Ndërmjet kapitalizmit të egër dhe komunizmit kriminel – ka edhe një rrugë të mesme

   Nuk duhet mohuar se demonstratat e ditëve të fundit në Tiranë ngërthejnë në vetvete edhe një revoltë të hapur ndaj sistemit që ka zotëruar në vend gjatë këtyre 35 viteeve të fundit.  Jo se njerëzit duan t’i kthehen sistemit të vjetër dhe të llahtarshëm enverist. Në asnjë mënyrë. Por ata kërkojnë që pasuritë tokësore dhe nëntokësore të atdheut të tyre, siç janë toka, uji, liqenet dhe lumenjtë, kromi, bakri, nafta, lëndinat dhe pyjet etj etj të mbeten pronë e gjithë popullit shqiptar.

    Se Shqipëria është e shqiptarëve, do apo s’do Edi Rama ! Kjo është edhe arsyeja që në bulevard po buçasin pa ndërprerje edhe thirrjet : « Revolucion », « Shqipëria e Re », « Shqipëria nuk është në shitje » etj etj.

      Dhe pa dyshim që protestuesit kërkojnë edhe largimin e Ramës nga posti i kryeministrit. Se ky i fundit, pavarësisht se gjendet në krye të një partie gjoja të majtë, është i djathtë kryekëput dhe ndjek politika ekonomike ultraliberale, deri edhe antikombëtare !

     Për të Shqipëria u takoka të gjithëve ! Prandaj na ka marrë këto kohët e fundit edhe shembullin e ishullit grek të Mikonos, i cili, sipas tij po u shitet ose u është shitur të huajve ! Çmenduria e rradhës e një ish përdoruesi të kokainës ! Se Greqia po shet një nga ishujt e saj të pambarim, kjo nuk do të thotë që edhe Shqipëria mund të shitet e tëra!

       Të gjithë folësit që e kanë marrë fjalën në tribunën e manifestimit, gjatë këtyre ditëve, kanë dënuar mënyrën se si është qeverisur Shqipëria nga viti 1991 deri më sot. Dhe duket se shqiptarët janë zhgënjyer sot nga ky lloj kapitalizmi i pamëshirshëm, aq sa ishin të zhgënjyer dje edhe nga komunizmi i pashpirt.

        Çmenduria është se kaluam shumë shpejt ndërmjet 2 ekstremeve : nga diktatura dhe sistemi i centralizuar – në ligjin e xhunglës ku peshku i madh ha të voglin ! Por ka disa, ndër të cilët edhe Edi Rama, si dhe shumë analistë, gazetarë apo edhe njerëz të thjeshtë  që nuk duan ta kuptojnë këtë zhgënjim. Ose aq u bëhet !

         Ata për vete janë bërë të pasur, kanë sot hotele dhe restorante, pothuajse gjithmonë  të bëra me para të pista, dhe nuk duan të dëgjojnë për asnjë lloj tjetër sistemi!

       Në fakt nuk bëhet fjalë për një sistem tjetër, por për bashkimin e të mirave të të dy sistemeve të sipërpërmëndura. Dhe ky sistemi i ri është quajtur prej kohësh : « Ekonomia Sociale e Tregut » ose ndryshe « Kapitalizmi Shtetëror ».

       Në këtë të fundit pasuritë kombëtare janë të mbrojtura me ligj. Toka është shtetërore por  ajo i jepet një familjeje apo një presoni për përdorim për një kohë të pakufizuar. Kjo tokë edhe trashëgohet. Por ti nuk mund t’ia shesësh atë, pa lejen e shtetit, dikujt që do të ndërtojë aty p sh një fabrikë të djegies së plehrave organike, i quajtur në « shqip » : incenerator ! Dhe me ligj ti nuk mund t’ia shesësh atë asnjë të huaji.

      E njëjta gjë me pasuritë natyrore, si kromi, bakri, nafta, etj. Shteti mund tua japë për përdorim apo shfrytëzim këto pasuri edhe individëve apo oligarkëve të veçantë. Por me një kusht: 90 përqind e fitimit neto, pasi të janë zbritur shpenzimet, I takojnë shtetit dhe 10 për qind – individit. i cili, që të mos përsëritet “Bankers” do të jetë i detyruar të  paguajë edhe një rentë për marrjen në pronësi të asaj pasurie.

      Në këtë sistem janë të garantuara si pluralizmi politik, por po ashtu edhe prona private. Ti mund të ngresh një fabrikë të përpunimi të lëkurëve, një fabrikë vaji apo sapuni dhe nëse je i zoti mund të bëhesh edhe miliarder. Por me punën dhe zotësinë tënde. Dhe kurrsesi duke grabitur apo përvetësuar pasuritë e përbashkëta. Ndërsa shëndetësia dhe arsimi në këtë sistem janë falas për të gjithë.

        Kapitalizmi shtetëror është aplikuar edhe në vendet e Europës Perëndimore, deri nga mesi i viteve 1980. Por me ardhjen e Reagan-it dhe Theçër-it në pushtet gjithçka u privatizua.

       Shqipëria kurrë nuk e ka provuar këtë sistem. Nga komunizmi diktatorial ne kaluam drejtpërsëdrejti në anarshi dhe shkatërrim. Nuk u la  as edhe një fije bari në këmbë.

       Dialektika historike njeh disa lloje sistemesh ekonomike dhe politike. Si psh sistemi skllavopronar, feudal,  kapitalizmin dhe komunizmin. Por edhe brendaa sistemit kapitalist apo komunist gjallojnë disa rryma dhe variante. Buharinizmi,trockizmi, komunizmi me fytyrë njeriu që u përpoq të vendosej në Çeki para 60 vjetësh etj – janë disa nga këto forma.

 Pa folur këtu për të ashtuquajturin eurokomunizmin, aq të urryer nga Enver Hoxha!  Por ne shqiptarët duket se jemi të mallkuar. Nga komunizmi më kriminal ne ramë, apo shkuam, drejt kapitalizmit më të egër. E keqja është se edhe ky kryeministri i sotëm, i rritur në një familje të privilegjuar komunistësh, nga ka dalë sot si një përkrahës i kapitalizmit më ekstrem.

      Prandaj shqiptarët duhet ta largojnë atë me domosdo. Dhe në rast se ka shitur apo dhënë me qera pasuritë e paluajtshme kombëtare, oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj, duhet ta dënojnë pa mëshirë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment