Të tregosh të vërtetën rreth suksesit të Kinës

         « Gjithë bota është çuditur nga përparimi i shpejtë i Kinës. Përgjatë 40 viteve nga një vend që nuk ushqente dot me bukë popullsinë e saj, sot Kina është kthyer në një superfuqi që po kërcënon edhe supremacinë pothuajse 100 vjeçare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës !  Po si u mundësua një transformim i tillë, i paparë në historinë e Njerëzimit?!

        Kësaj pyetjeje tenton t’i përgjigjet ekonomisti dhe politikani i njohur grek, Janis Varufakis” Ja se çfarë mendon ai:

         Ndërsa raketat, bombat dhe dronët fluturojnë mbi Gjirin Persik, perspektivat për një luftë edhe më shkatërruese në Paqësor po bëhen gjithnjë e më të forta. Çtensionimi i Luftës së re të Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës tani duhet të bëhet përparësia kryesore e botës. Për këtë qëllim, është thelbësore të rrëzohet një mit i fuqishëm që e bën luftën më të mundshme: – ideja se Kina e ka hapur rrugën e saj drejt prosperitetit përmes mashtrimit.

           Ekonomia kineze kontribuon në çekuilibra serioze të makroekonomisë globale dhe kjo çështje duhet të spjegohet. Por e vërtata është një histori e ndryshme nga trillimi i përshtatshëm, i endur nga elitat perëndimore për të fshehur dështimet e tyre, se Kina ia detyron suksesin e saj dyfytyrësisë, pandershmërisë dhe mashtrimit.                

Ky mit përfshin pesë akuza të rreme. E para është se Kina ka “vjedhur” pronësinë intelektuale të kompanive perëndimore. Në fakt, shumëkombëshet perëndimore kanë luftuar me njëra-tjetrën për dekada me rradhë për të hequr dorë nga prona e tyre intelektuale në këmbim të aksesit në tregun gjigant të Kinës. Autoritetet kineze, me horizontin e tyre të planifikimit 50-vjeçar, thjesht u bënë atyre një ofertë së cilës ata nuk mund t’i rezistonin: “ju mund të hyni në tregjet tona, por do t’ju duhet t’u mësoni njerëzve tanë se si të prodhojnë mallrat tuaja”. Drejtorët ekzekutivë perëndimorë, të fiksuar pas tremujorëve të ardhshëm dhe të magjepsur nga…”perspektivat e shkëlqyera afatmesme » i pranuan me kënaqësi këto kushte.

           Akuza e dytë është se Kina e çvlerëson qëllimisht monedhën e saj. Kjo supozon se ekziston një kurs këmbimi. i saktë dhe se autoritetet kineze po e shtyjnë renminbin (paranë kineze) nën këtë kurs. Në teori, kursi i saktë i këmbimit është ai që balancon llogarinë rrjedhëse të secilit vend. Në praktikë, kjo do të thoshte që dollari është mbivlerësuar jashtëzakonisht shumë, siç dëshmohet nga deficiti i madh i llogarisë rrjedhëse të SHBA-së.

          Shkurt, akuzimi i kinezëve se e mbajnë renminbin shumë të ulët është ana tjetër e akuzës se Shtetet e Bashkuara paguajnë për deficitet e tyre duke tërhequr kapital nga vende të tjera. Perëndimorët që mbështeten në një dollar të mbivlerësuar, në këtë kuptim, jetojnë në shtëpi prej qelqi. Të hedhësh gurë drejt tyre është e pamatur.

         Akuza e tretë ka të bëjë me kontrollet e kapitalit në Kinë, të cilat paraqiten si një formë tjetër mashtrimi. A kemi harruar se epoka e artë e kapitalizmit, epoka e Bretton Woods e viteve 1950 dhe 1960, bazohej në kontrollet e kapitalit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Japoni?    

         Justifikimi ishte i thjeshtë: asnjë qeveri nuk është ligjërisht ose moralisht e detyruar të lejojë financuesit të përmbytin vendin e saj me para. me synimin për të krijuar një eksod të pakontrolluar të parave.

           Shtylla e katërt e mitit – mbikapaciteti i supozuar masiv i industrisë kineze – hidhet poshtë nga të dhënat:- nga shfrytëzimi i kapaciteteve të Kinës. Ai luhatet nën 75%, që është më i ulët se ai i Shteteve të Bashkuara. Inventarët janë të qartë. Fitimet për eksportuesit kinezë janë rritur me më shumë se 10%. Prandaj, nuk ka mbikapacitet.

          Akuza shërben vetëm si një mbrojtje kundër asaj që i shqetëson vërtet autoritetet perëndimore:- hiper-konkurrueshmërinë që Kina ka arritur përmes planifikimit të shkëlqyer dhe investimeve në arsim dhe trajnim të nivelit botëror dhe me kosto të ulët.

          Duke parë se si një kompani në Shenzhen mund të prodhojë katër prototipa me veçse një pjesë të kostos dhe kohës që duhet në Stuttgart ose Illinois për të prodhuar një prototip të vetëm, nuk mund të konkludohet sinqerisht se konkurrueshmëria e Kinës është për shkak të dampingut.

         Por ky pretendim është më i pranueshëm politikisht për udhëheqësit perëndimorë sesa t’u shpjegojë votuesve se Kina ka zhvilluar një rrjet unik nervor të shpërndarë të inteligjencës prodhuese.

         Akuza e pestë, dhe ndoshta më e zakonshmja, është se kinezët konsumojnë pak dhe paguhen pak. Ndoshta. Por krahasuar me kë? Shpenzimet e konsumatorëve në Kinë janë rritur shumë më shpejt sesa në fuqitë prodhuese aziatike, aleate me Perëndimin, nga Japonia dhe Koreja e Jugut deri në Indonezi dhe Malajzi. Për më tepër, kur këto ekonomi  arritën një nivel të krahasueshëm zhvillimi, ato përjetuan një ngadalësim të dukshëm në rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, gjë që nuk është rasti në Kinë.

       Në mënyrë të ngjashme, pagat kineze janë rritur ndjeshëm. Dy dekada më parë, kostoja orare e punës në prodhim në Kinë ishte më e ulët se në Indi. Që atëherë, ajo është shumëzuar me tetë,ndërsa ajo e Indisë është veçse dyfishuar. Në fakt, pagat në Kinë tani janë më të larta tani se në çdo vend tjetër aziatik në zhvillim.

         Këto të vërteta janë të papërshtatshme për fuqitë perëndimore. Aftësia teknologjike e Kinës përbën një kërcënim për kompanitë perëndimore që ndiheshin të pamposhtura. Vende të tjera në zhvillim tani po i drejtohen Kinës për mallra më të besueshme, me cilësi më të lartë dhe më të lira.

       Ndërsa përgjigjja me akuza për mashtrim mund të jetë e kuptueshme, ne në Perëndim duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të reflektuar, sepse të thuash të vërtetën, kjo i shërben kauzës së paqes.

        Dhe e vërteta është se shoqëritë perëndimore nuk humbën ndaj Kinës; ato iu shitën Kinës. Ata hapën atje vende pune, shkatërruan sindikatat e tyre dhe dorëzuan pronën e tyre intelektuale për fitime të shpejta.

       Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian shpëtuan bankierët kriminelë dhe kryen luftëra të paligjshme, Kina investoi në arsim, rrjete hekurudhore, sisteme shëndetësore funksionale, energji të gjelbër, rrjete inteligjente dhe qendra prodhimi të afta për kërkim, zhvillim dhe inovacion që shumica e vendeve perëndimore nuk mund t’i përballojnë dot më.

         Është koha që Perëndimi të ndalojë së fajësuari Kinën për vendimet e Biznesit të vet të Madh, Wall Street-it, dhe politikanëve të tyre të dobët. Sanksionet kundër Kinës janë një zëvendësim qesharak për një politikë të vërtetë industriale. Akoma më keq, narrativat dembele antikineze, të përhapura nga vetë njerëzit që krijuan këtë moçal, mund të hapin rrugën për një përballje ushtarake edhe më të çmendur në Paqësor.

                                                                                             Yanis Varufakis

       « Siç kuptohet edhe nga shkrimi, Varufakis shkruan dhe komenton nga pozitat e një majtisti të bindur. Por a e ka gabim ai kur thekson se monopolet perëndimore të etura për fitime të shpejta eksportuan të gjithë teknologjinë e tyre në Kinë, duke mbyllur fabrikat dhe uzinat në Perëndim ?!

      Një rast domethënës, që Varufakis nuk e ka përmendur, është edhe ai me ish-presidentin francez Zhak Shirak. Kina, para afro 20 vitesh, i propozoi Francës blerjen e disa dhjetra avionëve « Airbus”, fjala e fundit e teknikës. Zhak Shirak i entuziazmuar në kulm nga këto para që do hynin në Francë, e konsideroi shitjen e këtyre avionëve si « kontratën e shkullit » !

       Por dardha e ka bishtin prapa. Sidomos kur ke të bësh me Kinën.  “Prapa listës”, siç do të shprehej Lipe Shtogu, ishte një klauzolë. Që thoshte se blerja e këtyre avionëve nga ana e Kinës duhet të shoqërohej domosdoshmërishit edhe me ngritjen atje (në Kinë) të një uzine të prodhimit të këtyre avionëve! Dhe që atëhere Kina prodhon avionë po aq të mire sa Perëndimi dhe me kosto më të ulët!

        Kjo është historia e ringritjes së Kinës. E cila tani për më shumë e ka kaluar stadin e “kopjuesit” dhe ka arritur atë të shpikësit.

Lini një koment