Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është një nga objektivat e shpallura zyrtarisht nga kryeministri Rama. Asgjë e re deri këtu. Që nga rilindasit tanë të famshëm dhe deri te demonstratat për demokraci në qytetin “Studenti” në fillim vitet ’90, shqiptarët i kanë pasur sytë dhe zemrën nga Perëndimi.
Në fakt ajo është edhe streha jonë. Se nuk kemi ku të shkojmë tjetër. Serbët psh kanë Rusinë, nënë dhe babë. Prej saj janë edhe dhjetëfishuar në sipërfaqe dhe popullsi. Ne u lidhëm dikur me Kinën e Mao Ce Dunit, por veçse për arsye ideologjike. Ndërsa sot Kina ka ambicie dhe halle të tjera dhe nuk ka nge të merret përsëri me një liliput si Shqipëria.
Turqia po. Ajo do të kishte shumë dëshirë të ushtronte ndaj nesh atë influence që ka pasur dikur. Kur ne, me dashje apo pa dashje, ishim pjesë e perandorisë osmane për afro 500 vjet! Por Shqipëria dhe shqiptarët sot, sa për nga vendndodhja gjeografike, sa për nga race dhe historia, nuk dëshirojnë të bien përsëri nën ndikimin turk.
Perëndimi në përgjithësi është shumë më ndjellës. Kur Shqipëria u hap, shqiptarët u derdhën drejt Europës: Greqi, Itali, Gjermani etj etj, Madje deri në Amerkë dhe Kanada dhe shumë pak prej tyre vështruan nga Turqia.
Po le ta lëmë historinë dhe të kthehemi te realiteti i sotëm. A është Europa ashtu siç e idealizojmë ne?! Një bashkim I fortë ekonomik dhe politik?! Asgjë nuk është më e pasigurtë. Sigurisht që Bashkimi Europian është një bashkësi vendesh dhe shtetesh që i ngjiz një kulture e përbashkët, një fe e krishterë, një racë e bardhë (deri më sot!). Por nuk duhet harruar se këto edhe janë shtete me interesa të veçanta dhe ndonjëherë deri edhe të kundërta me njëra-tjetrën.
Ishte ky një nga shkaqet kryesore që Britania e Madhe u largua nga ky bllok. Se ajo dëshironte thjesht të ndiqte një politikë të pavarur nga Brukseli. Por edhe pas largimit të saj ndasitë ende vazhdojnë në gjirin e vendeve anëtare të BE-së. Sidomos ato ndërmjet Francës dhe Gjermanisë. Dy vendet që konsiderohen si motori i Europës së Bashkuar.
Kundërshtitë në rradhë të parë kanë arsye ekonomike. Dihet se Gjermania e ka mbështetur ekonominë e saj kryesisht te eksporti. Te eksporti i makinave të saj cilësore si Benz- Mercedes, Porsche, Volksvagen, BMW etj. Por njëkohësisht edhe te prodhimi dhe eksportimi i makinerive metalpunuese apo te kimikatet. Prandaj ajo lufton dhe kërkon një tregti të hapur dhe të lirë të vendeve të Bashkimit Europian me mbarë botën.
Veçse këto muajt e fundit psh BE – ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet e Amerikës së Jugut (Merkosur), me Kanadanë, me Australinë, Japoninë, Kinën, Indinë etj.
Por Franca nga kjo tregti e lire po humbet çdo vit 50 miliardë euro! Prandaj ajo është për një tregti të “kontrolluar”! Dhe ky është ndryshimi më i madh ndërmjet këtyre 2 vendeve. Ndryshim dhe kundërshti që shtrihen deri në korridoret e BE-së në Bruksel. Madje deri edhe në “përplasje” midis drejtuesve të këtij institucioni.
Një nga shembujt më konkretë është edhe ai ndërmjet presidentes së tashme të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen me ish – presidentin e Këshillit të Ministrave të BE-së, Sharl Mishel. Gjithçka nisi për një karrige gjatë një udhëtimi të presidentit të BE-së në Turqi. Michel ishte i ftuar aty nga presidenti Erdogan. Por delegacionit të BE-së iu bashkangjit edhe zyrtarja e lartë gjermane. Dhe kur Erdogan dhe Mishel u ulën për të nisur bisedimet,Ursula von der Leyen mbeti në këmbë, se protokolli kishte parashikuar një takim vetëm midis presidentit turk dhe atij të BE-së! Kjo “përplasje” u pagëzua atë kohë me emrin sofa-gejt. Lufta për një sofa, minder, divan apo ulëse!
Që atëhere marrëdhëniet midis 2 udhëheqësve të lartë të BE-së kanë qënë të ftohta, pothuajse deri armiqësore. Kështu psh gjatë një interviste që ish-presidenti I Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, i dha këto ditë medias belge “Brussels Times”, Charles Michel nuk I fshehu kritikat ndaj ish-koleges së tij në krye të institucioneve evropiane, Ursula von der Leyen.
Këtu, Charles Michel u rikthye në mënyrë të dukshme në marrëdhënien e tij të vështirë me Ursula von der Leyen. “Të gjithë e dinë dhe e kanë parë se si Komisioni Europian ka vendosur ta shfrytëzojë këtë incident për të fituar edhe më shumë pushtet, veçanërisht në nivel institucional, që të ndërhyjë edhe në fusha që nuk janë brenda kompetencës së tij.” – ankohet Sharl Michel.
Ish-presidenti i Këshillit Evropian, (institucioni që bashkon krerët e qeverive të shteteve anëtare), është edhe më kritik ndaj evolucionit të sotëm të Komisionit Evropian. Ai e akuzon atë edhe për shkelje të kompetencave të institucioneve të tjera dhe margjinalizim të komisionerëve të caktuar. Charles Michel gjithashtu denoncon stilin e qeverisjes së Ursula von der Leyen, të cilin e përshkruan si “super autoritar”. “Sot, Komisioni po përpiqet të kontrollojë gjithçka. Kjo nuk është në përputhje me traktatet”, pohon ai.
Lidhur me marrëdhënien e tij me udhëheqësen gjermane, ai përshkruan një bashkëpunim veçanërisht të vështirë. “Nuk kisha hasur kurrë një nivel kaq të vështirë në punën me një koleg. Kurrë. Nuk është çështje personaliteti, por mosmarrëveshjesh themelore mbi projektin evropian”, shpjegon ai.
Sipas tij, problemi rrjedh edhe nga një keqkuptim i rolit të Komisionit. “Supozohet që ai (Komisioni) duhet të mbrojë tregun e përbashkët. Asgjë nuk është bërë. Supozohet të punojë në tregjet financiare. Edhe këtu asgjë nuk është bërë”, ankohet ai, përpara se të japë goditjen përfundimtare: “Në këtë fushë, rezultati është zero, dhe kjo është një tragjedi.”
Charles Michel kritikon gjithashtu Politico-n, një media e specializuar në politikën evropiane dhe në pronësi të grupit gjerman Axel Springer, të cilin ai e akuzon për organizimin e një fushate kundër tij.
Siç shihet jo gjithçka rrjedh si mjaltë brenda BE-së. Interesat e kundërta në fushën ekonomike, por edhe qëndrimet e ndryshme në fushën politike dhe strategjike i tronditin herë pas here themelet e saj.
Dhe me forcimin e partive nacionaliste në gjirin e saj e ardhmja e BE- nuk duket sot aq e sigurtë sa 30 vjet më parë!
Pikërisht në ato vite isha gazetari i vetëm shqiptar që punonte në institucionet e BE-së si korrespondent i seksionit shqip të radios gjermane”Deutsche Welle”. Ishte një Europë tjetër. Që shkëlqente me lirinë dhe begatinë e saj, me demokracinë dhe të drejtat e Njeriut. Që ngjallte aq shumë shpresë dhe entuziazëm. Kur fjala i kishte aq shumë peshë.
Sot gjendemi para një Europe tjetër. Që është kthyer në një organizëm burokratik. Që nuk rrezaton më shpresë dhe ndikim. Ku forcat centrifugale po forcohen çdo ditë e më shumë.
E mira e popujve europianë është që Bashkimi Europian të vazhdojë të ekzistojë. Po ashtu edhe për popullin shqiptar. Dy ditë më parë, vetë presidentja malteze e Bashkimit Europian shprehu bindjen se gjatë presidencës së saj, të paktën një vend i Ballkanit do t’i shtohet 27 vendeve, tashmë anëtare të BE-së. Dhe duket se ajo kishte ndermend Malin e Zi.
Por nuk i dihet. Ndofta edhe Shqipëria i bashkëngjitet BE-së, në mos si vendi i parë nga grupimi i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i dyti. Të paktën deri në vitin 2030. Atëhere do të jetë realizuar edhe ëndrra e vjetër e rilindasve tanë të lavdishëm si dhe e popullit shqiptar. Se siç ka thënë edhe kryeministri Rama, ne nuk kemi ku të shkojmë tjetër. Për ne nuk ekziston plan “B” apo “C”.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment