Kujt i takon Sazani ?! Dhe mbarë Shqipëria?!

       Shkak për këtë shkrim u bë një analizë në median e shumë njohur europiane, EU-OBSERVER, ku theksohej se pjesët më të bukura turistike të Shqipërisë po u « shiten » miliarderëve të huaj ! E vura në thonjza fjalën « shiten » se nuk besoj se kjo mund të jetë e vërtetë. Sepse askush nuk ka të drejtë të shesë atë që nuk është e tija, pra që nuk është pronë e tij personale !

       Personalisht nuk kam asnjë kundërshtim që dhëndrri i presidentit amerikan, Jared Kushner apo kushdo tjetër të ndërtojë nja 10 hotele në Sazan, Zvërnec, Durrës apo kudo tjetër. Por jam totalisht i trullosur ndaj  shitjes së Sazanit apo tokës në Zvërnec a kudo tjetër pasanikëve të huaj !

        Në fakt privatizimi i tokës ishte një nga gabimet më të tmerrshme të pushtetit që u vendos në Shqipëri pas vitit 1990. »Vetëm ajo që është prodhuar nga dora e Njeriut mund të shitet dhe të blihet” – theksohet në librat e shenjtë. Dhe është normale : Askush nuk ka të drejtë të shesë malin, lumin, Hënën apo ku ta di unë.  

      Dhe Sazani ekziston aty më së paku prej disa qindra miliona vjetësh. Kur Njeriu as që ekzistonte. Por dinozaurët po ! Pra Sazani i takon të gjithëve dhe po ashtu nuk i takon askujt. Njëlloj si edhe toka e punueshme. Ajo mund tu jepet me qera bujqëve që e punojnë apo e kanë punuar atë gjatë qindra vjetëve kundrejt një takse mbi prodhimin e nxjerrë apo sipërfaqen nën zotërim. Por edhe ajo, toka bujqësore, nuk mund të jetë kurrë pronë private. Sidomos në Shqipëri ku tokat më të mira dhe pjellore kanë qënë pronë e bejlerëve dhe agallarëve turq.

       Në fakt në një botë të drejtë dhe ideale pasuritë publike të një vendi apo të një kombi nuk duhet kurrsesi të privatizohen, pra të kthehen në pronë vetjake e një personi apo qoftë edhe të një shumëkombësheje.

     Afrika është shembulli më i keq në këtë drejtim. Në mënyrë metaforike pohohet se afrikanët flejnë mbi diamante ! Por njëkohësisht ata janë edhe njerëzit më të varfër të planetit. Se pasuritë e tyre u janë shitur personave, shumëkombësheve apo shteteve të huaja !

         Dhe këtu vimë te pyetja kryesore : Cili institucion, parlament, kryeministër apo president ka « të drejtë » t’i shesë pasuritë e vendit të tij, të popullit të tij, një personi vendas apo i huaj qoftë ?!

      Pa dyshim një fabrikë, një uzinë, një shtëpi, etj etj mund të shitet dhe të blihet me dhjetra herë. Por një pyll qindravjeçar, një korije, një lëndinë, një liqen, një minierë, një fushë naftëmajtëse, po ashtu burimet e kromit, bakrit, hekurit etj etj askush nuk ka të drejtë as t’i privatizojë as t’i shesë. Askush dhe kjo është alfa e ekonomisë.

      Por në praktikë ngjan e kundërta.  Gjithçka kërkohet të privatizohet. Deri edhe burimet e ujit të pijshëm ! Dhe kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë që kur kryeministri i Iranit Mossadegh nacionalizoi në vitin 1951 burimet naftëmajtëse të vendit të tij, që zotëroheshin nga grupi britanik « Oil Company », sot BP : British Petroleum ! Dy vjet më pas CIA dhe shërbimi sekret britanik M6 organizuan atje një grusht shteti dhe e rrëzuan nga pushteti kryeministrin nacionalist iranian.

       E njëjta gjë ngjau edhe në Irak, ku presidenti i atëhershëm Abdel Kassam ia ndaloi shoqërisë britanike më 1956 të hapte dhe të shfrytëzonte puse të reja nafte në vendin e tij. Por kjo shoqëri mund të vazhdonte të shfrytëzonte si më parë puset tashmë të hapura.  U përsërit e njëjta skemë : Shërbimet e huaja, sidomos ato anglo/amerikane i i organizuan një putch, grusht shteti, dhe Kassem u ekzekutua !

       Le të kthehemi tani në Shqipëri. Me çfarë të drejte kryeministri i vendit mund të shesë apo të japë me qera ta zemë për 50 apo 100 vjet Sazanin apo Zvërnecin ?! Ai kryeministër nuk mund të rrijë dot në pushtet 100 vjet, edhe sikur të dojë.  Afati i tij I qeverisjes apo edhe i parlamentit apo presidentit është i kufizuar gjatë një ose më shumë mandatesh. Dhe jo përjetësisht. Por sidoqoftë as ai, as parlamenti, dhe as presidenti, nuk janë pronarë të Shqipërisë! Ata janë thjesht administratorë të pasurive të saj apo nikoqirë, siç thuhej dikur!

        Për miliarderët është shumë e thjeshtë t’i fusin në xhep një sunduesi afrikan nja 100 milionë dollarë dhe të marrin në koncesion burimet natyrale të atij vendi! Dhe kjo ka ngjarë dhe mund të ngjasë prapë edhe në Shqipëri.

      Te ne është tejet i freskët rasti i kompanisë së huaj naftënxjerrëse “Bankers”, e cila që kur ka marrë nën zotërim fushat naftëmbajtëse të Patos Marinzës, nuk i ka paguar shtetit shqiptar as edhe një qindarkë, se del gjithmonë me humbje!

       Dhe sa pasuri të tjera kombëtare janë privatizaur apo shitur në Shqipëri gjatë këtyre 36 viteve të fundit?! Pa asnjë dyshim veprime të tilla përbëjnë një krim kombëtar! Një tradhti të lartë ndaj vendit. Në një shtet normal ata që kanë shitur apo privatizuar këto pasuri duhet të përgjigjen para gjyqit !

     Ndryshe një pasuri kombëtare, ta zejmë bakrin, ti mund ta japësh me koncesion për një periudhë të caktuar kohe edhe një investitori vendas apo të huaj. Por me disa kushte . Së pari : një çmim « dysheme » që duhet paguar në çdo rast për marrjen e koncesionit, edhe nëse fiton apo humb. Dhe tjetra : investuesi duhet të ketë të drejtën e fitimit netto prej jo më shumë se 10 për qindë nga mbivlera e krijuar, vetëkuptohet pasi të jenë zbritur të gjitha shpenzimet !

        Në këtë rast është shteti, pra publiku, që merr 90 përqind të fitimit, nga burimet e tij natyrore. Dhe jo e kundërta, siç bëhet sot : 90 përqind privati dhe 10 për qind shteti (në rastin më të mirë).

       Një kryeministër duhet të spjegohet ose të japë llogari për veprimet e tij para zgjedhësve dhe mbarë publikut. Pas çdo vendimi që merr. Në një demokraci të vërtetë asgjë nuk duhet t’i fshihet atij që e thërrasim me përkëdheli  dhe dredhi : « Sovrani » !

       Por vetëm në vende ku populli ka një nivel të lartë kulturor, qeveritë nuk guxojnë t’i fshehin asgjë atij. Në ato vende ku po e pate paguar restorantin me kartën e shpenzimeve kryeminstrore dhe jo me atë personale, duhet të përgatitesh ta lëshosh postin me turp. Para një publiku të ngritur, me arsim dhe kulturë, që nuk i fal korrupsionin dhe shpërdorimet.

       Po a janë shqiptarët të këtij niveli ?! As pas 1 000 vjetësh.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment