitesh.
Kundër këtyre protestave ky regjim ka mobilizuar të gjithë aparatin e tij mediatik dhe propagandistik. Dhe siç veprojnë gjithmonë në të tilla raste rufianët, vëmendja përpiqet të shmanget nga problemi kryesor, “pse”-ja e këtyre manifestimeve, duke u përqëndruar te pjesëmarrësit e tij. Mjafton që dikush të flasë kundër investimit në Zvërnec për t’u cilësuar si antiamerikan!
Kështu psh ka 3 ditë që mediat e financuara nga pushteti po merren me një Dritan Goxhaj, që pati guximin e “marrë” të shpaloste programin minimum të kërkesave të demonstruesve. Ku kërkesa kryesore ishte dorëheqja apo largimi i Edi Ramës.
“Rama në burg, Berisha në burg” duket se është kërkesa më e padurueshme për establishmentiin, që ka sunduar vendin gjatë këtyre 36 viteve të fundit!
Prandaj edhe epitetet ndaj protestuesve po shtohen çdo ditë e më shumë. Sidomos nofkat si neomarksistë dhe islamistë që zëjnë vendin e parë!
Dhe pse gjithë kjo?! Thjesht se protestuesit kërkojnë një Shqipëri të re, ku pasuritë kombëtare të mos privatizohen dhe të bien në duart e disa oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj! Edhe fjala “Revolucion” iu vret po ashtu tmerrësisht veshët të gjithë atyre që janë pasuruar rëndshëm gjatë këtyre viteve!
“Ti ke ngelur i varfër?! Me një rrogë me të cilën mezi mbyll muajin?! Aq më keq për ty që nuk je i zoti”! “Por unë nuk di të vjedh?! Dhe nuk i përshpirtem dot të pushtetshmëve të kësaj bote.Ndërsa ndërgjegja dhe edukata me të cilat jam rritur më ndalon të merrem edhe me shitjen e drogës”!… Këto përgjigje të këtij fatkeqi shkaktojnë sot vetëm të qeshura në gjirin e atyre që janë bërë me vila, hotele dhe me miliona!
Ja pra këtë praktikë duan të ndryshojnë këta protestues. Që njerëzit e ndershëm të mos konsiderohen më si të paaftë apo të metë nga trutë e kokës!
Protestuesit nuk duan po ashtu që kromi, bakri, nafta etj etj të bien në duart private. Por që ato të shfrytëzohen në të mirë të mbarë popullit shqiptar.
Por kërkesa të tilla bien në kundërshtim të plotë me bindjet ekonomike dhe pikëpamjet kozmopolite dhe globaliste të Ramës dhe Berishës. Të cilët e kanë nxjerrë Shqipërinë në shitje për një euro(!), që ditën e parë që morën pushtetin dhe deri më sot.
Por Rama nuk tërhiqet. Resortet do ndërtohen ashtu siç kam vendosur unë me Kushnerin – përgjigjet ai. Nga ana e tij Berisha përpiqet tinëzisht ta kthejë këtë lumë protestash në sinorin tij.
E vërteta është se në këto demonstrata ka nga të gjitha rrymat e pikëpamjet. Aty ka neomarksistë që janë kundër shitjes copa copa të Shqipërisë,- deri në pasardhësit e bejlerëve dhe çifligarëve të dikurshëm, që kërkojnë kthimin e feudeve të tyre. Ka ballistë dhe zogistë, por edhe bij e bija, nipër e mbesa të atyre që kanë derdhur dikur gjakun për çlirimin e vendit.
Po a ka rrugëdalje?! Sigurisht që ka. Por kjo bie në kundërshtim të hapur me praktikat e ndjekura deri më sot. Pa asnjë dyshim protestuesit nuk kërkojnë kthimin e sistemit të vjetër e të dështuar komunist. Jo. Ata thjesht kërkojnë një shoqëri më të drejtë. Një shtet që nuk punon vetëm për të kamurit, por dëgjon edhe shtresat e varfëra. Që kryen një ndarje të drejtë të pasurisë! Ndryshe një kapitalizëm me fytyrë Njeriu.
Dihet se si ka disa lloje sistemesh ekonomike, ka gjithashtu disa lloje kapitalizmi. Kemi psh kapitalizmin e egër, ku njerëzit nuk duan t’ia dinë për të tjerët dhe shoqërinë, por vetëm për interesin e tyre vetjak.
Por kemi edhe kapitalizmin social- demokrat, që ka sunduar për dhjetra vjet në vendet skandinave. Kemi po ashtu ekonominë sociale të tregut, që ka arritur rezultate të mahnitshme në Gjermani, Belgjikë, Francë, Hollandë etj. Dhe i fundit fare kapitalizmi alla kinez, që është një ndërthurje ndërmjet ekonomisë kapitaliste të tregut vënë nën vëzhgimin dhe drejtimin e Partisë Komuniste atje.
Pra ka për të marrë dhe për të lënë. Prandaj nuk kishte asnjë arsye që pas formës më të keqen të komunizmit të adoptuar në Shqipëri, shqiptarët të binin tani edhe nën formën më të keqen të kapitalizmit.
Por çfarë mund të sjellin këto protesta në Tiranë?! Edhe pak, edhe shumë. Pak se ato nuk mund t’a përmbysin këtë formë regjimi që sundon tashmë e 36 vjet. Dhe që i ka shkaktuar dëme të pariparueshme këtij vendi. Shumë se tani asgjë nuk do të jetë si më parë. Kasta politike dhe ekonomike, e pasuruar marrëzishëm gjatë këtyre 36 viteve, do të detyrohet t’i vëjë gishtin kokës.
Se njerëzit në bulevard po kërkojnë një lloj qeverisje të re. Dhe në rast se nuk ndihmohen ata mund t’a ndryshojnë votën ditën e zgjedhjeve të ardhshme. Dhe kjo i tmerron dhe i tremb pa fund dyshen Berisha – Rama dhe shpurën e tyre.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment