Pse Rama bën sot budallain ?!

        Edi Rama është qerrata i madh. Ai bën sikur nuk e kupton se protestuesit, të cilët që prej 11 ditësh mbushin rrugët e Tiranës, e kanë me të. Flamingot rozë, pelikani kaçurrel, breshkat e detit dhe plot çështje të tjera mjedisore kanë kaluar në plan të dytë. Jo se tani ato janë bërë më pak të rënësishme. Përkundrazi. Sepse me to sot po merren jo vetëm shqiptarët, por edhe mbarë bota. Por sepse tani i kanë dalë petët lakrorit, siç thotë një shprehje e urtë.

        Siç kemi shkruajtur edhe më parë, Zvërneci qe pika e fundit që e derdhi gotën! Por sot manifestuesit e kanë personalisht me të. Me mënyrën e tij të të qeverisurit, me papërgjegjshmërinë e tij tipike, me paaftësinë e tij, me arrogancën dhe fodullëkun që ai ka shfaqur gjatë gjithë këtyre viteve ndaj opinionit shoqëror. Protestohet edhe ndaj mungesës së tij të transparencës, dhe më gjërë akoma edhe ndaj keqqeverisjes flagrante të këtyre 36 viteve nga dyshja Berisha – Rama. Prandaj ata, manifestuesit, nuk thërrasin më kot “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

        Protestuesit duket se janë të zëmëruar pa masë nga shitja e vendit, apo edhe nga shitja e detit nga kjo dyshe e mallkuar. Ata kanë për provë dhënien me koncesion të naftës shqiptare “Bankersit”, nga i cili shteti shqiptar nuk ka fituar deri më sot asnjë kacidhe. Pavarësisht se “Bankersi” i ka mbushur xhepat me disa miliarda dollarë! Prandaj edhe të gjithë ata që sot mbrojnë investimet e huaja e kanë gabim. E kanë gabim se investuesit e huaj, në shumicën dërrmuese të tyre, janë çakenj. Ata edhe ligjet dhe gjykatat ndërkombëtare I kanë me vete.

         A ju kujtohet “investuesi” italian Bechetti?!  100 e ca milionë i përlau ai shtetit shqiptar! Prandaj shqiptarët janë skeptikë dhe nuk presin ndonjë gjë të madhe nga investimet e Jared Kushner-it dhe gruas së tij, vajzës së presidentit Trump!

         Aq më shumë që flitet për shitjen e Sazanit apo edhe të tokave të Zvërnecit! Dhe pikërisht këtu rreh çekani. A kanë të drejtë psh katundarët vendas t’ia shesin tokën e tyre një investuesi të huaj?! Ndryshe dihet se në botë ka shumë miliarderë. Dhe ata janë aq të pasur saqë mund të blejnë gjithë tokat e punueshme të vendit, gjithë pasuritë tona minerale, ujin, naftën etj etj.

        Por shqiptarët e duan Atdheun për veten e tyre. Ata duan të kenë një shtëpi për vete. Por Rama nuk dëgjon nga ai vesh. Madje deklaron se shprehja “Shqipëria e shqiptarëve” qënka, sipas tij, shprehje naziste. Se e paska përdorur dikur Hitleri në formën “Gjermania e gjermanëve”!  Dhe për Ramën Shqipëria është e të gjithëve. Edhe e filipinasve, edhe e bangladeshasve, edhe e palestinezëve, edhe e pakistanezëve!

         Shihet pra çfarë koncepti ka ai për Atdheun. Prandaj edhe për Sazanin dhe Zvërnecin ai po punon prapa krahëve të popullit shqiptar. Me dyer dhe perde të ulura!  Ai nuk e ka për gjë  t’i shesë ato, apo në rastin më të mirë t’i japë me qera për 99 vjet. Pa asnjë lloj takse dhe detyrimi! Se aq ia pret rradakja!

        A nuk veproi po kështu edhe Berisha me gazsjellësin « Tap”, nga i cili shteti shqiptar nuk fiton asnjë qindarkë ?! Megjithëse ky gazjellës kalon mes për mes vendit ! I pyetur asokohe se përse nuk kërkoi taksë për kalimin e këtij tubacioni gjigand në territorin shqiptar ?!  Berisha aso kohe u përgjegj : « E dhamë falas se e konsideruam Shqipërinë tashmë si anëtare të Bashkimit Europian »! A ka çmenduri më të madhe ?!

         Tani Rama për tu mbrojtur është duke përdorur edhe ai gjithmonë e më shumë një frazë të dalë boje dhe të pabesueshme: “Nuk ka projekt” !  Dakord që nuk ka projekt. Dhe kjo është e vetëkuptueshme. Çdo njeri kur kërkon të ndërtojë psh një shtëpi, në fillim fare zgjedh dhe blen token. Pastaj thërret arkitektin për t’i bërë planin e shtëpisë, projektin, e kështu me rradhë.

       Duket pra se Rama ka rënë dakort për tjetërsimin e këtyre dy zonave turistike dhe tani po pret veçse projektin e atyre 4 studiove ndërkombëtare, që Kushner I ka zgjedhur për të ndërtuar në Sazan hotele me 10 000 dhoma! Një çmenduri e vërtetë. Kur, për më shumë, dihet se ishulli nuk ka as ujë dhe as burime ujore!  Por, ndofta ai thotë:  Rroftë Uji i Ftohtë në Vlorë që gjendet mu në breg të detit, përballë Sazanit, apo uji i ndonjë lumi aty rrotull.

       Se edhe me lumin e Shushicës kështu u soll. Ai i ka dhënë leje një kompanie italiane të shtrojë tubat nën det për të transportuar ujin e këtij lumi drejt e në zonat e thara të Italisë së Jugut!  Nxjerrja në shitje e vendit ka nisur dhe vazhdon pa asnjë ndërprerje!

      Por më në fund duket se shqiptarët po zgjohen. Ata nuk duan ta lejnë fatin e vendit të tyre në duart e disa drejtuesve maskarenj, pa din e iman.

      Siç shihet njerëzit kanë shumë të drejtë kur kërkojnë largimin e Ramës. Ky i fundit drejton edhe një gjoja Parti Socialiste, të cilën e ka transformuar dhe bërë si surratin e tij. Ajo sot nuk ka asgjë socialiste, veçse është e mbushur me hajdutë, duke filluar nga Ahmetaj, Beqaj, Veliaj, Balluku dhe kompani.

       Sot ai po bën gjasmë sikur po përkujton 35 vjetorin e themelimit të saj. Të Partisë Socialiste që u formua më 10 qershor 1991, me njerëz që sot janë dëbuar me ceremoni nga kjo parti. Ndryshe në anën tjetër kemi dikë që për më shumë se 35 vjet i ka hypur në zverk Partisë Demokratike dhe duket se nuk do t’i ndahet asaj deri sa të japë shpirt! Një Enver Hoxhë tjetër.

          Ka shumë e shumë për të shkruar rreth Ramës dhe kundër politikave të tij, por kësaj rradhe po e mbyll me kaq. Por ju premtoj se brenda 2 – 3 ditësh do të keni në këtë blog edhe një pasqyrë të plotë të shkaqeve se pse Rama e ka humbur tashmë krejt mbështetjen në popull. Së shpejti pra.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment