E pra vetëm këtë gjë Edi Rama nuk e kishte parashikuar. Që njerëzit do të mblidheshin kundër tij ditë pas dite në sheshin “Skëndërbeg”. Pa dyshim se ai kishte parë edhe manifestime të tjera më parë. Sidomos nga ato të udhëhequra nga ai me një këmbë në varr, Sali Berisha – shkatërruesi i Shqipërisë. Por ato demonstrata e kishin shqetësuar Ramën aq sa shqetësohet elefanti kur e pickon miza !
Por këto demonstratat e këtyre ditëve janë krejt ndryshe. Se së pari ato nuk janë partiake. As nuk bëhen për të ngritur të vdekurin nga varri. Jo. Ato janë një shprehje e thellë pakënaqësie ndaj mënurës se si është udhëhequr vendi gjatë këtyre 36 vjetëve shkërdhatokraci. Si dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare që i takojnë një populli të tërë!
Dhe kjo e ka shqetësuar pa masë Ramën. Saqë ai doli dje në Elbasan, ku jo vetëm nuk la gjë pa thënë kundër demonstruesve dhe disa analistëve që i kanë kërkuar dorëheqjen, por bëri edhe disa lëvizje me zgjatje krahu dhe pantonima që vetëm ai i kuptonte! Aq sa filloi të dukej si një pede. Kjo dëshmonte se ai e ka humbur tashmë torruan. Nuk është më arroganti i 2 javëve më parë. Ai që nuk pyeste njeri, se vetëm një vit më parë kishte fituar 83 mandate.
Tani ai është në tërheqje. Megjithëse deri më sot duket se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Madje duket se u ka shpallur luftë të hapur edhe manifestuesve që guxojnë të demonstrojnë para zyrës së tij.
Megjithatë duhet pohuar se demonstruesit e këtyre ditëve kanë qëllime dhe ide të ndryshme. Aty gjen që nga neo-marksistët, përkrahës të Altin Qorit, deri edhe islamistë dhe anti-semitë. Thjesht është një shportë me karavidhe ku njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit! Prandaj nuk duhet dhe nuk mundet që këta njerëz të krijojnë një parti. Se do të duhet atëhere të krijojnë jo një, por 100 mikroparti. Dhe kjo do të jetë fundi i manifestimeve. Kthimi në pikën zero.
Edhe parullat që hedhin manifestuesit, secili sipas qefit të vet, e dëshmon këtë ndarje ndërmjet tyre. Njërit që nuk ia zë goja të thotë “Berisha n’burg” ka zgjedhur si parullën më të bukur atë :”Edi Rama ka maru, ka maru, ka maru”. Ka të tjerë që ulurasin “Poshtë komunizmi” apo “Poshtë diktatura”. Sikur të jemi përsëri në vitet 1990. Kur Edi Ramën mund ta akuzosh për çdo gjë vetëm për diktator dhe komunist jo!
Të vjen për të qeshur edhe kur dëgjon përsëri thirrjen naive të studentëve të para 35 vjetëve “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Bëjeni atëhere! Apo prisni që të vijë “bota” ta bëjë për ju?! Kështu ëndërronte rinia e atëhershme, por ata të rinj, që sot janë bërë me thinja, e kanë kuptuar tashmë marrëzinë e tyre të dikurshme.
Rama dje në Elbasan shpalosi edhe një herë tjetër politikën e tij liberale kur deklaroi se nuk ka “Shqipëri të shqiptarëve”, se Shqipëria i takon të gjithëve! Të gjithëve kujt?! Ai mund t’ua lëjë shtpinë e tij dhe po të dojë edhe bashkë me gruan të gjithëve (!), por shqiptarët e duan Atdheun për veten e tyre, dhe jo për të gjithë. Siç duket pagjumësia e ka bërë që të mos kuptojë se çfarë flet!
Ka 8 ditë që manifestimet vazhdojnë pa ndërprerje. Dhe deri tani me sukses. Ato kanë tërhequr vëmëndjen si të mbarë opinionit publik vendas, por po ashtu dhe atij ndërkombëtar. Nuk ka ditë që media të huaja prestigjioze të mos shkruajnë dhe komentojnë atë që ata e kanë cilësuar si « Revolucioni i flamingove » !
Saqë dje ra në sy se edhe një « revolucionar » italian kishte ardhur enkas nga vendi i tij për tu bërë thirrje manifestuesve të vazhdonin demonstratat pa ndërprerje.
Por këto manifestime gjenden sot para 2 rreziqeve të mëdha : Njëra është frika e infiltrimeve nga njerëzit e Berishës. Dhe e dyta nxjerrja e tij nga boshti : pra transformi i pakënaqësisë mbarëpopullore në një problem thjesht ekologjik që ka të bëjë me flamingot, breshkat dhe mjedisin !
Është e vërtetë se spunto, nisma, e këtyre manifestimeve filloi me Zvërnecin, por ai ishte vetëm pika që derdhi gotën. Se zëmërimi i njerëzve ka qënë grumbulluar dita ditës. Prej një kohe të gjatë.
Zëmërim i shkaktuar nga shitja e vendit pjesë, pjesë. Nga dhënia ose falja e pasurive të tij oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj. Nga krijimi i një elite milionerësh që sundon vendin dhe as që pyet për hallet e njerëzve dhe varfërinë ndërmjet pensionistëve dhe shtresave të tjera të popullit.
Edhe largimi i vazhdueshëm i njerëzve nga vendi i tyre është kuptuar pikërisht si pasojë e shitjes së vendit nga dyshja Berisha – Rama. Prandaj edhe parulla « Ram n’burg , Berisha n’burg » është parulla që më së miri ngërthen shpirtin e protestës.
Rreziku tjetër i madh është që manifestimet të drejtohen vetëm kundër Ramës dhe jo kundër dyshes Berisha – Rama ! Dhe shenjat për këtë janë dhënë këto ditët e fundit. Duket se Berisha u ka dhënë urdhër të vetëve të infiltrohen ndërmjet demonstruesve dhe ta ngrejnë zërin me forcë vetëm kundër Ramës.
Prandaj edhe dje ishte paraparë një grumbullim i pd-istëve pranë ish-hotel « Dajtit ». Këta të fundit pastaj duhet t’i bashkoheshin protestës mbarëpopullore me parullat e tyre kundër Ramës ! Pra edhe veç, edhe bashkë. Me qëllime dhe pikësynime të tjera nga manifestimi kryesor.
Ishin pikërisht disa prej tyre që këndonin dje me një zë të zvargur me tone malokërie: « Edi Rama ka maru, ka maru, ka maru » ! Asnjë fjalë për Berishën nga ky grup.
Sidoqoftë dhe pavarësisht përpjekjeve të malokut djallëzor që ta kthejë këtë manifestim si protestë vetëm kundër Ramës, këto manifestime ia kanë arritur tashmë qëllimit të tyre. Edhe sikur të ndalojnë sot. Ato i kanë dhënë një tronditje të paparë sundimit pothuajse mbretëror të Ramës. Ai do detyrohet tani e tutje të jetë më pak arrogant, më shumë llogaridhënës, më shumë transparent.
Do t’i duhet ti harrojë fluturimet e përjavshme an e mbanë globit dhe takimet me Trump, Macron, Merz, Starmer, kryeministrin e Japonisë, të Armenisë, të Spanjës etj etj të kryera veç për të mirën e Shqipërisë !
Shqipëria po hyn këto ditë në një fazë të re dhe të paparë zhvillimi demokratik. Ndofta në demokracinë e vërtetë ku pushtetarët japin llogari para popullit dhe nuk bëjnë dot më siç kanë bërë këto 36 vjet. Tashmë është e sigurt se asgjë s’do jetë më si më parë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment