A po sulmohet Rama nga neo-marksistët?!

    Rama është bërë keq. Kjo u vërejt sidomos sot, e hënë 1 qershor, gjatë një fjalimi të tij para drejtuesve të Partisë Socialiste. I kritikuar me forcë për projektet e tij të koncesioneve të zonave bregdetare të vendit. konkretisht dhënien e portit të Durrësit një investuesi arab, dhënien e ishullit të Sazanit dhe Zvërnecit, (zona e Nartës) Jared Kushnerit, dhëndërrit të presidentit Trump, apo ujin e lumit Shushicë italianëve, ai sot, për herë u shpreh:”Në rast se nuk e doni vizionin tim për Shqipërinë, aty e keni Arlind Dritëgjatin”!

      Arlind Dritëgjati, saktësisht Arlind Qori,  është udhëheqësi i një partie të vogël, e majtë, pothuajse neomarksiste, që është kundër shitjes apo dhënies me qera të copëzave të vendit apo pasurive të tij investuesve të huaj apo vendas qofshin.

     Aq i zëmëruar dukej sot Rama nga kritikat dhe kundërshtimet në rrjetet sociale ndaj projekteve dhe vizionit të tij, saqë pohoi se kohët e fundit shumë herë kishte menduar të jipte edhe dorëheqjen nga posti! Por që sigurisht nuk do ta bëjë. Të paktën pa u afruar edhe fundi i këtij legjislativi.

     Problemi i madh me Ramën është se ai nuk spjegohet, nuk komunikon. As edhe me zgjedhësit e tij. Rrotull ka një aradhe me të paaftë që nuk guxojnë as të shprehen, por vetëm i thonë “amin” për çdo gjë!

     Por kritikat që bien ndesh me planet e tij, ai duket që nuk i duron dot. Kështu shpjegohet edhe “mbyllja” e tij, moskomunikimi me njerëzit që e kanë zgjedhur. Me arrogancën që e karakterizon duket se mendon se ato që i di ai, nuk ka nevojë t’i dijnë të gjithë. Prandaj edhe në opinionin publik janë përhapur lloj lloj teorish, sa të vërteta aq edhe konspiracioniste.

       Por ka edhe një problem tjetër të madh. Sa herë që flitet për ndonjë investim në ndonjë zone bregdetare, do të dalin menjëherë katundarët që banojnë aty rrotull, duke pretenduar se ajo zonë ka qënë denbabaden e tyre! Problem mbi problemet ky.

       Kështu ngjau edhe para pak ditësh në Zvërnec, ku banorët e fshatit u përplasën me policinë dhe me një grup privat të sigurisë!

       Asnjeri në këtë botë nuk e di nëse i është dhënë apo do i jipet së shpejti Sazani konsorciumit të huaj të kryesuar nga Jared Kushner. As se ku kanë vajtur deri më sot bisedimet, as kushtet e dhënies me qera! Për sa vjet, me çfarë çmimi etj etj?! E njëjta gjë për Zvërnecin, portin e Durrësit e të tjera.

      Arroganca e Ramës është kaq e madhe, saqë atij i duket si ulje të dalë dhe të spjegojë në televizor se çfarë po bëhet. Dhe tani paralajmëron se do iki fare nëse opnioni publik vazhdon ta mërzisë akoma me pyetjet dhe kundërshtimet e tij !

       E vërteta është se askush sot në Shqipëri nuk e di se sa miniera dhe burime të tjera natyrale sot janë dhënë me koncesion dhe kujt ! Qeveria hesht si Sfinksi. Ajo nuk do telashe.

      Por njerëzit kërkojnë shpjegime. Se ata nuk janë të kënaqur nga politika ekonomike e kryeministrit. Ky I fundit madje duket se as që ka edhe as që i pyet këshilltarët e tij ekonomikë, por veshët i mban se çfarë i thonë të huajt!

      Si rrjedhojë, edhe sot e 36 vjet pas « hapjes » së Shqipërisë, njerëzit vazhdojnë dhe largohen nga vendi, pa e kthyer kokën mbrapa. Dhe Rama vazhdon të sjellë krah pune nga Bangladeshi dhe Malajzia. Që oligarkët të mos detyrohen të ngrejnë rrogat !

      Dhe duket se njerëzit nuk e kuptojnë dhe nuk e besojnë më Ramën. Çuditen se si ai është mik edhe me Erdoganin edhe me Izraelin?! Mik edhe me kryeministren e djathtë italiane edhe me kryeministrin e majtë spanjoll Sançez!

     Politika e tij ekonomike në vend është e mbështetur thjesht te turizmi. Asnjë investim psh për ngritjen e ndonjë fabrike përpunimi frutash apo prodhimi sapunësh etj etj. Këtë detyrë ai ua ka lënë oligarkëve. Si rrjedhojë edhe pushteti duket se ka rënë në duart e milionerëve.

     Aq sa edhe Berisha sot u shpreh në mbrojtje të investimeve të huaja! Jo dhe aq e çuditshme kjo deklaratë e tij, kur dihet se është ai që ka sjellë “Bankers” në vend, e cila prej 20 vjetësh dhe miliarda dollarësh fitim nga shfrytëzimi i naftës shqiptare, nuk ka hedhur as edhe një qindarkë në arkën e shtetit, pasi del gjithmonë me humbje! Ndërsa “investuesi” Italian Bechetti na mori edhe mbi 100 milionë euro dëmshpërblim, pasi Rama e përzuri nga vendi!

      Siç shihet dhe dihet, Rama ekonomikisht është i djathtë. Njëlloj si Berisha, i cili sot i doli në krah! Por inatin Rama duket se e ka me të majtët shqiptarë, të cilët nuk i përtypin dot politikat e tij liberale në favor të oligarkëve. Prandaj edhe sulmoi atë që ai e sheh si kundërshtarin më serioz ideologjik në ekonomi.

      Dihet se në shumicën e tij populli shqiptar është i majtë. Dhe kjo Ramën e tremb dhe e nervozon shumë. Prandaj edhe deklaroi sot se :”Po nuk më deshët mua, – këtu e kenë Arlindin”!

       Ky i fundit njihet në përgjithësi si neomarksist, por askush nuk i njeh mirë bindjet e tij të thella politike. Si psh: cili është raporti dhe qëndrimi i tij ndaj regjimit të Enver Hoxhës?! Çfarë mendon ai për pluralizmin dhe ekonominë e tregut ?! E të tjera e të tjera.

       Por retorika e tij populiste dhe majtiste, kritikat e tij ndaj paaftësisë së qeverisjes së Ramës kanë filluar të lëjnë gjurmë në opinion. Sidoqoftë partia e tij : « Lëvizja Bashkë » është ende larg pushtetit.

       Shqiptarët e pësuan një herë nga një « profesor » që i mbylli brenda si në kuvli dhe u premtoi se edhe bar do hamë por parimet nuk i shkelim  ! Dhe prandaj nuk duan kurrsesi të përsëritet një përvojë e tillë nga një profesor tjetër !

      Si kryetar i një partie të majtë, e mira do ishte që edhe Rama të ndiqte një politikë ku t’i jepej më shumë rëndësi pronës publike dhe rolit të shtetit në ekonomi. Por jo : Ai nuk dëgjon nga ai vesh. Shpirti i tij është i lidhur me oligarkët, si antikomunist i qametit që e mban veten.

     Prandaj edhe shqiptarët janë të sëkëlldisur. Ata e hoqën para 13 vitesh, të keqen më të madhe që pllakosi Shqipërinë, Sali Berishën, por jo që politika e tij ekonomike të ndiqet tani edhe nga Rama.

    Se ka zëra që pohojnë se oligarkët e dikurshëm të Berishës sot janë rradhitur pas Ramës! Dhe kjo shumicës së shqiptarëve nuk u pëlqen.

     Shkurt: shqiptarët janë të zhgënjyer sot nga kryeministri i tyre. Ai nuk ka ditur të vëjë në shina as drejtësinë e plepave, as shëndetësinë e korruptuar deri në palcë, as ekonominë e mbështetur te oligarkët dhe te dhënia me koncesion e pasurive të vendit të huajve etj etj.

     Dhe Rama e ka kuptuar se njerëzit kanë filluar të mos e duan. Prandaj edhe i kërcënoi sot me largimin e tij. E mira do ishte që ai të ndryshonte kurs. Nëse mundet. Pra të zbatonte programin dhe idetë e Partisë Socialiste. Se edhe atë e ka degjeneruar deri në asht. Kjo parti sot nuk ka asgjë socialiste.

    Prandaj edhe e ardhmja e vendit mbetet prapë në qorrsokak. Mirë që ikën Rama, por kush vjen pas…?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment