Zgjedhje që nuk zgjidhën asgjë

         Ja edhe zgjedhjet e treta legjislative brenda pak më shumë se një viti në Kosovë  përfunduan. Pa një rezultat të qartë. Sigurisht që Vetvendosja fitoi për herë të 5 gjatë 7 zgjedhjeve të fundit, por kësaj rradhe në mënyrë relative. Madje ajo pati edhe një rënie të lehtë krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit. Tani priten edhe numërimet e votave nga dispora e shumtë kosovare për të pasur një tabllo edhe më të qartë.

       Por e gjitha kjo ishte shumë zhurmë për asgjë. Këto zgjedhje nuk kishin nevojë të mbaheshin. Ishin të tepërta si për buxhetin e Kosovës, por po ashtu edhe për reputacionin e saj ndërkombëtar. Zgjedhje në shkurt të vitit të kaluar, zgjedhje në dhjetor dhe zgjedhje dje më 7 qershor.

       Dhe rezultati ? Hiç, asgjë. Rrotullime në vend si gjarpëri kur kafshon bishtin e vet. Vetvendosja doli e para, por humbi një numër votash në krahasim me zgjedhjet e muajit dhjetor. Votuesit e dënuan Kurtin për zullumin e tij për të pasur të gjitha pushtetet në dorën e vet.

       Vjosa Osmani ishte një dhunti dhe  dhuratë për Kosovën dhe vetë Albin Kurtin. Se ajo kishte fituar simpati deri në Uashington. Madje deri në zyrën e presidentit Trump. Por duket se pikërisht kjo nuk i pëlqente marksist – islamistit Kurti. Dhe duhet të theksoj këtu se kam qënë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Albin Kurtit që në kohën e demonstratave studentore të udhëhequra nga ai, para  pak se NATO të niste sulmet ndaj Serbisë.

        Dhe pikërisht këtu është edhe problemi. Se Kurti po shfaqet sot edhe si antiamerikan ! Ndërkohë që ishte Amerika që e çliroi Kosovën nga çizmja serbe!

        Po tani çfarë do ngjasë?! Kurti me shumë gjasa do të formojë përsëri qeverinë me ndihmën e deputetëve që do dalin edhe nga pakica jo serbe. Por do të jetë një qeveri e paqëndrueshme. Të paktën jo si ajo e dalë nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar kur Kurti fitoi më shumë se gjysmën e ulëseve në Kuvend.

        Aq më shumë që përsëri shkaku i këtyre zgjedhjeve të reja, e shkaktuar nga mosdashja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit, edhe në këto zgjedhje të sapopërfunduara,  nuk u zgjidh. Si do i bëhet atëhere dhe si do veprohet tani?! Do të ketë përsëri zgjedhje të reja në vjeshtë?! Të cilat edhe ato, me shumë gjasa nuk do  tëzgjidhin asgjë!

        Një kryeministër duhet të jetë largpamës. Të dijë të masë pulsinn e popullsisë. Dhe sidomos të mos ngulë këmbë si mushka po të tregohet i zhdërvjellët, oportunist dhe tolerant. Asnjë nga këto cilësi nuk i takon Kurtit.

        Dhe kjo u dëshmua sidomos kur donte të zgjidhte me çdo kusht Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit. E tërhoqi zvarrë kuvendin me muaj me rradhë, vetëm që të bëhej siç dëshironte ai!

          Ka diçka të paspjegueshme në këtë fitoren e fundit relative të VetëVendosjes. Në fakt ajo duhet të kishte humbur rëndshëm si shkaktare e destabilizimit të gjendjes politike në vend. Por jo. Zgjedhësit i qëndruan përsëri besnikë Albin Kurtit. Si spjegohet dhe cilat janë arsyet?! Përse e mbështesin kaq shumë kur ai e ka dëshmuar me vepra se para pushtetit të tij nuk vë asgjë?!

        Njëlloj si shqiptarët e Shqipërisë, edhe ata të Kosovës, duket se janë ngulfatur në llogoret e tyre. Mirë apo keq ata do votojnë gjithmonë për partinë e tyre. Dhe kjo nuk është fare gjë e mirë. Pasi i bën kryetarët e partive edhe më shumë arrogantë seç janë.

          Ja si po ngjan sot në Shqipëri! Ku si pasojë e arrogances së kryeministrit një pjesë e njerëzve prej 8 ditësh janë derdhur në bulevardin e madh kundër politikave ekonomike të Ramës, kundër shitjes prej tij dhe Berishës së vendit pjesë pjesë, dhurimin e psurive kombëtare një grushti oligarkësh vendas apo miliarderësh së huaj etj etj.

         Mos ka ardhur vallë koha që edhe njerëzit në Kosovë të ngrihen në këmbë dhe t’i zhdukin këto parti politike që kanë dalë që para ose menjëherë pas çlirimit të vendit?!

           Ndryshe me këta udhëheqës që ka sot, Kosova nuk do të dalë kurrë nga ky ngërç zgjedhjesh të pafundme.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment