Nesër do përkujtohet si kurrë më parë ndonjëherë ngjarja madhore e historisë shqiptare, përvjetori i lavdishëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878). Prandaj edhe protestuesit e Tiranës që prej 10 ditësh po protestojnë kundër shitjes apo dhënies me qera falas të Atdheut, kanë menduar që nesër, e mërkurë, të zhvillohet një manifestim i paparë në sheshin »Skëndebej » dhe bulevardin « Dëshmorët e Kombit ».
Pra, sipas të gjitha gjasave dhe lajmeve, të mërkurën, në Shqipëri priten të vijnë shumë nga shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi, nga Presheva dhe nga mbarë diaspora anë e mbanë botës.
Sepse ideali i bashkimit kombëtar, i Shqipërisë natyrale nuk ka vdekur ende te kombi shqiptar. Prandaj kur dikush nga Mallakastra që vajti të luftojë për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe që sot jeton atje, kur e mori fjalën u përshëndet nga mijëra njerëzit atje me thirrjen patriotike : « UÇK, UÇK, UÇK » !
Ndryshe edhe sot protesta e Tiranës vazhdoi madhështore si 9 protestat e mëparshme, por nesër ajo pritet të kalojë çdo përmasë dhe parashikim.
Por ka një problem. Dhe jo i vogël. Po vihet re çdo ditë e më shumë se protesta e Tiranës është infiltruar tashmë nga njerëzit e Berishës. Këta të fundit formojnë gjithmonë 2 – 3 blloqe homogjene në mes të protestuesve. Janë të pajisur së fundmi edhe me megafona që të zotërojnë zërin e turmës.
Këto grupe mund t’i dallosh lehtë edhe nga parullat që hedhin : Sapo njëra palë thërret : « Rama n’burg, Berisha n’burg », tjetra i përgjigjet « Poshtë komunizmi ! ». Kjo është një parullë e vitit 1992 që tani nuk ka asnjë kuptim. Por bëhet vetëm me qëllimin që të devijojnë frymën e protestës.
Po ashtu sapo disa thërrasin « Shqipëria e re », ata bërtasin « Poshtë diktatura ». Kur dihet se edhe komunizmi dhe diktatura kanë vdekur që në vitin 1991.
Dhe çudia e çudirave është se të dytët kur demonstruesit thërrasin « Berisha n’burg, Rama n’burg » ata heshtin dhe ulin kokat dhe e marrin fjalën vetëm për të sfumuar këtë parullë me thirrjen « Edi Rama ka maru, Edi Rama ka maru, Edi Rama ka maru » !
Shumica e protestuesve megjithatë nuk bien në këtë grackë. Prandaj edhe thërrasin : « JU erdhi fundi ». Përemri është « ju » dhe jo « të ». Si psh « Të erdhi fundi ». Jo, sepse fundi u ka ardhur të dyve. Edhe plakut gërrmuq që e shkatërroi këtë vend, edhe Edi Ramës që po ua shet vendin oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj. Prandaj edhe protestuesit sot thërrisnin « Rama ik », « Berisha n’burg”!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment