Ka disa kohë që emri i Lea Ypit po lakohet çdo ditë e më shumë në mediat europiane. Ajo po bëhet e njohur sidomos si një fillozofe dhe vëzhguese e mprehtë e situatës së sotme ndërkombëtare. Para disa muajsh ajo ishte ftuar edhe në emisionin e njohur « 28 minuta » të kanalit televiziv franko – gjerman “Arte ». Ndërsa para pak ditësh ajo u mor në intervistë edhe nga e përditshmja tejet e njohur italiane « La Repubblica ».
Njohëse e mirë e gjuhëve italiane, franceze dhe angleze ajo ka se çfarë të tregojë. Jo vetëm rreth jetës së saj personale dhe familjare, por edhe ndaj zhvillimeve më të fundit në botë. Këto kohët e fundit Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha kanë qënë shqiptaret më të njohura në botën muzikore ndërkombëtare. Po ashtu si edhe Mira Murati, një nga drejtueset e njohura sot në botën amerikane të informatikës, softuerëve dhe Inteligjencës Artificiale. Për sportdashësit e futbollit edhe emri i Granit Xhakës, një nga futbollistët më të mirë të këtij 10-vjeçarit të fundit, është po ashtu tejet i njohur.
Deri para disa vitesh shqiptari më i njohur nga opinioni ndërkombëtar ishte Ismail Kadareja, sidomos për talentin dhe artin e tij të të shkruarit. Talent, që siç dihet, u zhvillua dhe u ra në sy sidomos gjatë epokës komuniste.
Gjatë këtyre 33 viteve në Perëndim kam vërejtur po ashtu se edhe emri i Enver Hoxhës ishte i njohur, sidomos në botën politike. Por edhe njerëz të thjeshtë e njihin atë. Megjithatë Enver Hoxha njihej më shumë si diktator i egër dhe i pamëshirshëm. Prandaj edhe u çudita shumë kur pa 2 javësh njëri nga komentatorët më të njohur të kanalit televiziv francez, LCI, e krahasoi Enver Hoxhën me diktatorin iranian, i vrarë para pak kohësh, Ali Khamenei. Madje dukej se animatori francez e cilësoi Enver Hoxhën edhe më të tmerrshëm dhe më të pamëshirshëm se vetë tirani iranian !
Por le të kthehemi te rrugëtimi i veçantë dhe i pazakontë i Lea Ypit. I pazakontë dhe i veçantë sidomos kur ke parasysh trashëgiminë e saj politike. Nisur nga gjyshi i saj i dënuar me 15 vjet burg në kohën e diktaturës si dhe nga stërgjyshi i saj, Xhaferr Ypi, ministër në qeverinë kolaboracioniste shqiptare në kohën e pushtimit fashist, (sipas vetë Lea Ypit).
Dhe nisur nga kjo bazë, nga kjo e kaluar, ishte fare e natyrshme që Lea Ypi të ishte thellësisht antikomuniste. Por jo. Gazeta “Repubblica” e cilëson atë si me formim marksist dhe vetë Lea Ypi nuk e mohon këtë fakt. Madje ajo njihet në Europë pikërisht për pikëpamjet e saj të majta, antikapitaliste dhe shumë të afërta me ato marksiste! Si spjegohet?!
Duket se një formim i tillë vjen nga një udhëtim dhe refleksion personal i saj, që i ka njohur dhe provuar të dy sistemet. Dhe kjo është e çuditshmja. Një e persekutuar nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës ia del të mos i konfondojë, (përziejë, ngatërrojë) idealet e Marksit me praktikën e çmëndur totalitare të sistemit stalinist të Enver Hoxhës.
Në një kohë që ne jemi mësuar me të kundërtën. Jemi mësuar me Ismail Kadarenë që pasi e ngriti në qiell diktatorin shqiptar, më pas nuk la gjë pa thënë kundër tij. Kemi edhe rastin e Sali Berishës, që regjimi i kaluar e hoqi nga dhitë dhe nga askushi e bëri dikushi. Kemi edhe rastin e Edi Ramës, pinjoll i një prej familjeve të privilegjuara të elitës komuniste, që sot shfaqet si një naziskin dhe antikomunist i tërbuar.
Kështu ka ngjarë gjatë këtyre 35 vjetëve të shkuar. Komunistë të qametit, që të merrnin në qafë për një fjalë goje, papritur sa hap e mbyll sytë, u shndërruan në mbështetëes të zjarrtë të kapitalizmit!
Prandaj bie në sy edhe më shumë trajektorja e pazakontë e Lea Ypit, nga një e persekutuar, nga pasardhëse e një familjeje me tradita borgjeze ajo kthehet në kahun e kundërt dhe njeh dhe pranon të mirat e sistemit socialist. Kjo trajektore të lë me gjthë mend me gojë hapur.
Ja çfarë deklaron ajo, ndër të tjera, te gazeta e mirënjohur italiane, e cila për më shumë e ka vënë këtë shprehje si titullin e intervistëes së saj me filozofen shqiptare:”Nacionalizmi dhe kapitalizmi janë pengesat kryesore të shekullit të XXI”! – thekson me forcë ajo.
“Prej disa kohësh Lea Ypi vazhdon të përsërisë se politika duhet të rigjejë moralin e humbur. Pedagoge në London School of Economics, me formim marksist, e diplomuar në Universitetin Sapienza të Romës, me një fëmijëri të kaluar në Shqipërinë komuniste: biografia e intelektuales 46-vjeçare më të dashur nga brezat e rinj, pjesëmarrëse në simpoziume me dyer të mbyllura dhe në festivale të mbushura plot, është një përzierje përvojash jetësore dhe akademike.
Ypi pëlqen të shkruajë libra më shumë letrarë sesa eseistikë, hibride reflektimesh, kujtimesh dhe rrëfimesh. I fundit, “Indignity”, duket si një memoir i gjerë për familjen e saj, por në të vërtetë është një çelës për të lexuar botën. Filozofja e momentit, vëzhguese e mprehtë e nacionalizmave bashkëkohorë dhe kritike e kapitalizmit, nuk zhytet në viktimizëm, por bën një thirrje: të rizbulojmë Europën e origjinës”. Kështu nis hyrja e artikullit të “La Repubblica” gjatë intervistës të realizuar me shkrimtaren dhe intelektualen shqiptare.
“Jam rritur me gjyshen time, Leman, gjatë komunizmit. Ajo më tregonte histori, më fliste frëngjisht, më lexonte libra. Ishte një figurë reference për mua. E dija se kishte lindur në Selanik dhe se kishte studiuar në një lice francez, por pjesa tjetër ishte e mbuluar me mister. Fliste pak për veten, edhe sepse nën komunizëm trashëgimia e saj kulturore dhe shoqërore konsiderohej barrë. Të vije nga borgjezia ose aristokracia nuk shihej mirë. Të kaluarën e saj e zbulova pas rënies së Murit të Berlinit. Deri atëherë nuk kisha asnjë ide për traumat që ajo kishte përjetuar » – rrëfen Lea Ypi historinë e saj familjare.
Duke u ndalur në perspektivën e së majtës sot në Europë, filozofja shqiptare shprehet : »Një rrugë e tretë e vërtetë, ndryshe nga ajo e Tony Blair dhe Gerhard Schröder, është që ajo të të lindë nga një përballje e dyfishtë me socializmin shtetëror dhe me kapitalizmin në versionet e tij të ndryshme ».
Në rolin dhe qëndrimin e saj si vëzhguese e zhvillimeve ndërkombëtare dhe si filozofe, Lea Ypi duket pesimiste mbi të ardhmen e Njerëzimit : » Sa herë që fillon riarmatimi, vjen një luftë botërore. E njohim kahjen e historisë: nis me një krizë ekonomike, kalon në luftë tarifash dhe arrin te riarmatimi. Përshkallëzimi është i njohur, etapa finale është lufta.
Është një lëvizje që sjell me vete vdekje, tragjedi dhe katastrofa. Pa llogaritur që sot në horizont gjallon edhe mundësia e një konflikti bërthamor, pasojat e të cilit nuk arrijmë as t’i imagjinojmë dot. Dimë gjithashtu se riarmatimi u heq burime ekonomike shkollës, shëndetësisë dhe infrastrukturës.
Por kriza e Europës mund të jetë edhe një mundësi. Largimi nga Shtetet e Bashkuara mund të nxisë rizbulimin e mendimit europian, mund të na shtyjë të rimendojmë institucionet komunitare. Nuk besoj se Europa duhet të mbështetet te nacionalizmi për t’u forcuar. Përkundrazi, duhet të rikuperojë projektin kozmopolit dhe federalist të Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi – pohon filozofja shqiptare e lindur në Durrës, që po fiton dita ditës më shumë edhe një renomé ndërkombëtare.
Përgatitur nga Viron Gjymshana

Lini një koment