Pa dyshim që Edi Rama duhet të largohet. Për fajin e tij. Është shkruar gjërë e gjatë në këtë blog për gabimet e tij. Dhe jo tani që filluan manifestimet, por që para një viti e më shumë. Mjafton ti lexoni.
Në Tiranë është krijuar tani një lloj agore ku cilido shpreh mendimin e tij. Agora ka qënë sheshi ku athinasit e lashtë diskutonin për problemet e qytetit-shtet të tyre. Në vetvete agora është disçka e mirë dhe e shëndetshme. Kur ka një synim të qartë dhe të përbashkët !
Por kur njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit nuk ka asnjë shans që këto grumbullime njerëzish të sjellin zgjidhje apo përparim. Se ekziston rreziku i manipulimit, i përdorimit të turmës për synimet dhe qëllimet e disa demagogëve që rrinë në hije !
Kështu psh çdo ditë e më shumë në këto manifestime vëren fosile të vitit 1992 që ulurijnë edhe sot kundër komunizmit dhe diktaturës. Në një kohë që ato u zhdukën nga sipërfaqja e vendit që më 21 mars 1992. Por janë bishtat e Sali Berishës që përpiqet që të paktën të diskreditojë sa më shumë kryeministrin e sotëm.
Siç shkruajta edhe në fillim dhe siç kam shkruar me kohë, Rama duhet të dorëhiqet, por ndryshimi midis Ramës dhe Berishës është si dita me natën. Ose ndryshe si shkumsi i tabelës së zezë në klasë (tebeshiri) me qymyrin. Berisha ka vrarë dhe shkatërruar, Rama është një injorant budalla dhe arrogant kot së koti.
Kështu psh kur dëgjon folësit në podium ngandonjëherë të vjen të qeshësh dhe ngandonjëherë të qash. Niveli lë shumë për të dëshiruar. Secili duket se do të nxjerrë dufin që i është grumbulluar. Disa të tjerë duket se duan të bëjnë emër dhe të përfitojnë politikisht. Ndërsa disa të tjerë janë thjesht rrugaçër apo « trupa » të Mamurrasit që dikur, para disa vitesh, këndonin në bulevard : « Nuk jena oficera, kemi lindur gangstera » !
Disa të tjerë edhe i përkëdhelin sedrën turmës për të korrur duartrokitje ose për të nxitur instiktet e saj : « Jeni shumë të bukur ! Populli më i bukur në botë ». Etj etj.
Sa për dijeni, për filozofët e mëdhenj, turma dhe instiktet e saj janë konsideruar gjithmonë si jashtëzakonisht të rrezikshme, sepse shkatërrojnë individualitetin, anulojnë të menduarit kritik dhe i nënshtrohen verbërisht impulseve të dhunshme.
Ja çfarë kanë shkruar mendimtarët më të mëdhenj rreth rrezikut të turmave: E para, sipas tyre, është humbja e arsyes nga mentaliteti i tufës
Platoni në « Republika » e krahason turmën me një bishë të egër të madhe dhe të fuqishme. « Politikani demagog nuk e edukon turmën; ai thjesht i kreh bishtin me atë se çfarë e kënaq ose e zemëron atë më shumë, me qëllim që ta lajkatojë. Turma është e paaftë për filozofi dhe për të vërtetën,- thekson ai.
Gustave Le Bon, nga ana e tij, thotë në : (Turma: Një studim mbi mendjen popullore): se sapo individët mblidhen së bashku, inteligjenca e tyre shëmbet. « Individi në një turmë bëhet një automat i udhëhequr nga pavetëdija. Ata humbasin ndjenjën e përgjegjësisë, sepse anonimiteti i masës u jep atyre një ndjenjë fuqie të pamposhtur » !
Friedrich Nietzsche (Niçe) shprehet hapur për « kopenë » : Për të, « turma kultivon instinktin e skllavit. Ajo urren shpirtrat e lirë, krijuesit dhe individët superiorë. Turma kërkon mediokritet të ulët dhe të rehatshëm » !
Søren Kierkegaard : Filozofi i krishterë argumenton se turma është vendi ku vdes e vërteta. Edhe nëse një turmë bërtet një të vërtetë, vetë fakti që ajo vepron masivisht, e transformon atë të vërtetë në një gënjeshtër » ! – thotë ai.
I famshmi Baruch Spinoza në veprën e tij »Traktati Politik » vëren se turma është e paqëndrueshme dhe e shtyrë vetëm nga pasionet (frika, zemërimi, shpresa naive). Një turmë pa ligj është e tmerrshme.“Turma është e frikshme për sa kohë që ajo nuk ka frikë.”- pohon ai, para se të shtojë se ajo (kopeja) kalon menjëherë nga përkushtimi i verbër në mizori të pashembullta.
Për të kuptuar më mirë rrezikun që paraqesin masat, filozofët nxjerrin në pah tre mekanizma kryesorë shkatërruese: 1) Shpërbërja dhe shpërndarja e përgjegjësisë individuale. Në një turmë, individi përjeton një efekt anonimiteti.
Hannah Arendt, duke analizuar regjimet totalitare në shekullin e 20-të, tregoi se si “shoqëria masive” i transformon qytetarët në ingranazhe të bindura. Individi nuk ndihet më përgjegjës për veprimet e tij. Ai ia delegon ndërgjegjen e tij morale grupit ose një udhëheqësi. Njerëzit e zakonshëm bëhen të aftë të kryejnë mizoritë më të këqija thjesht nëpërmjet konformizmit, – shkruan Arendt.
2. Mbretërimi i opinionit (“Doxa”) kundër të vërtetës. Për Gassendin ose Dekartin, e vërteta nuk përcaktohet nga vota e shumicës. Rreziku i turmës është se ajo imponon të vërtetën e saj nëpërmjet forcës së numrave.
« Masat preferojnë ide të thjeshta, qetësuese dhe të rreme sesa të vërteta komplekse. Ato joshen menjëherë nga demagogjia (premtimet e lehta të udhëheqësve) » – vënë në dukje ata.
3.Filozofi dhe psikoanalisti Sigmund Freud i studioi teoritë mbi turmat për të shpjeguar se grupi vepron si një përforcues i fuqishëm i emocioneve. « Frenimet zhduken. Niveli intelektual i grupit përputhet me atë të anëtarit të tij më të ulët. Turma e refuzon vonesën: ata duan gjithçka, menjëherë, dhe reagojnë me impulse primare (panik kolektiv, plaçkitje, linçim) – nënvizon psikoanalisti austriak.
Dhe turma sot edhe një herë tjetër duket se po del përsëri në skenë. Si në kohën kur në gjyqet e komunizmit, fill pas çlirimit të vendit, turma ulërinte e ngazëlluar : « Në litar, në litar » ! Apo si më 1992, kur turma pa kokë, e udhëhequr nga demagogët, e dogji vendin.
Një rrezik i tillë nuk përjashtohet as sot të përsëritet, në rast se nuk gjendet shpejt një zgjidhje.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment