Eliza : Inteligjenca Artificiale e krijuar para 60 vitesh !

       Pikërisht në vitin 1966, shumë vite para krijimit të internetit, shumë kohë para lindjes së  kompjuterëve personalë dhe dekada të tëra para ChatGPT-së, një program i thjeshtë kompjuterik, i krijuar nga MIT (Masaçuset institut of technology) arriti t’i bindte përdoruesit se ai (një makinë kompjuterike) ishte në gjendje të bisedonte me njerëzit dhe të kuptonte edhe çfarë ata thonin !  Ky program, që u emërua si Eliza, në nder të emrit të vajzës së vogël që « foli » për herë të parë me këtë « tru elektronik » u bë një nga eksperimentet më të papara dhe domethënëse në historinë e inteligjencës artificiale.

        Eliza u krijua nga Joseph Weizenbaum, një shkencëtar kompjuterash gjermano-amerikan, siç thamë në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale të MIT-it. Qëllimi i tij nuk ishte të krijonte inteligjencë artificiale në kuptimin e ngushtë të fjalës, por më tepër të demonstronte mundësinë e ndërveprimeve njeri-makinë. Ishte koha kur bota po fliste dhe po debatonte pikërisht për ndërveprimet e mundshme ndërmjet njeriut dhe makinave automate, robotëve,  të njohur edhe si Cyborg !

       Çuditërisht, Eliza funksionoi tejet parashikimeve, shumë më mirë edhe se sa pritej, duke ngjallur një magjepsje dhe habi të pamasë në botën shkencore të asaj kohe, por po ashtu ashtu edhe një shqetësim të thellë.

       Skema e  Elizës duket sot disi e thjeshtë për inxhinjerët e Inteligjencës Artficiale. Por nuk duhet të harrojmë se kanë kaluar plot 60 vjet që atëhere. Programi « Eliza » që atëhere analizonte të dhënat e përdoruesit rreth fjalëve kyçe që ky i fundit përdorte dhe më pas përgjigjej me fraza të paraprogramuara, duke krijuar kështu  iluzionin e të kuptuarit. Proces që sot njihet me emrin metadone.

       Skenari më i famshëm ishte ai i doktorit, i cili imitonte një psikoterapist rogerian. Terapia rogeriane përfshin riformulimin e deklaratave të pacientit, duke inkurajuar kështu vetanalizën apo psikoanalizën. Ja edhe një “bisedim” tipik në atë kohë:

 Përdoruesi:Jam i trishtuar sot.
 Eliza:Më vjen keq që dëgjoj se je i trishtuar.

Përdoruesi: Nëna ime nuk më kupton kurrë.
Eliza: Më trego më shumë për familjen tënde.

Përdoruesi: Askush nuk interesohet për mua.
Eliza: Pse mendon se askush nuk interesohet për ty? Etj etj.

       E vërteta është se “Eliza”, jo vajza, por programi elektronik, në fakt si një makinë e vërtetë, nuk kuptonte asgjë. Thjesht i njihte fjalët kyçe si “nënë” ose “e trishtuar” dhe jepte përgjigjet e duhura. Që në atë kohë programi elektronik kishte një memorie ku ishin stokuar me miliona fjalë me kuptimin e tyre dhe “Elizës i duhej vetëm të zgjidhte përgjigjen më të arsyeshme ndërmjet tyre. Por pavarësisht të gjithave ky proces mekanik shkaktoi diçka të paparashikuar dhe të papritur.

      Në fakt të kuptuarit e arkitekturës teknike të Elizës zbulon si “zgjuarsinë” ashtu edhe kufizimet e saj. Weizenbaum, krijuesi i programit,  e prodhoi Elizën me pak gjë, thjesht me burime relativisht rudimentare kompjuterike të asaj kohe, por krijoi një sistem jashtëzakonisht efikas.

      Eliza ishte e paparë sepse ndante dhe veçonte motorin e bisedës nga përmbajtja e bisedës. Programi bazë ishte një strukturë gjenerike e aftë të ekzekutonte “skripte” (komanda apo instruksione informatike) të ndryshme – grupe rregullash që përcaktonin se si t’i përgjigjeni të dhënave të përdoruesit. Kjo veçanësi, bashkërisht me aftësinë e zgjedhjes, i lejoi Elizas të luante teorikisht çdo rol bisedor, prandaj “doktori psikiatër” u bë implementimi më i njohur I asaj kohe.

        Eliza përdorte  disa elementë kyç në zemër të sistemit të saj të sofistikuar të përputhjes së modeleve: Ndryshe ajo u paraprogramua të përdorte një listë fjalësh kyçe, secila e shoqëruar me një përparësi numerike. Psh fjalët si “nënë”, “baba”, “kompjuter” dhe “ëndërr” kishin përparësi të lartë, ndërsa fjalët e përgjithshme kishin përparësi më të ulët.

        Gjatë analizimit të të dhënave hyrëse, Eliza njehsonte fjalën kyçe që kishte përparësi për të përcaktuar grupin e rregullave që do të zbatoheshin. Dhe vetëkuptohet se rregullat e llogjikës, sintaksës së të folurit etj ishin paraprogramuar te ajo me një saktësi të përkryer. Ajo “dinte” se çfarë fliste!

       Eliza kryente po ashtu edhe zëvendësime të përemrave dhe fjalëve për t’u siguruar që riformulimet e saj të ishin gramatikisht të sakta. “Unë” bëhej “ti”, dhe “e imja” kthehej në “e jotja” e kështu me radhë. Kjo i lejoi Elizës t’i riformulonte deklaratat e saj në dukje krejt natyrshëm.

        Sidoqoftë është pak e vështirë për të kuptuar dhe shpjeguar se si Eliza i “zbulonte” këto fjalë në memorien (kujtesën) e saj elektronike. Kjo është një lëndë që mësohet në kurset e informatikës në universitet. Por dihet se te Eliza « gjallonte » një mekanizëm rudimentar i kujtesës.

       Për shembull, nëse i thonit psh që “Babai im më rri larg”, përgjigja e programuar e Elizës do të ishte “Më trego më shumë për babanë tënd” duke krijuar kështu një lloj vazhdimësie bisedore.

       Dhe kur qëllonte që Eliza ndeshej me fjalë që ajo nuk i kishte të ruajtura në memorien e saj ajo jepte përgjigje të paraprogramuara si:

·         “Ju lutem, vazhdoni.”

·         “Kjo është shumë interesante.”

·         “A mund të më jepni më shumë detaje mbi këtë pikë?”

·         “E shoh.” Etj etj.

       Këto fraza neutrale lejonin që biseda të vazhdonte pa u zbuluar « injoranca » e saj. Sa për informacion duhet pohuar se Weizenbaum e krijoi Elizën midis viteve 1964 dhe 1966 duke përdorur MAD-SLIP, një lloj dekoduesi i Algoritmit të Miçiganit,  një gjuhë programimi e projektuar për përpunimin e listave.

        Kështu psh i gjithë skripti « doktor » përmbante vetëm rreth 200 rreshta me rregulla përputhshmërie modelesh. Pavarësisht kësaj thjeshtësie, programi rezultoi jashtëzakonisht efektiv në zhvillimin e bisedave që zgjasnin njëzet minuta ose edhe më shumë. Gjë që la me gojë hapur gjithë botën shkencore në atë kohë. Kohë po ashtu e fluturimeve të para kozmike.

     Atëbotë  si dhe sot truri elektronik « Eliza » nuk kishte njohuri për botën reale dhe nuk kishte as aftësi të të nxënit. Ndryshe nga Chat GPT – i sotëm që zotëron aftësinë e jashtëzakonshme të të vetë nxënit, ndryshe vetprogramimit !  Nuk mund të mbante mend as bisedat e mëparshme dhe as të kuptonte kontekstin përtej zbulimit të thjeshtë të fjalëve kyçe ose mundësisë të krijimit të frazave komplekse fjalish.

        Megjithatë, këto kufizime ishin pikërisht pika kulmore  e programit të Weizenbaum: saqë pa asnjë gjurmë inteligjence të vërtetë, programi mund të krijonte ndërveprime bindëse. Sot këtë teknologji e njohim me emrin I.A.: Inteligjencë Artificiale. Por siç shihet ajo është konceptuar jo  4 vjet më parë, kur bota u njoh me Chat-GPT, por saktësisht 60 vjet më parë !  

       Por ajo që e tronditi më shumë Weizenbaum ishte shpejtësia me të cilën njerëzit krijuan lidhje emocionale me Elizën. Përdoruesit ia hapnin asaj zemrën,  duke diskutuar me të probleme intime dhe vështirësi personale. Disa këmbëngulën se makina i kuptonte!

         Weizenbaum u tmerrua kur sekretarja e tij personale e ndaloi atë një ditë të hynte në laboratorin e tij, pasi ajo po i tregonte Elizës disa të fshehta nga jeta e saj personale! Njerëzit filluan asokohe  të besonin vërtet në empatinë (mirëdashjen) e Elizës sepse ajo i trajtonte fjalët e tyre me interes të dukshëm.

        E njëjta taktikë po ndiqet edhe sot nga krijuesit e programeve të Inteligjencës Artificiale, si Gemini, Chat GPT, Seek Deep, Grok etj etj. Kështu psh në rastion kur ti i drejton një pyetje programeve të mësipërme, ata të japing përgjigjen më të mirë të mundshme. Pa harruar të të lavdërojnë për pyetjen tënde “inteligjente”! Dhe në rast se ti u thua atyre  psh: ” Faleminderit I.A” do kesh si “shpërblim” edhe një përmbledhje të përgjigjes së mësipërme me ftesën që të “kalosh” sa herë të duash andej dhe të propozosh çdo lloj pyetje që të vjen ndër mend!

       Ky fenomen është bërë i njohur si “efekti Eliza” – tendenca e njerëzve sot për të antropomorfizuar (dhënë pamje njeriu) sistemeve kompjuterike dhe për tu mveshur atyre mirëkuptim dhe ndjenja, aty ku ato në të vërtetë nuk ekzistojnë.

      Siç thamësuksesi i Elizas e shqetësoi shumë krijuesin e saj. Në librin e tij të vitit 1976, “Fuqia e Kompjuterit dhe Arsyeja Njerëzore”, Weizenbaum argumentoi se detyra të caktuara nuk duhet t’u delegohen kurrsesi kompjuterëve, veçanërisht ato që kërkojnë gjykim njerëzor, dhembshuri apo mençuri. Ai shqetësohej për një të ardhme ku njerëzit mund të preferonin terapinë nga makinat, lidhjet me to në vend të kontakteve  njerëzore.

       Shqetësimet e tij rezultuan të sakta. Sot, po përballemi me pyetje të ngjashme në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale, shërbimin e automatizuar ndaj klientit dhe kufijtë midis inteligjencës së vërtetë dhe programimit të zgjuar.

      Sot, pikërisht gjashtëdhjetë vjet më vonë, ndikimi i Elizës është i kudondodhur. Çdo chatbot, asistent virtual dhe inteligjencë artificiale bisedore i detyrohet diçka eksperimentit të Weizenbaum. Programi tregoi se bashkëveprimi në dukje kuptimplotë njeri _ makinë  nuk kërkon mirëkuptim të vërtetë, thjesht llogjikë, zgjuarsi dhe shkencë. – një parim që ende shërben si mbështetje për pjesën më të madhe të teknologjisë së sotme.

       Me këtë rast “Eliza” na ka dhënë edhe disa mësime të vyera. Si psh kur edhe një manipulim i thjeshtë teksti mund të krijojë ndërveprime magjepsëse nëse hartohet me kujdes. Po ashtu konstatohet se pavarësisht të gjithave qëniet njerëzore duket se kanë nevojë të domosdoshme  për lidhje dhe komunikim. Ne jemi aq të prirur ndaj bashkëveprimit shoqëror saqë po e kërkojmë atë sot edhe në sistemet mekanike pa shpirt!

      Hendeku sot midis Elizës dhe GPT-4 duket i madh, aq shumë ka përparuar shkenca,  por ende disa pyetje themelore mbeten pa përgjigje për shumicën e njerëzve: A janë këto sisteme vërtet inteligjente, apo janë thjesht algoritme tepër të sofistikuara të njohjes së modeleve? Kur bashkëveprojmë me to, me kë saktësisht po biem në kontakt?

       Modelet moderne të gjuhës përdorin tashmë rrjete nervore të trajnuara në grupe të mëdha të dhënash, jo përputhje të thjeshtë fjalësh kyçe. Ato mund të ruajnë kontekstin, të gjenerojnë përgjigje të reja dhe të trajtojnë kompleksitetin që Eliza nuk mund t’i bënte.

         Megjithatë,algoritmet e shkencëtarëve  ende nuk e “kuptojnë” termin në kuptimin njerëzor: ata thjesht parashikojnë fjalët e mundshme të ardhshme bazuar në modele të paraprogramuara (ngulfatura) në memorien e tyre.

       Eliza pati një sukses të jashtëzakonshëm aso kohe, njëlloj dhe më shumë madje se Chat GPT-ja sot, sepse ajo ia doli mbanë jo për shkak të inteligjencës së saj, por sepse pasqyronte një imazh të vërtetë të vetes sonë. Ajo i përsëriste fjalët tona në një mënyrë që na dha neve fuqi dhe kuptim. Duke vepruar kështu, ajo zbuloi po aq shumë rreth psikologjisë njerëzore sa edhe rreth aftësive kompjuterike.

        Gjermano- amerikani Joseph Weizenbaum na ofroi kështu pa dashur një dhuratë të helmuar. Eliza na zbuloi premtimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale në formë bisede: lehtësinë me të cilën ne përvetësojmë zëvendësues teknologjikë për kontaktin njerëzor dhe kujdesin që duhet të tregojmë në lidhje me atë që jemi të gatshëm të zëvendësojmë.

       Dhe ndërsa sot po vazhdojmë të zhvillojmë sisteme gjithnjë e më të sofistikuara të inteligjencës artificiale, Eliza na fton të vëmë në pikëpyetje natyrën e ndërveprimeve tona dhe atë që rrezikojmë të humbasim. Ky debat filloi në vitin 1966 dhe ne ende sot po përpiqemi ta kuptojmë kuptimin e tij.

         Të rinj apo të vjetër që sot psh  po e kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre të lidhur pas smartphonit apo « reality – shou », që janë vegla për trurët e zbrazur nga çdo llogjikë dhe aftësi të menduari, kuptuari dhe analizuari.

         Bota po ecën përpara sot me një shpejtësi të paparë. Dhe duhet që edhe shtetet shqiptare këndej dhe andej Drinit të ndjekin këto zhvillime. Të mos i « dehin » njerëzit me emisione televizive bosh apo dhe me Tik-Tokera të pavlefshme, të mos i nxisin të bëhen vetëm kamarierë, por edhe të përfitojnë nga eksperienca botërore, siç është psh ajo në fushën kompjuterike dhe programimit. Kjo është e ardhmja.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment