Njëri për në burg, tjetri për në çmendinë!

Si nuk gjetën shqiptarët një udhëheqës si duhet gjatë gjithë këtyre 35 viteve të fundit ?! Një epokë të cilën ka disa që e quajnë demokraci ! Sepse më përpara, qoftë në kohën e mbretit Zog, qoftë në kohën e diktatorit Hoxha, shqiptarët nuk kishin asnjë mundësi zgjedhjeje. Koha tregoi me fakte se Berisha, ai që e mori i pari pushtetin pas përmbysjes së komunizmit, doli një mënxyrë e patreguar për këtë vend.

        I edukuar me botëkuptimin marksist-leninist, që kur zbriti nga bjeshkët dhe zuri vend në Tiranë, ai ishte indoktrinuar me parrullën që “nga rrënojat do të ngremë botën e re!”. Dhe e ktheu vendin me të vërtetë në rrënojë.

       Dhe sikur të mos mjaftohej me kaq, vrau haptazi edhe njerëz në mes të bulevardit, për tu dhënë një shembull të tjerëve se çfarë i gjente po të guxonin t’i preknin pushtetin. Pushtetin që ia kishte falur i jati!

      Pas tij erdhi Nano. I njohur si delenxhi dhe pijanec, i dhënë pas femrave dhe kumarit, ai megjithatë arriti deri diku ta stabilizonte vendin, pas trazirave të tmerrshme të Vitit të Zi 1997, trazira, që arritën deri në kryengritje popullore, të shkaktuara nga politika ekonomike e Sali Berishës me lejimin e firmave piramidale, tip Ponzi.

       Por pikërisht në  atë periudhë krimi dhe korrupsioni u ringjallën frikshëm. Aq sa 8 vjet më vonë, i urryeri dhe i damkosuri nga një popull i tërë, u rikthye në pushtet ! Aq shumë u erdhi njerëzve në majë të hundës nga politika e papërgjegjshme e Nanos.

     Por asgjë nuk ndryshoi. Madje edhe ajo që ndryshoi, ndryshoi për keq. Krim, korrupsion, drogë, vrasje për pushtet : kjo ishte pasqyra e asaj kohe. Dhe… oligarkë. Gjetë Berishës së dytë u shitën dhe u privatizuan të gjitha pasuritë kombëtare. Ato që më parë i takonin një populli të tërë, kaluan në disa duar të vetme.

       Te disa njerëz që si dhunti të vetme patën ose fatin ose qënien pranë pushtetit. Dhe kështu disa hiçkërrkusha, pa asnjë background, pa asnjë aftësi, u gdhinë milionerë.

        Më 2013 njerëzit e rrëzuan edhe një herë tjetër nga « kali », atë që nuk kishte vënë mend fare nga hera e parë. Kësaj rradhe duket se e dëbuan përfundimisht edhe nga qeverisja dhe pushteti i pamerituar.

       Një ish i privilegjuar i regjimit të kaluar, një komunist fanatik, i lidhur me anëtarët e familjes Hoxha, me të cilët shëtiste me barkë në Pogradec, doli në krye të lëvizjes studentore si i dërguari i Ramiz Alisë.

      Aq sa edhe sot duket se i ka ruajtur “tabjatet” e kohës së shkuar. Ka 35 vjet në krye të Partisë Demokratike dhe duket se nuk ka ndërmend të shkulet që andej pa dhënë shpirt më parë.

     Dikur kujtuam se Enver Hoxha ishte përjashtim. Por jo! Edhe Sali Berisha do të vdesë si kryetar i Partisë Demokratike, njëlloj si mentori i tij. I pari qëndroi 44 vjet në krye të Partisë së Punës. (1941 – 1985).  Ky i dyti deri më në këtë ditë veçse 35 vjet ! Dhe tani po bën gjasme sikur po organizon zgjedhje të reja në Parti ! Zgjedhje, kur deri më sot ngelet kandidati i vetëm për të zëvëndësuar veten e tij!  

        Se të tjerët si psh Salianji, që patën guximin të ngrinin kokë, i përjashtoi nga partia.Edhe një farë Mereme Sela, e panjohur dhe e padëgjuar deri dje, u përjashtua se gjasme i ulte vlerën procesit zgjedhor!

      Enveri i vriste ata që shpresonin ta zëvendësonin. Kujtoni Mehmetin dhe Kadriun. Ky të paktën nuk i vret mëtuesit e tij, por i përjashton apo i diskrediton. Sidoqoftë kemi bërë hapa para që atëhere!

      I fundit në rradhë na doli Edi Rama. Ky një lloj mytyberi tjetër. Nuk është shkatërrues dhe idhnak si Sali Berisha. Ka lindur në kryeqytet në një familje intelekualësh, por edhe kjo e lidhur me regjimin komunist.

     Por vetë Rama, ndofta edhe si pasojë e ligjit biollogjik të mohimit të mohimit, ndjehet dhe në fakt është një lloj antikomunisti ekstrem. Madje nuk është as i majtë dhe as socialist. Por thjesht PD-ist.

      Ishte nga të parët që u shqua në vitet 1990 me refleksionet e tij në sallën e Institutit të Lartë të Arteve. U bashkua me PD-në që në ditët e para të saj. Por po aq shpejt u shkëput nga ajo parti. Ndofta se i dukej jo edhe aq antikomuniste sa duhej.

      Për ironi të historisë u vu madje edhe në krye të Partisë Socialiste, parti që e transformoi rrënjësisht nga koka te këmbët. Aq sa sot ajo nuk ka më asnjë bosht ideologjik dhe asnjë nga themeluesit e saj historikë.

       I përfolur për probleme psiqike, për përdorim kokaine, për grindje dhe akuza deri edhe me babanë e tij, i njohur si nudisti i plazheve të Francës, ky njeri herë pas here ka edhe ide gjeniale. Se nuk thonë kot që aty ku mbaron çmenduria, fillon gjenia.

       Dhe ka pasur disa i ide vërtet gjeniale. Njëra nga këto ishte kthimi i vendit në një mejhane të madhe, në një lloj restoranti gjigand, i mbështetur te turizmi.

      Është fakt se Shqipëria, sa e vogël që është, aq është edhe e pajisur me bukuri natyrore të pamasa. Male të thepisur, lumenj të rrëmbyer, liqene të thellë, dy dete me gjire të shumta piktoreske. Udhëtari apo turisti ka çfarë të shohë apo të gëzojë. Prandaj edhe turizmi pretendon t’i kalojë 10 milionë vizitorët e huaj në vit. Vizitorë që paguajnë dhe shpenzojnë në të gjitha anë e vendit.

     Shtoju këtyre parave valutë edhe ato që dërgojnë emigrantët apo paratë e zeza të krimit dhe nuk ka asnjë çudi që çmimet e mallrave aty janë ngandonjëherë edhe më të larta se ato në Itali apo Francë. Me këtë hyrje valute shpjegohet edhe forcimi i lekut dhe pakësimi i borxhit të huaj.

      Por huqi del pas shpirtit – thonë. Dhe Rama nuk kishte si të bënte ndryshe. I dhënë pas modës, pikturave dhe koshave të basketbollit, ai ngjan si një kryeministër atipik. I ndryshëm nga gjithë të tjerët.      

       Tek ai nuk gjen asnjë gjurmë të burrit të shteti. Por vetëm të një të fandaksuri me syze të kuqe, me çitjane dhe baskete deri edhe në takime të larta ndërkombëtare. Kudo bie në sy. Dhe në rast se nuk bie dot në sy me gjatësinë dhe ekstravagancën e tij, gjen mjete dhe marifete të tjera të tërheqë vëmendjen e të pranishmëve.

      Kështu veproi psh edhe dje në kryeqytetin e Armenisë, Erevan. Ku të gjithë kryeministrat e vendeve europiane që po merrnin pjesë në këtë takim dhe po merrnin pozat e duhura për foton e rradhës ishin vënë në rresht. Mjaftoi shfaqja e Melonit atje, kryeministres italiane, dhe Rama i lë të gjithë me gojë hapur. Sikur ta kishte shoqe klase shkon dhe e përqafon me afsh, aq sa që i bëri të gjithë të qeshnin. Se nuk ishte as vendi dhe as koha. Po ku do t’ia dijë ai.

       Ndihet se është tejet i eksituar kur është jashtë vendit. Saqë nuk di se çfarë bën dhe çfarë flet. Aq shumë i pëlqejnë takimi me të mëdhenjtë e kësaj bote, sa që nuk e mbajnë këmbët në Tiranë. Pa u mbushur mirë java do të gjejë ndonjë “sebep” për të flutuar jashtë me avion. Jo vetëm që është rekord kombëtar si kryeministër për daljet dhe vizitat jashtë vendit, por ndofta konkurron edhe për vend të parë në rang botëror!

       Dhe çuditërisht i duket vetja si i barabartë me të tjerët. Psh me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë apo Britanisë së Madhe. Aq sa një ditë desh e hëngri nga kjo marrëzi.

       Gjithmonë I gatshëm për të rënë në sy guxoi një ditë të tallet, bashkë me Macron-in, me presidentin Trump. Pasi ky i fundit kishte ngatërruar nja 2-3 herë Armeninë me Albaninë!

      Por kjo tallje ra në vesh të presidentit amerikan, që u tërbua kur mori vesh se përfaqësuesi i një vendi liliput kishte guxuar ta vinte në lojë. Dhe u betua të mos ia shihte më sytë kryeministrit të Shqipërisë.

         Dhe Rama u bë keq. Nuk po dinte si ta riparonte gafën e tij. « Thjesht ishim duke bërë shaka ndërmjet një grupi miqsh » – u justifikua  me ankth. Vëreni pak këtu : Macron, Merz, Meloni etj etj i duken sikur u bënë miqtë e tij!

        Dhe për të larë gabimin ftoi vajzën e Trump-it së bashku me burrin e saj, të vizitonin Sazanin dhe selinë e kryeministrisë në Tiranë. Vajti edhe deri në Izrael dhe gati sa nuk u ra në gjunjë hebrenjve atje, veçse që ata ta pajtonin me Trump-in.

      Dhe kështu hidhu këtej, hidhu andej. Herë merr një çarter për të shkuar në Romë dhe herë me linja të rregullta,  kryeministrin shqiptar nuk e zë vendi vend.

     Por ka një të mirë ama, se në momente luçiditeti, kthjellimesh, i vijnë në kokë edhe ca ide gjeniale. Ndryshe nën udhëheqjen e tij shqiptarët e ndjejnë veten sot më të qetë. Kanë më besim te e ardhmja. Vendi pak nga pak po normalizohet dhe po qetësohet. Disa thonë se edhe po zbukurohet.

       Megjithatë largimet nga Shqipëria vazhdojnë. Dhe vendi vazhdon të plaket. Se shumica e atyre që largohen janë më pak se 40 vjeç.

         Shqipëria e sotme me  2 milionë banorë nuk ka se çfarë të bëjë më shumë. Ndofta ka nevojë të shtojë prodhimin e brendshëm sidomos atë bujqësor. Të përpunojë në vend lëndët e para si dhe të ngrejë një industri të lehtë dhe ushqimore.

         Se turizmi nuk është i sigurt. Në këtë botë të paqetë dhe pothajse të rrezikshme mund të vijë dita që njerëzit ta ndjejnë veten më të sigurt në shtëpinë e tyre sesa të bredhin nëpër botë.

         Si do që të jetë edhe Rama duket se po e mbyll ciklin e tij. Me pluse dhe minuse. Rejtingu i tij brenda vendit po dobësohet. Shqipëria më në fund e kaloi katrahurën, periudhën më të vështirë të zëvendësimit të sistemeve, të ashtuquajturin tranzicion.

        Por sot ajo ka nevojë për një burrë shteti. Për një njeri që të vëjë interesat e kombit dhe të shtetit mbi gjithçka. Berisha dhe Rama i takojnë tani historisë. Duan apo nuk duan. Por njëri e ka vendin në burg për të këqijat që i ka shkaktuar Shqipërisë dhe tjetri ndofta në psikiatri.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment