Çfarë tregon rasti i « neomalësores »?!

   Largimi i Marjana Koçekut nga grupi i atij formacioni politik, që vazhdon të quhet ende Parti Socialiste, shkaktoi të krisurën e parë në gjirin e saj. Në vetvete largimi i saj nuk përbën ndonjë tragjedi të madhe. Pasi PS-ja i ka numrat e nevojshëm për të vazhduar të “sundojë” në Kuvend.

     Por ky largim dëshmon për diçka tjetër shumë të rëndësishme. Zgjedhjet e gabuara e të pandërprera të Edi Ramës. Pyetjet janë: çfarë lidhje shpirtërore kishte kjo “neomalësorja” me Partinë Socialiste?! Si spjegohet që Rama ka hequr të gjithë socialistët e vërtetë nga PS-ja dhe e ka mbushur atë me rronxho – bonxho?! Me njerëz që jo që nuk janë socialistë, por nuk janë as të majtë! Në fakt ashtu siç është edhe ai vetë!

     Praktika e tij është:Merr njerëz nga rruga dhe bëji deputetë ose ministra. Dhe deri edhe zëvëndëskryeministra! Kështu zgjodhi disa kohë më parë edhe presidentin e tashëm. Askush nuk e njihte dhe as nuk e dinte. Dhe askush nuk e kuptoi se përse zgjodhi pikërisht këtë person për një post kaq të lartë. I cili për më shumë, thuhet se muajin e kaluar u nis edhe për haxhillëk në Mekë?!

     Këtu ka një problem të madh: Sundimi i Ramës mbi Partinë Socialiste edhe mbi tërë vendin sikur të ishte ndonjë pasha!  Prandaj edhe e akuzojnë si arrogant dhe të papërgjegjshëm.

    Kështu është sjellë gjithë këto vite. Sidomos që kur iu mbush mendja se ishte bërë tashmë i pazëvendësueshëm dhe më i zgjuari ndër shqiptarët. I bindur se Partinë Socialiste e kishte në xhep, ai filloi të « vilte » edhe nga Partia Demokratike. Aty ku e kishte shpirtin që nga vitit 1991.

    Një farë Dash Sule psh, eksponent i njohur i PD-së, sidomos për qëndrimet e tij radikale ndaj PS-së, i dha një post të lartë në administratën shtetërore. Dhe kështu ka vepruar edhe në shumë raste të tjera!

     Por ylli i tij tashmë ka filluar të zvenitet. Po bëhen afro 3 javë që demonstratat kundër tij nuk po rreshtin në bulevardin kryesor të vendit. Sazani dhe Zvërneci ishin vetëm shkëndijat e para që i dhanë flakën zëmërimit të njerëzve nga sjelljet e papërgjegjshme të këtij kryeministri. Mbaruan edhe fluturimet e përjavshme an e mbanë botës, për të “ndihmuar” në zgjidhjen e halleve të këtij planeti!

        Ndërsa njerëzit në rrugët e Shqipërisë ankoheshin për mungesat bazë të jetesës si për ujin e pijshëm dhe dritat, sistemin shëndetësor përtokë, arsimin që mos e pyet etj etj, Rama nuk donte t’ia dinte. Ai jetonte në një botë tjetër, tejet të ndritshme ku takohej me presidenta dhe kryeministra nga e gjithë bota!

        Rama po jetonte i shkëputur nga problemet e njerëzve të thjeshtë. Ai ishte i dhënë kryekëput ndaj arritjes së tij të vetme në ekonomi: rritjes dhe forcimit të turizmit. Madje tani edhe te ai elitar! Turizëm që nuk i sjell asgjë Shqipërisë, ndryshe nga turizmi i masave.

      Ja le të marrim rastin e Sazanit. Turistët do të hanë dhe do të pinë në hotel. Do të përdorin shezlonet e hotelit dhe jet skitë ujorë të tij. Dhe paratë do të shkojnë në xhepat e pronarit. Çfarë fituan shqiptarët?! Asgjë. Aq më shumë që deri dje asnjë shqiptar nuk ishte në dijeni se me çfarë kushtesh po i dorëzohej Sazani të huajve! Njëlloj si porti i Durrësit etj etj. Apo si Bankers !

     Por asgjë nga këto nuk i hyjnë në sy Ramës. Ambicia e tij ishte të kthehej në një lider të njohur në botë. Mik dhe i madh midis të mëdhenjve!  Por tani gjithçka ra në ujë. Një kryeministër që nuk i ka punët mirë në vendin e tij të vogël nuk i nevojitet më as dreqit.

       Duam s’duam Shqipëria ka hyrë sot në një fazë të re destabiliteti. Që nuk dihet se si do të përfundojë. Se në gjirin e protestuesve ka rryma që nuk do ndalen, jo veçse psh  me largimin e Ramës, por deri në rihypjen në fron të Berishës! Për këtë ata janë sot aty dhe u fryejnë burive.  Por ka edhe islamistë. Ka edhe nga ata që ishin mësuar deri më sot të bënin ligjin në zonat ku banonin apo edhe në plazhe ku zaptonin rërën, trotuaret, parkimet etj etj. Dhe nuk u interesonte edhe ai pak rend dhe ligj që kishte vendosur Rama.

      Ky i fundit tani po pret thjesht që protestat të humbasin vrullin e tyre. Që midis protestuesve të shumtë në numër, por po aq edhe në pikëpamje politike, të plasë sherri. Por e ka kot. Tani e tutje asgjë nuk do të jetë si më parë.

         Për fat të keq Shqipëria po hyn në një fazë të re turbullirash. Ka forca brenda dhe jashtë vendit që kanë interes t’i fryjnë zjarrit!  Me siguri që 1997  nuk ka gjasa të përsëritet, por ndërtesa e shtetit ka marrë që tani të krisura dhe plasaritje të forta.

          Dhe askush nuk e di se cila mund të jetë rrugëdalja dhe nga do vijë ajo! Duket se përsëri kohë të vështira e presin vendin. Aq më shumë kur nuk shihet asnjë zgjidhje në horizont.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment