Problemi në Sazan nuk është mjedisi apo natyra, por qeverisja arrogante

        Prej disa ditësh në Tiranë  po organizohen demonstrata të papara deri më sot ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Dhe këto janë manifestimet më të fuqishme, që kur ai ka marrë pushtetin, fiks 13 vjet më parë.

      Shkak janë bërë ishulli i Sazanit dhe ai i Zvërnecit pranë Nartës. Të cilët sipas disa burimeve do i jepen çiftit amerikan Jared dhe Ivanka Kushner. Kjo e fundit, siç dihet, është vajza e presidentit amerikan. Pak kohë më parë ajo u prit për këtë qëllim me ceremoni edhe në selinë e kryeministrisë në Tiranë.

       Pa dyshim që për Ramën forcimi i lidhjeve me familjen presidenciale amerikane është diçka e shumë e pritur dhe e shumëdëshiruar. Por duket se jo të gjithë shqiptarët janë të këtij mendimi!

       Ajo që i shqetëson më shumë ata është sidomos qëndrimi i mbyllur dhe arrogant i qeverisë. Gjithçka banorët e vendit e mësojnë nga shtypi i huaj. Pasi qeveria “e tyre” nuk u tregon dhe shpjegon asgjë.

        Askush psh nuk e di nëse ishulli i Sazanit do nxirret në shitje apo do jepet me qera! Dhe për sa kohë dhe me çfarë çmimi?! Shqiptarët po ashtu janë të shqetësuar se mos ata vetë do mbeten jashtë këtij projekti. Pra do jenë si i thonë fjalës të huaj në vendin e tyre.

        Kësaj rrëmuje i shtohet edhe ajo e mos njohjes së pronësisë. Siç është bërë zakon, sapo shpallet ndonjë projekt zhvillimi turistik, banorët e zonës hidhen përpjetë dhe kërkojnë të paguhen! Gjasme se ajo zonë u takon atyre.     

        Kësaj turbullire I është shtuar tashmë edhe Greqia, fqinji ynë i “dashur » që kujdeset gjoja për banorët atje, të cilët , sipas saj, na qënkan homogjenë grekë. Dmth grekë etnikë që jetojnë në trojet e tyre!

        Dihet se pretendimet shoviniste greke mbi të ashtuquajturin « Vorio Epir » shkojnë deri përtej lumit Shkumbin në Shqipërinë e Mesme !

        Dhe sikur të mos mjaftonte me kaq, në këtë mesele janë përfshirë edhe disa shoqata të mbrojtjes së mjedisit, që deklarojnë se këto projekte do  rrënojnë natyrën, do dëbojnë « flamandët », (disa lloj pelikanësh ngjyrë rozë), fokat e rralla që jetojnë në ato zona etj etj. Dhe këtu nuk po flasim fare për opozitën që hedh gurin dhe fsheh dorën.

         Pra kemi të bëjmë me një lloj koktej eksploziv që vë në rrezik qoftë stabilitetin e vendit, por po ashtu « rehatin » e qeverisë.

        Dje psh në Shqipëri ishte edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Antonio Costa, i cili dashur pa dashur vuri re një situatë eksplozive në vend, tani që qeveri poa shpresonte mbylljen e të gjithë kapitujve të anëtarësimit në familjen europiane !

         Rama ndihet tashmë mjaft i shqetësuar. Se sulmet po i vinë nga disa drejtime. Si psh nga ata që nuk i duan amerikanët apo investimet në bregdetin shqiptar, nga qeveria greke, nga ekologjistët dhe pa asnjë dyshim edhe nga opozita që po fërkon duart. Gjithë ky « konglomerat » ka filluar të bëhet bashkë çdo pasdite rreth orës 18 para selisë së kryeministrisë !

        Dhe mirë t’i bëhet Ramës se e meriton. Se ai po dallohej çdo ditë e më shumë për arrogancën e tij. Për përbuzjen ndaj njerëzve që e kanë zgjedhur 4 herë si kryeministër i vendit. Ai nuk flet, nuk spjegon, nuk shprehet dhe ndryshe duket se nuk do t’i dijë as edhe për opnionin publik vendas… Deri më sot!

         Krejt ndryshe do ishte puna nëse Rama do kishte nisur me kohë një bashkëbisedim me njerëzit rreth projekteve të tij të zhvillimit turistik të vendit. Apo edhe rreth projekteve të çiftit amerikan Jared dhe Ivanka për ndërtimin e komplekseve turistike në ato zona. Por jo. Rama nuk mund ta uli veten aq shumë! Pastaj ai është edhe i zënë. Çdo javë do marri avionin për të zgjidhur problemet globale të planetit!

          Dhe prandaj pak nga pak zëmërimi i njerëzve po shtohej. Ata nuk e prisnin këtë sjellje nga ai që kishte premtuar të ishte “shërbëtori” I tyre dhe jo sunduesi.

         Ndërkohë në shtypin e huaj nuk kanë munguar informacionet rreth këtij projekti kaq të veçantë dhe tërheqës në detin Adriatik.          

          “Çifti Trump-Kushner ka vendosur të investojë 3.5 miliardë euro për ta transformuar Sazanin, ish-bazë ushtarake, në një vendpushim luksoz në një ishull. Ai do të ketë 10,000 dhoma hoteli ! (Dakord, por ishulli nuk ka burime ujore. Mos vallë është rënë dakord që turstët të furnizohen nga burimi I “Ujit të ftohtë” që gjendet mu pranë bregdetit në jug të Vlorës. Këtë nuk e di askush). Vizitorët dhe turistët e huaj do të kenë kënaqësinë të shijojnë pamjet e ujërave kristalore dhe bimësisë së harlisur, për të mos përmendur klimën shumë të këndshme lokale » nënvizojnë mediat e huaja. Jared Kushner, nga ana e tij, ndau gjithashtu disa imazhe në mediat sociale që tregojnë se si do të dukej kompleksi turistik.

            Madje në një podcast të publikuar para pak ditësh nga gazetari David Senra, vajza e presidentit amerikan tregonte se si rastësisht hasi në këtë “ishull jashtëzakonisht të bukur prej 1,400 hektarësh” (afërsisht sa madhësia e 2,000 fushave të futbollit) ndërsa ajo po notonte gjatë një udhëtimi me varkë me një mik. “Ne notuam deri në ishull dhe ecëm zbathur deri në majë, dhe mbetëm shumë të impresionuar.” – tregon ajo.

         Ndërkohë, po në këtë podkast, pohohet se grupet mjedisore vendase janë tejet larg këtij entuziazmi, për të mos thënë më shumë. Sipas tyre, ndërtimi i këtij kompleksi të madh turistik do të shkatërronte një rezervat natyror të mbrojtur ku jetojnë dhe ngrenë fole flamingot si dhe lloje të fokave dhe breshkave të detit, ndër të tjera. “Ky rezervat gjendet gjithashtu në mes të një rrugë të madhe migrimi midis Evropës dhe Afrikës për miliona zogj”, shpjegon nga ana e saj organizata e mbrojtjes së mjedisit « BirdLife International ».

         Edhe agjencia e lajmeve turke, Anadoly Axhans u ka dhënë zë demonstratave të fundit në Tiranë. Sipas saj mijëra protestues u mblodhën këtë javë në kryeqytetin e vendit, Tiranë, duke brohoritur slogane të tilla si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga vendi ynë”. Ata, nënvizon kjo agjensi, madje marshuan drejt zyrës së kryeministrit të Shqipërisë për të kërkuar dorëheqjen e tij. Manifestuesit kërkojnë që projekti të braktiset dhe rajoni të mbetet i mbrojtur.

        Po ashtu njësia Speciale Antikorrupsion e Shqipërisë (SPAK) njoftoi të hënën se kishte hapur një hetim në lidhje me ndryshimet në statusin e mbrojtjes së zonës, të cilat do të lejonin zhvillimin e saj turistik – njoftonte « Anadoly Axhans ».

        Gjithmonë sipas të dhënave të shtypit të huaj,Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner do investojnë gati 1.5 miliardë dollarë për të transformuar Sazanin, një bazë ushtarake misterioze të braktisur midis Italisë dhe Shqipërisë, në një ishull luksoz turistik. Ja saktësisht çfarë planifikon të bëjë çifti në një nga ishujt e fundit praktikisht të paprekur në Mesdhe, sipas të dhënave të shtypit të huaj :

        « Një nga projektet e tyre më të guximshme synon ta transformojë ishullin misterioz shqiptar të Sazanit në një destinacion pushimesh që duhet vizituar patjetër nga shumë të pasurit. Kjo zbulohet nga gazetari i vlerësuar me shumë  çmime, Marzio Mian, në një artikull të gjatë të botuar në « The Guardian ». Aty pohohet se ky ishull, një nga ishujt e fundit të pabanuar në Mesdhe, i është shitur familjes Trump”, shkruan ai!

        (I është « shitur ») ! Këtu gjendet edhe çelësi I kësaj turbullire që ka pllakosur Shqipërinë! Se askush në Shqipëri nuk di gjë. “Është shitur! Do shitet! Do jepet me qera! Etj etj”.

            Dhe mediat e huaja vazhdojnë: ”Ishulli karakterizohet nga ujërat e tij kristalore, perëndimet e diellit madhështore, natyra e harlisur dhe e paprekur dhe – për të kompletuar këtë pamje idilike – një klimë subtropikale. Biodiversi-teti këtu është vërtet i pabesueshëm. Kjo është vërtet madhështore” pohon Marzio Mian.

          E pra, për ne që kemi lindur dhe jetuar në Shqipëri, e dimë mirë se kjo parajsë nuk ka qenë gjithmonë kaq e qetë. Për shumë vite, Sazani ka qënë  një bazë e rëndësishme ushtarake nën regjimin diktatorial shqiptar. Ishulli, me një sipërfaqe prej afërsisht pesë kilometrash katrorë, ishte një element thelbësor i mbrojtjes ushtarake të vendit tone. Për vite me radhë, ushtarët e stacionuar atje jetuan në gatishmëri të lartë, nga frika e një sulmi nga NATO ose anëtarët e Paktit të Varshavës. Një rrjet bunkerësh dhe tunelesh u gërmua madje nën tokë për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore.

         Prandaj gaztarët e huaj kanë mësuar se që nga viti 2017, veçse një pjesë e vogël e ishullit ka qenë e arritshme për turistët. Pas një udhëtimi me varkë nga qyteti bregdetar i Vlorës, ata mundën të shijonin bukurinë e Sazanit në një pjesë plazhi idilik, me, pak më tej, panë ndërtesat ushtarake të braktisura dhe mbetje të çuditshme të Luftës së Ftohtë. Ka edhe disa shtigje të bukura ecjeje, por këshillohet të mos largoheni shumë nga kjo pjesë e vogël e arritshme e ishullit. Shenjat me kafka paralajmërojnë për praninë e minave dhe rreziqeve të tjera – shkruajnë ata.

           Tani Sazani pritet të bëhet një qendër e turizmit luksoz, me një kompleks gjigant hotelesh Trump. Projekti i Ivanka Trump dhe Jared Kushner duket se do shtrihet në të gjithë ishullin.

            Verën e kaluar, në korrik 2024, Ivanka Trump nuk e fshehu entuziazmin e saj për projektin. “Po punoj me burrin tim dhe kemi një ishull në Mesdhe”, i tha ajo prezantuesit amerikan të podkasteve, Lex Fridman. “Po punësojmë arkitektët më të mirë dhe markat më të mëdha. Do të jetë e pabesueshme.”

            “Isha vërtet i befasuar që diçka e tillë ekziston në mes të Mesdheut dhe që asgjë nuk është zhvilluar ende.” – pohon nga ana e tij, bashkëshorti i saj, Jared Kushner.

          Kështu gjatë një bisede telefonike me Marzio Mian, Kushneri dukej se e konsideronte ishullin si një “thesar” të vërtetë. Ai ka shprehur dëshirën e tij për të krijuar “kompleksin ideal hotelier” atje.

        Kushner gjithashtu pohoi se ishte “i habitur” kur e zbuloi për herë të parë ishullin në vitin 2021. “Isha vërtet i befasuar që një projekt i tillë ekzistonte në mes të Mesdheut dhe se asgjë nuk ishte zhvilluar ende atje” – tha ai.

         Affinity Partners, firma globale e investimeve e Kushnerit, e cila, sipas New York Times, mbështetet nga rreth 4.6 miliardë dollarë, kryesisht nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera të Lindjes së Mesme, ka konfirmuar edhe ajo planin e saj për një “ekoresort me pesë yje” në ishull, “duke transformuar një ish-bazë ushtarake në një destinacion ndërkombëtar mikpritjeje dhe mirëqenieje” !

        Më 30 dhjetor 2024, projekti mori një shtysë të madhe, siç u zbulua nga “New York Times”: Plani i Trump dhe Kushner për të ndërtuar një kompleks hotelesh luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë (1.2 miliardë euro) në ishullin e Sazanit mori asokohe edhe miratimin zyrtar të qeverisë shqiptare. (Por Rama dje e mohoi diçka të tillë !).

        Megjithatë dokumentat zyrtare tregojnë se qeveria shqiptare po punon me partnerët amerikanë për të pastruar vendin nga municionet që mund të  shpërthejnë dhe të jenë të varrosura.

“Fakti që një sipërmarrës i njohur amerikan po tregon interes për të investuar në Shqipëri na bën krenarë dhe të lumtur”, tha një zëdhënës i kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke hedhur poshtë kritikat. (Tipike për një lëkurëkuq shqiptar kjo sjellje) !

         Pa asnjë dyshim që një vendpushim kaq luksoz në ishullin e Sazanit mund të kthehet në një sukses të vërtetë, për çiftin amerikan.  

        Shqipëria po transformohet çdo ditë e më shumë në një destinacion pushimesh gjithnjë e më popullor dhe Rama ka meritën e vet për këtë gjë.

         Por mos vallë ai e ka tepruar duke I mbajtur këto projekte larg syrit të njerëzve, të banorëve dhe pronarëve të vërtetë të Sazanit, Zvërnecit dhe mbarë Shqipërisë ?! Dhe ndofta tani ai do ta paguajë këtë qëndrim. Të shohim si do rrjedhin ngjarjet.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment