Me manifestimet e përditshme në bulevardin « Dëshmorët e kombit » shihet mirë se Rama me të vërtetë po rrëshket drejt fundit të tij. Popullit i ka ardhur në majë të hundës nga ky arrogant, që nuk ka pyetur kurrë për opinionin publik. Që i dukej vetja si lider global, mik për kokë me Macron, Merz, Starmer etj etj. Pra i madh midis të mëdhenjve! Por mbretërimi i tij mbaroi. Tani e tutje gjithçka do të jetë ndryshe. Për të gjithë pushtuesit e fronit, pra pushtetarët.
Rama do të përpëlitet edhe ca kohë. Do bëjë sikur nuk pyet për manifestuesit. Por tani çdo gjë ka marrë fund. Ylli i tij u zvenit brenda dhe jashtë vendit. Mbaruan udhëtimet e tij të përjavshme nëpër botë, për të ndrequr hallet e këtij planeti! Tani ai do s’do do e dëgjojë shumë më tepër opinionin e njerëzve. Asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Rama n’burg – Berisha n’burg! Kjo lëvizje qytetare do mbahet mend dhe do hyjë në histori. Gjyshërit më vonë do u thonë nipërve dhe mbesave: “Edhe unë isha aty!”. Njëlloj siç mbahet mend sot lëvizja e dhjetorit e studentëve.
Tani nuk ka më të paprekshëm. Që mund të bëjnë si të duan me pasuritë e vendit. Do hapen mirë defterët dhe do shihet se si është shitur dhe copëtuar Shqipëria gjatë këtyre 36 vjetëve shkërdhatokraci. Dhe dikush do të përgjigjet.
Manifestimet dëshmuan se njerëzit nuk janë të kënaqur nga mënyra se si është drejtuar vendi gjatë këtyre 36 viteve. Se si është pasuruar një kastë duke vjedhur pasuritë e të gjithëve. Këta që demonstrojnë nuk duan kthimin e sistemit të vjetër, por një kapitalizëm me fytyrë Njeriu.
Ky është një revolucion tjetër që do hedhë në kosh përfundimisht kastën mashtruese që doli në skenë pas vitit 1990. Asgjë nuk kthehet më pas.
E vërteta është se askush nuk është kundër investimeve. Por njerëzit janë kundër pazarllëqeve që luhen pas krahëve të tyre dhe kundër tyre. Se Rama nuk denjon të spjegohet.
Ai i di të gjitha dhe nuk ka nevojë as për opinion publik, as për këshilltarë dhe as për ministra dhe deputetë të aftë. Të gjithë ata që ka zgjedhur gjatë këtyre 13 vjetëve mbretërim kanë qënë për të vënë duart në kokë. Aq kot kanë qënë. Të paaftë, pa reputacion, të pandershëm (dy zëvëndëskryeministra po ndiqen nga SPAK për hajdutëri) etj etj!
Bujrum Kushner dhe kush të dojë të vijë të investojë në Shqipëri. Por pyetja është: çfarë do fitojnë shqiptarët nga këto investime. Dhe sa para do hyjnë në arkën e shtetit?! Se e kemi parë « Bankers-in » se si ka fituar miliarda dhe nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Se del gjithmonë me humbje !
Ndryshe shqiptarët pyesin nëse do të kenë të drejtë të shëtisin buzë detit aty ku Kushner dhe të tjerët do ndërtojnë hotelet e tyre ?! Apo do të jetë një tokë private e ndaluar për shqiptarët dhe qentë?!
Dhe vetëm dje, pas 2 vitesh heshtjeje dhe përçmimi ndaj qytetarëve të vendit të tij, Edi Rama u kujtua më në fund të pohojë se Sazani do të mbetet tokë shqiptare ! Po ku ishe më pare o derëzi?! Apo nuk mund ta ulnje veten aq shumë sa të shpjegoheshe me opinionin publik vendas?!
Këto manifestime nisën për Zvërnecin, që u kthye në pikën e ujit që derdhi gotën, por ato shkojnë shumë më larg se kaq. Është një dëshpërim dhe zhgënjim i madh ndaj këtyre 36 vjetëve demon-kraci!
Njerëzit kanë konstatuar se si një pakicë është pasuruar pa fund duke grabitur pasuritë natyrore të të gjithë kombit! Prandaj duan një fillim të ri. Dhe fjala “Revolucion” që buçet këto ditë në bulevardin e madh të Tiranës shpreh pikërisht këtë pakënaqësi dhe njëkohësisht shpresën për një të ardhme më të mirë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment