Të gjitha gabimet e Albin Kurtit

       Duhet ta pohoj që në fillim: unë kam qënë një nga mbështetësit më të vendosur të Albin Kurtit, që kur ai ishte në opozitë. E kam takuar atë për herë të parë para afro 30 vitesh. Atëkohë kur Kosova ende rënkonte nën çizmen serbe.

       Atëhere ai ishte bërë i njohur si organizatori dhe udhëheqësi i demonstratave të studentëve të universitetit të Prishtinës. Ishte tetori i vitit 1997. Albini i kishte atëhere leshrat të përdredhura që pothuajse i binin mbi supe. Kishte pikërisht pamjen e një adoleshenti rebel.

      Demonstratat e tij prishën shumë rehate sa në Beograd, aq edhe në Prishtinë. Sidomos në kryeqytetin e Kosovës ku tashmë ishin mësuar me parrullën:”Mos ta cytim Serbinë”!

      Asokohe punonja në shërbimin shqip të radios “Deutsche Welle” dhe shefja e atëhershme e emisionit, Adelajde Falcke-Tieman më kërkoi patjetër një intervistë me atë që po trazonte ujërat e ndenjura të Kosovës.

      Mbaj mend se atë ditë kishte ardhur enkas në Bruksel nga Gjermania edhe kryeministri në hije i Kosovës, Bujar Bukoshi. Që zotëronte edhe një kapital të madh parash nga ato që emigrantët kosovarë derdhnin çdo muaj në llogarinë e “qeverisë” së Kosovës në emigrim.

      Dhe më kujtohet edhe “zëmërgjërësia” e Bukoshit që e qerasi Kurtin me shokë me nga një picë! Nëse nuk gaboj Albini shoqërohej atë kohë edhe nga një student tjetër me mbiemrin Dugolli! Kanë kaluar 30 vjet që atëhere!

      E bëra këtë hyrje të tejzgjatur për të risjellë në vëmëndje se si ishte Kosova atëhere dhe si është sot. Pa dyshim që edhe Albini ka vënë “tullën” e vet në fitimin e lirisë. Krahas atyre që hodhën themelet, si i pavdekshmi  Adem Jashari me familjen e tij dhe UÇK-ja e lavdishme.

      Sot studenti i dikurshëm me flokë të gjatë është kthyer në një burrë shteti,  3 herë i zgjedhur për kryeministër! Edhe pas vuajtjes së tij në zgafellat e Millosheviçit. Pikërisht për shkak të protagonizmit të tij në demonstratat e studentëve kosovarë.

       Dhe çuditërisht, ndryshe nga sa pritej, sot duket se Kosova ka ngelur në vend, ose më mire të themi në llucë. Pikërisht tani që aty “sundon” ai që duhej ta kishte çuar shumë më përpara atë. Ngecja në vend vihet re sidomos në fushën politike.

       U deshën muaj të tërë lufte dhe peripecish që më në fund të zgjidhej kryetarja e Kuvendit të Kosovës! Tani ngërçi ka kapur institucionin e presidencës! Aq i fortë është ky ngërç saqë Kosova ka rrezik të përfundojë përsëri në zgjedhje të përgjithshme, pas atyre të mbajtura veçse pak muaj më parë. Shkaku?! Ai është vetën një. Kokëfortësia e Albin Kurtit. Dëshira e tij e pafund për të pasur në dorë të gjitha pushtetet.

        Kosova ka pasur deri dje një presidente shumë të aftë: Vjosa Osmanin. Një grua që, ndryshe nga Albini, diti të ruajë dhe të mbajë raporte të mira me Shqipërinë. Që i forcoi si kurrë më parë edhe ato me aleatin tonë të madh strategjik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Saqë vetë presidenti amerikan Trump, veçse para 2 ditës, i dërgoi Osmanit një letër ku shprehte dëshirën e tij për të vazhduar bashkëpunimin ndërshtetëror dypalësh me presidenten e Kosovës!

       Por një presidente e tillë nuk i pëlqeka Albin Kurtit! Dhe ky është kulmi i kulmeve! Çdo vend tjetër do ta luste dhe do ta kërkonte një president/e që ta kishte mirë me Amerikën. Por jo. Kurti duket I pakënaqur!  Pikërisht sepse Vjosa Osmani përfitoi një profil kaq të lartë gjatë viteve që ajo kryesoi shtetin e Kosovës!

       Sepse Albin Kurti është një shqiptar i vërtetë! Ai nuk pranon që ndokush t’i bëjë hije. Që ndokush të pritet me nderime aty ku atë nuk e ftojnë. Psh në Tiranë apo Uashington.

      Dhe ajo që mund të zgjidhej shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë, falë Kurtit po zgjatet dhe po bëhet tërrkuzë përsëri. Aq sa rrezikon ta rikthejë Kosovën në zgjedhje të reja! Dhe Kosova veç për to nuk ka nevojë. Nuk ka nevojë as për grindje politike. As për përçarje. Ajo ka shumë halle të tjera ku e ku më të rëndësishme. Por duket se Albin Kurti nuk do t’ia dijë.

     Ai po zhvillon tani bisedime dhe po i propozon pazare si LDK-së, dhe po ashtu edhe PDK-së. Me synimin e vetëm që edhe posti i presidentit t’i kalojë një të zgjedhuri prej tij. Nga rradhët e Lëvizjes VetVendosje. Prandaj ai po u propozon rivalëve të tij postin e kryetarit të parlamentit, pjesëmarrje në qeveri etj etj.

     Por deri më tani 3 partitë kryesore opozitare i kanë hedhur poshtë prerazi këto propozime. Dhe Kurti po e ndjen që po i mblidhet laku. Që njerëzit po e kuptojnë se ai po e dëmton Kosovën veç se për etjen e tij të pangopur për pushtet, për egon personale të pafund.

       Dha ai me nuhatjen e politikanit të racës e ndjen se në rast të zgjedhjeve të reja mund ta humbasë shumicën e cilësuar parlamentare që zotëron sot. Prandaj po përpiqet t’i trembi zgjedhësit me koston prej 10 milionë eurosh që kushton mbajtja e një palë zgjedhjeve në Kosovë!

     Zgjedhje këto për më shumë krejt të panevojshme. Ai e kishte “asin” nën mëngë. Mjaftonte të propozonte Vjosa Osmanin dhe gjithçka do mbyllej me sukses.

      Kurtin sot po e akuzojnë si islamist, marksist, anti- UÇK dhe deri antiamerikan, siç e cilësoi edhe zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Grenell.

       Prandaj ka ardhur koha që Kurtit t’i jepet një mësim i mirë. Që ai të kuptojë se çfarë do të thotë diplomaci, demokraci dhe negociata. Të kuptojë që Kosova vlen një million herë më shumë se cicmicet e tij për pushtet.

      Prandaj është e nevojshme dhe ndofta e domosdoshme që ai të humbë gjatë këtyre zgjedhjeve të reja që priten të mbahen së shpejti Opozita nuk ka pse ta ndihmojë.

      Jeta ka treguar se shumë shpesh trajektorja e njerëzve merr papritur një kahje tjetër. Në fillim ngrihen si meteorë dhe ndriçojnë mjedisin. Aq sa fillon tu duket vetja si të paarritshëm. Të pazëvendësueshëm. Dhe papritur një ditë e shikojnë veten në llucë. Të braktisur nga të gjithë. Jo vetëm nga yesmenët, por edhe nga miqtë e dikurshëm.

     Nuk thonë kot që jeta është mësuesja më e madhe. Dhe Kurti ka nevojë sot vërtet për një mësim të mirë.

Nga Viron Gjymshana

 

Lini një koment