U bënë tashmë dy javë që protestat në bulevardin « Dëshmorët e Kombit » po ziejnë nga manifestuesit e shumtë. Manifestime të duhura, të dobishme, që iu rikthyen shqiptarëve shpresën dhe krenarinë.
Protesta kundër arrogancës dhe mëndjemadhësisë së padurueshme të kryeministrit, kundër keqeverisjes 36 vjeçare, kundër mungesës së shtetit, kundër papërgjegjësisë apo paaftësisë së Edi Ramës, kundër shitjes copa copa të pasurive kombëtare të shqiptarëve : – tokës, lumenjve, liqeneve, pyjeve, kromit, naftës, bakrit etj etj.
Rama i kishte hak dhe pak këto demonstrata, se siç kam shkruar edhe më parë, kishte filluar t’i hypte vetja në qejf aq shumë saqë po i dukej vetja si « mik » me Macron, Marz, Starmer etj etj ! Prandaj kishte filluar të merrej edhe me hallet e planetit !
Liberal ekstrem në politikat ekonomike që ndiqte, ai ishte bërë miku më i mirë i të gjithë oligarkëve të vendit, të cilët i « doroviste » me tendera dhe pasuritë kombëtare të vendit.
Ndërkohë që ngurronte apo nuk ia ndinte të vinte pak rregull e ligj në vend. Se nuk donte të përplasej me askënd. Iu desh 12 vjet që të merrej me ata që prej mbi 30 vjetësh kishin pushtuar plazhet me shezlongët dhe çadrat e tyre të diellit. Saqë nuk të linin as të uleshe në rërë !Se ishte toka e tyre !
Po aq iu desh edhe për të zhbllokuar trotuaret e zëna nga restoraxhinjtë dhe kefexhinjtë. Apo parkimet e paligjshme midis dhe para pallateve. Të fortët e lagjeve vazhdonin gjithmonë të bënin ligjin në zonat e tyre. Se Rama e urren diktaturën ! Dhe të vësh para ligjit llumin e vendit atij i dukej sikur po rikthehej komunizmi !
Rama ka bërë edhe punë shumë të mira, por nga ai pritej shumë e më shumë. Dhe nuk pritej fare që ai për hir të pushtetit të tij të hynte në negociata për t’ia dorëzuar Zvërnecin dhe Sazanin çiftit Kushner. Apo pjesët e tjera të vendit oligarkëve, si po ngjan psh në Rrjoll, pranë Velipojës. Dhe lista vazhdon pa fund me zhgënjimet e njerëzve ndaj Edi Ramës.
Prandaj Edi Rama duhet të ftillohet. Të mos i duket më vetja si më i zgjuari i vendit! Edhe ato lojërave të tij që ta tundë gjithmonë surratin e Berishës si dordolec për të trembur njerëzit, i ka dalë boja.
Njerëzit ende sot në Shqipëri ankohen për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve nëpër spitale. Ilaçe që vidhen nga personeli atje për t’i shitur me shumëfishin e çmimit dhe pajisje që prishen nga mjekët, që pacientët të detyrohen të shkojnë të vizitohen në klinikat e tyre private!
Në një kohë që në Tiranë mungon edhe uji i pijshëm edhe rryma elektrike. 36 vjet pas përmbysjes së diktaturës komuniste! Dhe 36 vjet janë shumë në jetën e një njeriu. Ç’e duan atëhere shqiptarët këtë kryeministër, i cili për 13 vjet pothuajse nuk ka bërë asgjë?! Duke përjashtuar këtu një qetësim relativ deri para 2 javësh të situatës në vend dhe zhvillimin e turizmit. Nuk jemi më në kohën e barbarit malokar! Prandaj edhe njerëzit i duan sot që të dy, si Berishën, si Ramën në burg. Boll kanë shirë që të dy për 36 vjet me rradhë.
Por si do futen Berisha dhe Rama në burg?! Këtë duket se nuk e di askush. Dihet se në protestat e Tiranës marrin pjesë shumë rryma që formojnë një lum të madh njerëzish. Këto rryma nuk mund të formojnë dot asnjë lloj partie. Se do përfundojnë si partitë e Shehut dhe Llapajt, në mikro parti !
Por ka edhe një zgjedhje tjetër. Të paktën deri në zgjedhjet e pas tri viteve. Që do të thotë që Rama të dorëhiqet nga plani i tij për Sazanin, Zvërnecin, Rrjollin dhe kudo. Që ai tua bëjë të qartë njerëzve se ky projekt ka marrë fund. Të premtojë se këtej e tutje ai do të jetë transparent me popullin. Sidomos përsa i takon projekteve që kanë të bëjnë me pronën e përbashkët.
Edhe Gorbaçovi, prijësi i fundit komunist, kur deshi të riformojë ish Bashkimin Sovjetik i vuri vetes dy objektiva : « Gllasnost-in dhe « Perestrojk-ën ». Dhe Gllasnost do të thotë « transparencë ». Transparencë nga një hierak komunist ! Po Rama që e mban veten për demokratin e qametit, përse nuk spjegohet, përse nuk i sqaron njerëzit për gjërat që kanë të bëjnë me ta ?!
E keqja është se këto protesta, deri tani të domosdoshme, mund të keqpërdorohen nga shumë grupime të rrezikshme brenda vendit. Se aty marrin pjesë njerëz të të gjitha bindjeve, ideve, ngjyrave politike. Marrin pjesë edhe berishistë që duan t’i devijojnë këto protesta si qëndrime vetëm kundër qeverisë!
Edhe niveli i atyre që marrin fjalën në podium lë shumë për të dëshiruar. Kanë dalë në skenë edhe myslimanë radikalë, edhe murgesha katolike, madje edhe ndonjë grua që u ankua se burri i saj e kishte rrahur etj etj!
Pra protestat nuk duhet të kthehen në qesharake. Dhe as të përdoren nga mënxyra më e zezë që e ka pllakosur ndonjëherë këtë vend që nga koha e Turqisë, nga ai që quhet Sali Berisha!
Protestuesit duhet të bëjnë një pakt, marrëveshje me Ramën. Ata duhet t’i paraqesin kushtet e tyre të panegociueshme për të ndaluar protestat e përditshme. Duke mos i ndaluar përfundimisht ato, por t’i organizojnë këtej e tutje një herë në javë ose një herë në muaj. Për t’i mbajtur si mjet presioni.
Protestat ishin si një dackë e mirë që babai i jep djelit të tij, kur ai ka marrë rrugë të shtrmbër, si përdorues droge apo vjedhës. Dhe një dackë ngandonjëherë të bën shumë mirë.
Pra ka ardhur koha e marrëveshjes. Protestat e arritën plotësisht qëllimin e tyre. Ato ishin të bekuara. Por Shqipëria nuk duhet të kalojë në anarshi si në vitin 1997. Prandaj organizatorët si dhe Edi Rama duhet tani t’i vënë gishtin kokës dhe të bashkëpunojnë. Protestat duhet të përfundojnë. Projektet në Zvërnec, Rrjoll dhe Sazan duhet të pezullohen. Kjo është zgjidhja. E vetmja.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment