Po populli nuk ka faj fare?!

        Këto ditë në shtypin tonë po diskutohet edhe rreth rolit të popullit në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Sipas këndvështrimit marksist populli konsiderohet shpesh herë si diçka e dlirë, si diçka e pastër, por që shfrytëzohet pa mëshirë nga kapitalistët e poshtër.

       E vërteta është pak më ndryshe. Së pari populli nuk është diçka kompakte që udhëhiqet nga qëllimet më të mira. Jo. Populli përbëhet nga një mozaik individësh, shtresash dhe interesash të ndryshme       

        Nuk duhet të harrojmë po ashtu se në gjirin e popullit bën pjesë edhe shtresa më e ulët e shoqërisë, e njohur si Lumpen Proletariati. Këtu bëjn pjesë që nga vrasësit, hajdutët, shitësit e drogës deri te ata që kur marrin rrogën e lëjnë atë në klubin më të afërt. Dhe kur shkojnë në shtëpi pastaj rrahin gruan! Kur Lenini e  përdori këtë shprehje ai pati parasysh sidomos grevëthyesit, por edhe llumin e shoqërisë.

       Pra në çdo popull ka çfarë të marrësh dhe të lësh. Prandaj edhe ka dalë shprehja se çdo popull ka në krye qeverinë që meriton. Për tu bindur se edhe populli ynë nuk është i pafajshëm, mjafton të përmendim namin e keq që kemi krijuar kudo në botë. Duke filluar psh nga“Çunat e Londrës” siç i thërrasin me përkëdheli. Dhe gjithë ato vrasje apo grabitje që ngjajnë në Shqipëri, kryhen po nga njerëzit e popullit.

         Pa dyshim që sistemi ka të bëjë shumë. Ai jo vetëm të vendos në rrugë të mbarë, por edhe të edukon dhe kur është e nevojshme edhe të ndëshkon. Prandaj  gjatë periudhës së diktaturës nuk ka pasur kaq shumë krime, kaq shumë imoralitet dhe korrupsion. Në qoftë se përjashtojmë krimet ideologjike të vetë diktaturës.

       Por njëkohësisht ka popuj dhe popuj. Ka popuj që janë të edukuar, që siç i thonë fjalës e mbajnë vetë ligjin. Që plehrat, duke filluar nga bishti i cigares, i hedhin në vendin e duhur dhe jo nga ballkoni! Këta quhen popuj të qytetetëruar.  Në kupën e botës të para 4 vjetëve ra në sy psh sjellja e japonezëve.  Kur mbaroi ndeshja ku luante ekipi i tyre ata të gjitha mbeturinat e shisheve, koka kolës dhe pastave që kishin ngrënë i futën në qeset, që i kishin marrë pikërisht për këtë qëllim dhe e lanë vendin edhe më të pastër seç e kishin gjetur.

      Por sjellja e kulturuar nuk është atribut vetëm i vendeve të zhvilluara. Psh e gjithë bota i njeh huliganët anglezë, që gjatë ndeshjeve të futbollit nuk lejnë gjë pa bërë. Aq sa shumë shtete dhe qeveri kanë frikë se mos u bie shorti me Anglinë, veçse për shkak të huliganëve të tyre!

     Një rol të rëndësishëm në sjelljen e një populli luan edhe raporti midis njerëzve të ndershëm dhe të edukuar me ata maskarenj dhe mashtrues. Dhe duket se në Shqipëri ky raport sot është në favour të të dytëve. Shqiptarët më të mirë, gjithë ajo arradhe inxhinjerëesh, agronomësh dhe mësuesish që punuan pa u lodhur deri në vitet 1990, janë larguar nga vendi gjatë këtyre 35 viteve të fundit.

        A mund të jetosh dot sot në një vend ku sundon llumi? Ku duhet të paguash nën dorë edhe për shërbimet që janë falas ?!  A durohen laçat e lagjeve që bëjnë ligjin ?! Prandaj edhe shqiptarët largohen. Jo vetëm për shkak të papunësisë apo nivelit të ulët të jetesës. Ndryshe a mund ta çosh sot gruan apo vajzën të punojë te dikush që i ka bërë lekët me drogë në Perëndim ?!

        Si përfundim duhet të thuhet se edhe populli ka « gjynahet » e veta. I famshmi Faik Konica nuk e pati gabim kur u shpreh para më shumë se 100 viteve : «Tani që bëmë Shqipërinë, hajde të bëjmë edhe shqiptarët » !  Apo deputeti italian Borghezio që para 20 vitesh u shpreh : « Shqipëria është e bukur, por pa shqiptarët » !

         Si i bëhet atëhere ? Cila është zgjidhja?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment