Dinë çfarë nuk duan, por nuk dinë çfarë duan!

         Siç është thënë dhe përsëritur pot herë protestat në Tiranë ishin dhe janë diçka shumë pozitive për shoqërinë shqiptare. Protesta të lira dhe shumëngjyrëshe. Shqiptarët po manifestojnë kundër këtyre 36 vjet keqqeverisjeje dhe shkërdhatokracie, siç e ka cilësuar dikur poeti Dritëro Agolli.

      Dhe protestuesit janë tejet të qartë në kërkesat e tyre: njëra nga më kryesoret prej të cilave është dorëheqja e Ramës dhe si pasojë zgjedhje të reja! Dhe kanë të drejtë. Ka 36 vjet që Shqipëria rrotullohet rreth këtyre 2 emrave: Sali Berishës dhe Edi Ramës. Këta u bënë të njohur pikërisht që në vitin 1990. Dhe që atëhere u kanë hipur në zverk shqiptarëve dhe nuk duan të zbresin që andej.

       Sikur të pikuar nga qielli të ishin, 36 vjet janë shumë. Ndërkohë që jo vetëm që nuk janë të pikuar, por e kanë shkatërruar përfundimisht këtë vend. Sidomos gjatë periudhës 1992 – 1997!

      Kanë kaluar 30 vjet që atëhere. Një brez i tërë. 45 vjet sundoi regjimi komunist në Shqipëri deri sa shqiptarëve u erdhi në majë të hundëe! 36 vjet ka ky sistemi i ri që disa e quajnë kapitalist dhe disa të tjerë “demokratik”!

      Sigurisht që sistemi i tashëm është shumë më i lirë se regjimi diktatorial komunist. Sot çdokush është i lirë të jetojë dhe punojë ku të dojë. Sigurimi i tmerrshëm që përgjonte njerëzit se çfarë flisnin në familje apo në shoqëri, u zhduk nga qarkullimi. Ata që kanë qeverisur këto 36 vjet u kanë thënë njerëzve: -tani ju jeni vetë përgjegjës për jetën tuaj, veprimet dhe mosveprimet tuaja!

     Një baba të rreptë që të vë kufinj nuk e do askush. Por një baba liberal që të lë të ikish dhe të kthehesh kur të duash në shtëpi, të gjithë e adhurojnë! Le pastaj sikur tu lejojë edhe drogën, edhe pijen apo disko-party deri në 2 të mëngjezit!

      Dhe ja sot gjendemi para protestave, që jo vetëm në kohën e komunizmit që as që mund të imagjinoheshin , por as deri edhe disa vjet më parë, kur për protesta më të vogla se kjo u derdh gjaku në boulevard!

       Dhe pavarësisht bukurisë dhe dobisë  së tyre, këto protesta e kanë një të metë. Se nuk dijnë se ku po shkojnë. Dhe se si do t’i arrijnë qëllimet e tyre ! Supozojmë tani një çast se Rama jep dorëheqjen si kryeministër. Kush do ta zëvëndësojë?! Cili do të jetë kryeministri i ardhshëm dhe kush do ta zgjedhë dhe do ta aprovojë!

       Është kollaj të thuash qeveri teknike. Po kush do ta zgjedhë këtë qeveri teknike?! Kush do ta aprovojë në Parlament?! Dhe supozojmë përsëri që Rama largohet me gjithë qeverinë e tij. Parlamenti edhe mund të qëndrojë, por edhe mund të shpërndahet! Si do bëhet atëhere trazicioni drejt një qeverie të re teknike, e pazgjedhur nga askush?!

       Dhe ja edhe kjo qeveri e mori pushtetin dhe po organizon zgjedhje të reja! Kush do t’i fitojë ato?! Pa asnjë dyshim përsëri Partia Socialiste! Si partia me mbështetjen më të madhe në vend. Kur për më shumë dihet se shqiptarët asnjëherë nuk do të votojnë për një parti lokaliste, veriore me një të kaluar aq tragjike për vendit. Që për më shumë sot është kthyer në një parti që mbron interest familjare të drejtuesit të saj!

        Ndërsa Partia Socialiste ka rrënjë të thella dhe të përhapura ngado. Dhe si pasojë e këtyre zgjedhjeve të reja të parakohshme Partia Socialiste fiton dhe Rama vjen përsëri në pushtet ! Ku ishim? Asgjëkundi !

      Po protestuesit çfarë do bëjnë pastaj?! Protesta pa mbarim deri sa të zgjidhet ai që duan ata ?! Po ky është problemi se as protestuesit nuk e dinë se çfarë duan. Kë duan psh për kryetar qeverie?! Se kryeministri zgjidhet me votë popullore dhe jo me votë bulevardi.

      Shkurt fare rrezikojmë një përsëritje të vitit 1997.  Destabilizim total të vendit. Pa kryeministër, pa qeveri, pa parlament ! Rrezikojmë deri edhe shpërbërjen e vendit dhe ndarjen e tij.

      Prandaj protestuesit duhet të dinë se çfarë kërkojnë. Dhe më kryesorja të mos bëjnë gabimin e marrë të identifikohen me popullin! Pa dyshim që ata janë një pjesë e popullit, por jo i gjithë populli ! Ky është qarku vicioz : Gracka ku mund të bjerë përsëri Shqipëria si më 1997 !

    Si i bëhet atëhere ?! Cila mund të jetë zgjidhja ?! Pa asnjë dyshim jo revolucioni. E pamë njëherë, apo dy herë, se çfarë fituam nga revolucionet në vitin 1992 dhe 1997!

     Për mendimin tim protestat duhet të vazhdojnë deri në largimin e Ramës nga posti. Njëkohësisht duhen anulluar ligjet që favorizojnë shitjen e pasurive kombëtare oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj. Shqipëria nuk është në shitje. Partia Socialiste duhet të zgjedhë një kryetar të ri partie që do të jetë njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë së re. Dhe pas një viti të organizohen zgjedhje të reja.

     Me një fjalë duhet ecur hap pas hapi. Me vetëpërmbajtje dhe mënçuri. Çdo rrugë tjetër do na çojë në një kaos të ri. Në një kthim tjetër prapa. Siç ngjau gjatë revolucionit antikomunist të vitit 1992 dhe atij « antipiramida » të vitit 1997.

     Shqipëria e vogël dhe e drobitur nuk ka këllqe të durojë shkatërrime dhe revolucione të tjera. Popujt e mënçëm përparojnë nëpërmjet evolucionit, jo revolucionit.

      Kur Rama të jetë larguar, kur ligjet e tij të privatizimeve dhe investuesve strategjikë të jenë anulluar, nuk do ketë më nevojë për vazhdimin e protestave. Duhen pritur me qetësi zgjedhjet e radhës që mund të mbahen në çdo kohë. Rrugë tjetër nuk ka.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment