A do të bjerë edhe OKB-ja nën ndikimin e Trump-it?!

      Janë katër personalitetet që pritet të konkurrojnë nesmr dhe pasnesër për të zëvendësuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, portugezin Antonio Guterrez,  të cilit po i përfundon mandati.

        Të 4 këta do të merren në pyetje publikisht këtë javë, një hap paraprak ky përpara se të vendoset se cili prej tyre do të udhëheqë Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

      Ata që janë më të gëzuarit nga ky zëvendësim patjetër që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjatë presidencës së Trump, kanë shkuar si macja me miun me sekretarin e tashëm të OKB-së.

      Dhe kjo për 2 arsye : së pari se Guterrez ishte mbrojtëes i vendosur i krijimit të shtetit palestinez. Dhe së dyti pasi Trump, të cilit i duket vetja si mbreti i botës, kërkon të ketë nën kontroll gjithçka dhe këdo. Duke filluar nga Guterrez, Papa i Romës etj etj.

      Pikërisht për këto arsye zgjedhja e sekretarit të ri të Kombeve të Bashkuara pritet të jetë tejet e ndërlikuar. Sepse asambleja e përgjithshme e OKB-së, e përbërë nga përfaqësuesit e afro 190 vendeve të botës, mund ta zgjedhë lehtësisht njërin nga katër mëtuesit, por ai nuk emërohet dot pa aprovimin edhe të 5 vendeve që formojnë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, (SHBA, Kina, Rusia, Anglia dhe Franca), në fakt institucioni i vetëm fuqiplotë i kësaj organizate.

      Ja edhe se cilët janë këta 4 kandidatë : Kiliania Michelle Bachelet, argjentinasi Rafael Grossi, kostarikania Rebeca Grynspan dhe senegalezi Macky Sall, të cilët siç thamë do t’u nënshtrohen për tre orë secili, të martën dhe të mërkurën, pyetjeve nga 193 shtetet anëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

       Kjo është hera e dytë që OKB-ja ka organizuar këtë “seancë të madhe orale”, të krijuar në vitin 2016, për një transparencë më të madhe. E reja e kësaj zgjedhjeje është se shumë shtete tani po mbështesin idenë që të jetë një grua që të marrë drejtimin e OKB-së për herë të parë deri më sot. Prandaj Amerika Latine, me 2 gra kandidate po e pretendon fort këtë post, bazuar edhe në një traditë të rotacionit gjeografik dhe kontinental, rotacion që nuk është respektuar gjithmonë.

       « Sekretari i përgjithshëm i ardhshëm do të duhet të jetë në përputhje me vlerat dhe interesat amerikane”, paralajmëroi para pak ditësh ambasadori amerikan, Mike Waltz. Dhe pikërisht këtu rreh çekani. Ajo apo ai që do zgjidhet a do i respektojë interesat amerikane apo?! Sepse edhe Kina, Brazili, Rusia, India etj etj kanë interesat e tyre. Atëhere si do i bëhet?!

          Të katër kandidatët zyrtarë, deri më sot, për të marrë drejtimin e OKB-së më 1 janar 2027, theksojnë të gjithë nevojën për të rindërtuar besimin në një organizatë që është goditur rëndë kohët e fundit dhe është në prag të krizës financiare. Që kur Trump  pakësoi ndjeshëm kontributin e SHBA-ve në të. Dhe nuk ka asnjë çudi, që në rast se nuk zgjidhet kandidati që ai dëshiron, Trump t’i presë fare këto kontribute. Ose edhe ta dëbojë OKB-në nga Pallati i Qelqtë në Nju Jork, ku ajo ka selinë.

      Në moshën 74-vjeçare, Michele Bachelet, socialistja kiliane, e torturuar nga regjimi i Augusto Pinochet, ka qënë edhe presidentja e parë femër e Kilit (2006-2010 dhe pastaj 2014-2018), duke u bërë një figurë kryesore e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare.

      Gjatë punës së saj e saj si kryetarja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (2016-2022), një pozicion i ndjeshëm ky, ajo shkaktoi pakënaqësi, sidomos ndaj Kinës, e cila ka kritikuar ashpër publikimin e një raporti denoncues mbi gjendjen e vështirë të pakicës myslimane ujgure atje.

       Megjithatë në letrën e saj motivuese, ku ajo përshkruan “vizionin” e saj si Sekretare e Përgjithshme, Michelle Bachelet tha se ishte “e bindur” se përvoja e saj e kishte “përgatitur atë për t’u përballur” me këtë epokë, në të cilën sistemi ndërkombëtar “po përballet me sfida të një shkalle, urgjence dhe kompleksiteti të paparë”.

         Kandidatura e saj mbështetet nga Meksika dhe Brazili. Sepse Kili, vendi i saj, e tërhoqi mbështetjen e tij pas marrjes së postit atje nga presidentit i ekstremit të djathtë, José Antonio Kast. E papreferuar nga SHBA-të si dhe Kina, socialistja kiliane ka pak gjasa të zgjidhet.

         Ndërsa argjentinasi Rafael Grossi, një diplomat karriere, 65-vjeç, u bë i njohur kur mori përsipër detyrën si kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në vitin 2019. Ky pozicion e detyroi atë të merrej me programin bërthamor Iranian si dhe me rreziqet që paraqiste termocentrali bërthamor i Zaporizhias në Ukrainë, i pushtuar nga forcat ruse.

        Në letrën e tij të aplikimit, ai argumenton për një “kthim (të OKB-së) te parimet e saj themeluese: shpëtimi i njerëzimit nga plaga e luftës”. Ky është një mesazh i mbështetur nga administrata Trump, ndërsa shtete të tjera theksojnë rëndësinë e bashkëjetesës së tre shtyllave të OKB-së (paqja, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi). Grossi shihet si një kandidat serioz për të zëvendësuar Guterrez.

            Rebeka Grynspan, ish zv/presidente e Kosta Rikës, pak e njohur për publikun e gjerë, kryeson tani agjencinë e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD). Në këtë cilësi, ajo negocioi në vitin 2022, me Moskën dhe Kievin, “Nismën e Detit të Zi” për të lehtësuar eksportin e drithërave ukrainase pas pushtimit rus.

            Duke u mbështetur në historinë e saj personale, me prindër hebrenj që “mezi i mbijetuan” Holokaustit përpara se të emigronin në Kosta Rika, ajo thekson angazhimin e saj ndaj Kartës së OKB-së, e themeluar mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore: “një paralajmërim i përhershëm kundër rreziqeve të dehumanizimit, mosbesimit dhe përçarjeve”.

               Me siguri edhe kjo kandidaturë do të ketë mbështetjen e Uashingtonit.

          Ndryshe Macky Sall, 64 vjeç, mbetet i vetmi kandidat që nuk është nga Amerika Latine. Ish-presidenti senegalez (2012-2024) këmbëngul në “vizionin” e tij mbi lidhjen e brendshme midis paqes dhe zhvillimit, ku e para nuk mund të jetë “e qëndrueshme” kur shtylla e dytë minohet “nga varfëria, pabarazia, përjashtimi dhe cenueshmëria ndaj klimës”.

        Kandidatura e tij për në OKB, e paraqitur nga Burundi – i cili mban edhe presidencën e radhës të Bashkimit Afrikan – nuk mbështetet nga blloku rajonal afrikan, ku 20 nga 55 vendet anëtare e kanë kundërshtuar atë. Kandidatura nuk mbështetet as nga vendi i tij. Autoritetet aktuale senegaleze e akuzojnë atë në veçanti për shtypjen me gjak të demonstratave të dhunshme politike që shkaktuan dhjetëra të vdekur midis viteve 2021 dhe 2024. Gjasat që Sall të zgjidhet mendohet se janë të pakta.

     Pra shihet se nuk është edhe aq e lehtë zgjedhja e sekretarit të ri të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë bota sot ka nevojë urgjente për një OKB të lirë dhe të pavarur, të drejtë, të ndërgjegjshme, me autoritet, me një fjalë për një qeveri botërore, por pa armë, pa bomba atomike, por që respekton principet njerëzore dhe ato universale. Dhe më kryesorja që nuk duhet të transformohet në lëpitkë të njërës apo tjetrës Fuqi e Madhe.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment