Manifestimet popullore në bulevardin e Tiranës po i afrohen ditës së tyre të njëzetë. Për njëzet ditë pa ndërprerje protestuesit po shprehin me forcë dufin e tyre ndaj politikës së ndjekur nga Edi Rama gjatë këtyre 13 viteve të fundit.
Por këto demonstrime ndodhen sot para një rreziku të madh: shmangjies së tyre nga qëllimi dhe motivi që i lindi. Rreziku i dukshëm është që këto mund të përdoren dhe po përdoren për qëllimet personale të disave apo nga transformimi i tyre në një mjet që dikush, i rrëzuar nga populli 2 herë me rradhë, të rikthehet në pushtet !
Çvlerësimi i protestës, humbja e shpirtit të saj – rrezikon t’i largojë shumicën e njerëzve prej saj. Dhe pa asnjë dyshim atëhere në shesh do të vazhdojnë të qëndrojnë vetëm militantët e partisë demokratike, të cilët do të vazhdojnë të këndojnë me një zë të zvargur sikur po qajnë : « Edi Rama ka maru, ka maru, ka maru » !
Protesta pati si shkëndijë të parë sjelljen barbare të një policie private kundër protestuesve në Zvërnec. Dhe qëndrimin indiferent të policisë shtetërore ndaj kësaj policie private të oligarkëve.
Gjithë kjo ndodhi se 2 miliarderë të huaj, siç dihet Jared Kushner dhe Ivanka Trump, donin të krijonin aty një resort madhështor turistik. Së bashku me atë në ishullin e Sazanit.
Planet po hartoheshin në fshehtësi të plotë. Sidomos përsa i takon qeverisë shqiptare. Gjithçka mësohej veç nga mediat e huaja! Shitja e vendit po bëhej prapa krahëve të popullit shqiptar.
Edi Rama, të cilit kishte filluar t’i dukej vetja si shumë i zgjuar dhe i zoti, rrinte i heshtur si Sfinksi. Ai nuk e shihte të nevojshme të spjegonte se çfarë po ngjante me pasuritë e vendit!
Dhe ajo shkëndi ndezi një zjarr të madh. Që rrezikon së pari të djegë arrogantin,të papërgjegjshmin dhe të paaftin e madh. Sepse tani po kalohen në sitë edhe të gjitha këto 36 vjet keqqeverisje e paparë.
Po kalohen nën lupë po ashtu shitblerja e pasurive kombëtare oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj. Ose dhënia e tyre për një euro, falas, me të drejtë mospagimi takse për 6 ose më shumë vjet etj etj.
Se edhe Rama, menjëherë pas Berishës, po punon me zell të madh në këtë drejtim. Sepse ai është “i djathtë! Dhe një i djathtë nuk e duron dot publiken, shfrytëzimin nga shteti të vendit. Jo. Sipas “Të Gjatit” gjithçka duhet të privatizohet. Toka, nafta (Bankers), kromi, linjiti, lumi etj etj. Vetëm ajrit dhe ujit të detit nuk ia ka gjetur dot deri më tani!
Sepse edhe Shqipëria, sipas këtij shkencëtari dhe politikani të qametit, nuk u takoka vetëm shqiptarëve! Por gjithë botës! Prandaj po e mbush vendin edhe me tajlandezë, bangladeshas, Filipinas etj etj. Dhe kjo si për ta “blobalizuar” vendin tone, por po ashtu edhe për t’i ndihmuar oligarkët që të gjejnë krahë pune me paga të ulta! Ja se çfarë niveli ka?!
Siç kam shkruajtur edhe 2 – 3 ditë më parë, protestuesit kanë plotësisht të drejtë në kërkesat e tyre. Prandaj edhe duhet t’i vazhdojnë ato, ndofta edhe 1 ose 2 javë të tjera ose edhe më shumë.
Por po ngjan diçka e shëmtuar me këto manifestime. Që nuk ngjanë 2 – 3 ditët e para. Siç është psh dhënia e fjalës në podium e kujtdo njeriu, pa asnjë farë filtri!
Përveç atyre që e marrin mikrofonin për arsye të mirëfillta politike, që denoncojnë planet e fshehura me kujdes rreth Sazanit dhe Zvërnecit, keqqeverisjen 39 vjeçare, ka edhe plot e plot të tjerë që e marrin mikrofonin për shkaqe personale ose për tu dukur edhe ata!
Ka disa të tjerë, më të maskuar, që bëjnë thirrje që Rama të largohet, por pa e spjeguar mirë se kush duhet t’ia zejë vendin dhe si! Pak nga pak kjo “agorë” po kthehet kështu në një tubim të të frustruarve apo demagogëve të regjur! Dhe kjo është gjëja më e shëmtuar që mund t’i ngjasë kësaj proteste.
Prandaj fjalimet çdo lloj personi që ka ardhur ndofta edhe nga Amerika duhet tani të ndalojnë. Ndryshe nga sa pritej, ato po e shëmtojnë manifestimin. Protesta me domosdo duhet të mbetet dhe të përqëndrohet në arsyet që e nxitën atë. Në rradhë të parë në dënimin e dy shkaktarëve kryesorë të gjendjes së sotme. Prandaj asnjë cast në boulevard nuk duhet të rreshtin thirrjet:” “Rama në burg. Berisha në burg”! “Shqipëria nuk është në shitje” dhe ndonjë tjetër.
Këto duhet të jenë parullat e vetme dhe kryesore në aë atë miting. Boll më me:”Oh sa të bukur jeni! Ju jeni populli më i bukur në botë » dhe budallallëqe të tjera.
Protesta nuk duhet lejuar të rrëshkasë as të kalojë në duar të këqija. Dhe këtë duhet ta kenë parasysh sidomos drejtuesit dhe organizatorët e saj ? Boll është boll.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment